Në gjysmën e dytë të viteve 60-të, rrëzë Malit të Dajtit, rreth 5 km nga qëndra e Tiranës, në një lëndinë mes ullinjve të shumtë, filluan të hedhin shtat dy ndërtesa, në të cilat në vitin 1969 filloi veprimtarinë e tij “Laboratori i Rrezatimeve”, si njësi e veçantë shkencore pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Në vitin 1971 ky laborator u shndërrua në Institutin e Fizikës Bërthamore, ndërsa me krijimin në vitin 1972 të Akademisë së Shkencave, instituti u bë pjesë e rrjetit të institucioneve shkencore të kësaj Akademie. Gjatë viteve instituti u rrit më tej, gjithmonë mes ullinjve e lulishteve me gjelbërim, pishave, shelgjeve dhe trëndafilave të të gjitha ngjyrave.
Vitet 70-të njihen si periudha kur fizika bërthamore filloi të zhvillohej me vrull në mjaft vende të botës, me aplikime të shumta për qëllime paqësore, ndër të cilat spikasnin prodhimi i energjisë elektrike si dhe mjekësia bërthamore, impakti i të cilave prekte kushtet e jetesës dhe të shëndetit të miliona njerëzve në mbarë botën. Ishte një nga drejtimet e shkencës që po zgjerohej me shpejtësi kryesisht në vendet e zhvilluara, por edhe në ato në zhvillim, dhe që po ndikonte në përmirësime të ndjeshme të teknologjisë, kryesisht në elektronikë, metoda llogaritëse, strukturë materialesh, etj.
Në këto rrethana, edhe në Shqipëri ndërtimi i “Laboratorit të Rrezatimeve” nisi mbi bazën e një marrëveshje bashkëpunimi tekniko–shkencor mes Kinës dhe Shqipërisë, ku pala kineze mori përsipër të mbështeste Shqipërinë me projektimin dhe ndërtimin e laboratorit, kualifikimin e personelit të tij dhe paisjen me aparaturat e nevojëshme për zbatimin e metodave bërthamore në fusha të ndryshme të ekonomisë së vendit.
Disa vite më vonë, gjatë periudhës së kualifikimit tim në Kinë, kam pyetur vehten se cilin model kishin imituar kinezët në ndërtimin e laboratorit në Tiranë; dhe në një nga vizitat në institutet kineze kuptova se si ndërtesat, por edhe aparaturat që ata instaluan në Shqipëri ishin thuajse identike me ato të Institutit të Aplikimit të Izotopeve në Bujqësi pranë Qendrës Bërthamore në Tjadin.
I nisur nga mungesa e traditës në studimet në shkencat e natyrës dhe në fizikën bërthamore në veçanti, në harkun e pak viteve Instituti i Fizikës Bërthamore u shndrua në një qëndër kërkimore që u dallua në mjedisin shkencor të kohës për cilësinë e tij dhe të arritjeve, të pasqyruara në publikimet brenda e jashtë vendit. Meqënëse për institutin është shkruar gjatë dhe më parë, dëshiroj të ndalem vetëm në disa momente me rëndësi që mendoj se ndikuan në zhvillimin e tij ndër vite.
Dëshiroj të vë në dukje kompetencën e lartë profesionale në përcaktimin e qartë të objektivave dhe drejtimeve parësore ku do të zhvillohej instituti. Falë meritës së një grupi fillestar punonjësish të kualifikuar në fushën e fizikës bërthamore, nën drejtimin e drejtorit të parë të këtij institucioni, profesor Skënder Kojës, instituti përcaktoi një trase të qartë të rrugës në të cilën do të zhvillohej në të ardhmen, nga studimet e aplikimet në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe kulturës ku mund të gjenin zbatim metodat e fizikës bërthamore, veçanërisht mjeksia, e deri në një synim të largët si ai i energjetikës bërthamore.
Koha provoi se kjo trase ishte e drejtë dhe thuajse të gjitha objektivat e projektet u realizuan me sukses. Përjashtim ndoshta bën ndërprerja në fundin e vitit 1993 e projektit të reaktorit bërthamor eksperimental, si një impiant pilot, që do ngrihej me synim fitimin e përvojës për të shkuar në mënyrë racionale drejt ndërtimit të një centrali bërthamor për prodhimin e energjisë elektrike.
Në suksesin e institutit rol luajti edhe përzgjedhja e një personeli shkencor dhe ndihmës shkencor cilësor, ku në harkun e dy–tre viteve të para instituti përfshiu në gjirin e tij një brez fizikanësh, kimistësh e inxhinierësh elektronistë, nga më të mirët të diplomuar në Universitetin e Tiranës apo dhe jashtë vendit. Me shumë vlera ishin edhe teknikët elektronistë, mjeshtrat mekanikë e të qelqit, që me talentin e tyre vunë në funksionim dhe mirëmbajtën aparatura moderne, si në asnjë institucion tjetër brenda vendit.
Paralel me përzgjedhjen cilësore, kujdes ju kushtua specializimit të personelit përmes kualifikimit të vazhdueshëm brenda e jashtë vendit. Ndoshta është nga të vetmit institucione kërkimore të asaj kohe që me personelin e tij zhvillonte një program të mirëfilltë specializimi, i cili shtrihej thuajse gjatë tërë vitit të parë të punës; që synonte specializimin e thelluar, por edhe njohjen e së paku dy gjuhëve të huaja, e më tej. Dhe në vijim, me kualifikim profesional afatshkurtër e afatgjatë jashtë vendit. Kualifikimi në Kinë, e pastaj në Francë, Itali, Austri, e gjetkë u shoqërua natyrshëm edhe me fitimin e një kulture të veçantë në debatin shkencor, shpesh të ashpër për nga argumentimi, por gjithmonë brenda etikës qytetare e profesionale, deri te një kulturë pune, organizimi, marëdhëniesh mes kolegëve, të gjitha së bashku elementë që luajtën një rol të madh në zhvillimet e mëvonëshme.
Me një strukturë të thjeshtë organizative në hapat e tij të parë, instituti jo vetëm që e forcoi atë në mënyrë të ndjeshme, por mbi të gjitha e përshtati atë sipas modelit të instituteve perëndimore, ku spikasnin sektorë apo departamente të orientuar drejt një kërkimi të mirëfilltë shkencor, me aplikime me përfitim shkencor apo ekonomik, përdorim të një paisje themelore apo rrjeteve unikale në shkallë vendi, që ishin në dispozicion jo vetëm të personelit të institucionit, por dhe të grupeve të tjera të interesuara universitare ose të prodhimit, e që viheshin në shërbim të kualifikimit të pedagogëve e studentëve. Për të qenë i saktë, në institut aplikimi kishte gjetur hapësirë përmes veprimtarisë së grupeve të posaçme që konkretizonin arritjet shkencore, si grupi i analitikës bërthamore, ai i rrezitjeve, etj.
Instituti që herët u orientua drejt përdorimit të teknologjisë bashkëkohore. Në fillimet e tij ishte paisur kryesisht me aparatura të prodhuara në Kinë, kryesisht një akselerator elektronesh, një laborator modest i radiokimisë dhe një laborator po aq modest i radiometrisë. Teknologjia e prodhimit të tyre nuk ishte aq sa duhej e avancuar, por në harkun e disa viteve, falë bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Vjenë, instituti u plotësua me paisje moderne të teknologjisë së avancuar, shumica e të cilave ishin të prodhimit amerikan.
Ndër to rendis një laborator të shkëlqyer të aktivimit neutronik të paisur me dy gjeneratorë neutronesh, pa hezitim ndër më të mirët ne Europë; një numur teknikash analitike instrumentale si fluoreshenca me rrezatim x, spektroskopia me absorbim atomik, spektroskopia Rahman, ajo e Mosbauerit, masspektrometria, paisjet për teknikat e gjurmuesve radioaktivë, matjeve absolute, dozimetrisë, etj.
Dhe nuk mund të lë pa përmendur ndërtimin e një laboratori modern të prodhimit të radiofarmaceutikateve dhe komponimeve të shënuara për qëllime diagnostikimi e terapie në mjeksi, pjesërisht të realizuar në bashkëpunim dhe financim të Komunitetit Europian si dhe të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Sot me të drejtë mund të pyesim se si ka qënë e mundur që një institucion i tillë të paisej me teknika kaq të avancuara, madje edhe amerikane, kur vendi ishte tejet i mbyllur dhe kalonte vështirësi të mëdha ekonomike? Është fakt se përveç fondit të pagës dhe pak financimeve për materiale konsumi e për mirëmbajtje, pothuajse 90% e pajisjeve, përfshirë edhe lëndën radioaktive që përdorej në institut dhe Spitalin Qëndror në Tiranë, furnizohej nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike; e cila po aq shumë kontribuon edhe sot me aparatura dhe formimin e personelit. Është fakt i njohur që Instituti mundi të ndërtojë një bashkëpunim shumë efikas me organizmat ndërkombëtare, dhe duke shfrytëzuar detyrimet në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat vendi aderonte në atë kohë, mundi të kapërcejë pengesat politike e ideologjike të kohës.
Instituti u shqua si promotor i futjes së teknologjive bashkëkohore edhe në institute e qëndra prodhimi me të cilat bashkëpunonte brenda vendit. Për vetë specifikën e teknikave bërthamore, në atë kohë në institut shfaqeshin më përpara se kudo tjetër brenda vendit aparatura të ndërtuara me elektronikën më të avancuar të kohës; po aty u vunë në përdorim edhe mikrokompiuterat, apo ndryshe makinat llogaritëse moderne, paisjet e vakumit të thellë, etj. Njëherazi instituti ka ndikuar fuqishëm edhe që këto teknika të hynin sa më parë në institucione të tjera shkencore e arsimore brenda vendit. Ndër shembujt që mund të përmend lidhet me mikrokompiuterin e parë, që në institut u bë mjet pune aty nga mesi i viteve 70-të, e tërhoqi interesin e specialistëve nga Universiteti Bujqësor, Fakulteti i Mjeksisë apo ai i Inxhinierisë Mekanike, etj.
Instituti shërbeu si qendër me rëndësi kombëtare edhe për nxitjen e kërkimit shkencor dhe kualifikimin e një brezi studiuesish në fushën e fizikës, inxhinierisë elektronike, kimisë, mjekësisë, biologjisë, agronomisë, gjeologjisë etj. Rreth tij u mblodhën e bashkëpunuan me dhjetra kërkues, pedadogë e studentë nga fusha si biologjia, veterinaria, etj, si dhe u mbrojtën me dhjetra disertacione e tema diplomash universitare e pasuniversitare.
Siç ndodh rëndom, zhvillimi i institutit dhe aplikimet e tij janë atakuar, veçanërisht nga individë të keqinformuar, të pa aftë, apo të nxitur nga interesa apo keqdashje personale. Disa gjenin mundësinë për të thënë diku atje lart apo edhe poshtë se në institut zhvillohej shkencë për shkencë, se veprimtaria e institutit ishte pa vlerë praktike konkrete, e deklarime të tjera denigruese që nuk ja vlen t’i përmend. Do ndalem në disa shembuj, për të demonstruar se nuk ishte kështu, madje ishte krejt e kundërta.
Përveç studimeve me karakter të mirëfilltë shkencor, në veprimtarinë e tij institutit synoi që studimet shkencore të shoqëroheshin me një përfitim konkret, real e të matshëm. Një nga aplikimet e para të kësaj natyre , me një vlerë të madhe praktike edhe sot ishte studimi mbi lëvizjen e rërave në Gjirin e Durrësit. Dihet se hyrja në Portin e Durrësit mundësohet edhe sot nëpërmjet një kanali, që duhej të thellohej shpesh pasi rëra e detit e mbush atë shumë shpejt. Shpenzimet për të mbajtur kanalin hapur ishin të shumta.
Problemit i dha zgjidhje puna e shkëlqyer e grupit të përdorimit të radioizotopeve në industri, që në harkun e disa muajve mundi të studiojë përmes përdorimit të teknikave bërthamore lëvizjen e rërave nën ndikimin e rrymave të detit dhe të përcaktojë saktë drejtimin e tyre.
Puna e kualifikuar, e bazuar shkencërisht dhe sakrificat në det të punonjësve të institutit për muaj me radhë bëri të mundur që procedurat për pastrimin e kanalit të portit të ndryshonin rrënjësisht dhe rëra e hequr nga kanali të mos hidhej në vende nga ku ajo mund të rikthehej përsëri në kanal, si ishte vepruar më parë. Natyrshëm kursimet ishin të konsiderueshme. E njëjta teknike u përdor më pas edhe në studimin e Portit të Vlorës dhe të dinamikës së vijës së bregdetit të Adriatikut, rezultatet e të cilëve edhe sot janë me vlerë konkrete.
Shumë është folur për aksidentin e Çernobilit dhe ndikimin e tij në vendin tonë, përfshirë kontaminimin e bimëve medicinale që eksportoheshin nga Shqipëria në Gjermani e vende të tjera. Në mjaft vende të Ballkanit ky kontaminim ishte i madh dhe eksporti i bimëve nga këto vende pësoi një rënie të madhe. Edhe në Shqipëri, disa zona, sidomos zona Veri-Lindore u kontaminuan, por shumë më pak ndikim pati aksidenti mbi pjesën tjetër të vendit.
Gjithësesi, eksporti i bimëve medicinale gjatë kësaj periudhe fillimisht dështoi pasi dy tre anije që transportonin këto bimë u kthyen mbrapsht nga Gjermania.
Për të zgjidhur këtë situatë u angazhua instituti, i cili përpunoi një metodikë që lejoi seleksionimin e këtyre bimëve sipas shkallës së ndotjes radioaktive, dhe me anë të matjeve në laborator dhe në depot e grumbullimit të tyre, mundësoi eksportin e atyre, ndotja e të cilave ishte brenda niveleve të lejuara. Nga një aplikim i tillë, nga eksporti i bimëve medicinale u përfituan mbi 12 milion dollarë, jo pak për periudhën që flasim.
Përveç përfitimit ekonomik, e veçanta e këtij aplikimi ishte se në këtë rast metodika e matjeve u mbështet nga dy studime me karakter kërkimi të mirëfilltë, që nga disa zëra ato kohë ishin kontenstuar si “shkencë për shkencë”. E kam fjalën për një punim të mbështetur në përdorimin e metodës Monte Karlo që lejonte llogaritjen e efektivitetit të sistemeve matëse të rezatimit dhe një tjetër mbi kalibrimin e sistemeve për matjen absolute të rrezatimit beta dhe gamma. Të dy këto studime u integruan me sukses në matjet konkrete të bimëve medicinale dhe luajtën rol në cilësinë e saktësinë e matjeve, që në tërësinë e tyre dalluan nga matjet në vendin importues me më pak se 6%.
Një tjetër zbatim lidhet me kërkimin e naftës, kur institutit ju ngarkua detyra të saktësonte nivelin ndarës mes naftës dhe ujit të naftës në një nga puset e asaj kohe në një zonë e pasur naftëmbajtëse. Ishte koha kur vendi po përballej me vështirësi ekonomike, kur në sektorin e naftës kishte një klimë të ashpër nga dënimet e shumë specialistëve si përgjegjës për dështimet në zbulimin e naftës dhe gazit. Qartazi përgjegjësia ishte shumë e madhe edhe për punonjësit që u ngarkuan me këtë detyrë; por rezultati që u dha nga grupi i aktivimit neutronik ishte mjaft i saktë dhe lejoi përcaktimin me sukses të thellësisë së çpimit. Fatkeqësisht, ky burim nafte u dogj më vonë për shkak të një aksidenti tragjik, me pasoja të rënda për ekonominë.
Një rëndësi të veçantë në institut ju dha në vite kryerjes së shërbimeve të specializuara të monitorimit dhe mbrojtjes së publikut dhe mjedisit nga rrezatimet jonizuese. Kjo veprimtari u mbështet me ndërtimin e dy–tre rrjeteve kombëtare. Njëri prej tyre synonte monitorimin e dozës së ekspozimit të punonjësve në shkallë vendi, që me sa jam në dijeni është aktiv dhe sot e garanton sigurinë në punë në tërë ato sektorë ku punohet me lëndë radioaktive e rrezatime jonizuese.
Rrjeti tjetër lidhet me përballimin e emergjencave radioologjike, si pjesë e emergjencave civile. Eksperienca e fituar gjatë aksidentit të Çernobilit tregoi nevojën dhe rëndësinë e madhe të këtij rrjeti. Instituti ngriti e vuri në funksionim Qëndrën e Emergjencave Radiologjike, e lidhur në rrjet me 5 stacione automatike të matjes së dozës së rrezatimit që transmetonin në kohë reale informacionin në këtë Qendër. Stacionet matës u vendosën në Tiranë, Shkodër, Kukës, Korçë dhe Vlorë dhe jepnin alarmin e parë në rast aksideti bërthamor kudoqoftë ai shfaqej.
Një tjetër rrjet, me impakt në ruajtjen e mjedisit, shërbente për monitorimin e territorit të vendit për nivelin e radioaktivitetit në ujrat e lumenjve dhe liqeneve. Dhe me shumë përgjegjësi ndaj publikut ishte edhe puna në rrjetin e monitorimit të produkteve të konsumit, ushqimore, të materialeve të ndërtimit etj.
Përveç aspekteve teknike, dëshiroj të vë në dukje edhe dy tre elementë të veçantë që lidhen me personelin kërkimor të institutit, me vlerat e e tij profesionale e intelektuale.
Instituti dallohej për largpamësinë e tij, e cila spikati veçanërisht me projektin që zuri fill nga viti 1986 për ndërtimin e një reaktori të vogël ekperimental, i cili do të mundësonte prodhimin e radioizotopeve dhe radiofarmaceutikateve në vend, avancimin e metodave analitike moderne, që do të përgatiste personel të kualifikuar në fushën e fizikës bërthamore, do të mundësonte përsosjen e legjislacionin vendas, për ti paraprirë një angazhimi më serioz në një të ardhme në zhvillimin e energjetikës bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike, e me impakt indirekt edhe për shkenca të tjera si inxhinieria mekanike, elektrike, gjeologjia, mjekësia, etj.
Një numur studentësh u dërguan jashtë vendit për kualifikim, të tjerë u kualifikuan brenda vendit, u përcaktua pas shumë e shumë studimesh sheshi i ndërtimit dhe u përzgjodh tipi i reaktorit, një Triga Mark I i prodhimit amerikan, absolutisht i sigurtë e i thjeshtë në përdorim.
Pas shumë dilemash e përballjesh me qëndrime kundërshtuese, që për hir të së vërtetës lindën që me fillimin e projektit në vitin 1986 dhe e ndoqën atë në vazhdim, ai u ndërpre në fund të vitit 1993, nën ndikimin edhe të vështirësive të periudhës së parë të tranzicionit. Nuk dëshiroj të analizoj nëse u veprua drejt apo gabim atëkohë; por rikthimi në këtë ide sot tregon largpamësinë në orientimin e institutit. Për fat të keq, e shtrua disa pak vite më parë, vendi ishte i papërgatitur ta pozonte e debatonte këtë alternative me profesionalizëm dhe objektivitet shkencor. Elementi i dytë i adresohet nivelit intelektual të punonjësve të institutit, që u shfaq me forcë në pjesmarrjen e tyre në proceset sociale në vend pas viteve 90-të.
Jo vetëm specialistë të mirëfilltë, por edhe si intelektualë të formuar, shumë nga punonjësit e institutit u përfshinë në proceset demokratizuese si antarë apo simpatizantë të partive të ndryshme politike. Pavarësisht nga kjo, në çdo rast fryma e miqësisë, respektit dhe bashkëpunimit mes tyre si kolegë dhe mbrojtja e institucionit, ruajtja e zhvillimi i tij spikati gjatë kësaj periudhe ndryshimesh të vrullëshme. Pa ekzagjeruar aspak, shumë të huaj që e vizituan institutin në periudhën pas viteve 90-të e quajtën atë “një oaz” të mirëfilltë.
Vlen të vë në dukje edhe shpejtësinë me të cilën instituti u orientua në kushtet e ndryshimeve që ndodhën në vend, me kërkesat e ekonomisë së tregut, duke i dhënë përparësi veprimtarive me përfitim ekonomik, duke vënë theksin në ato probleme që dominuan zhvillimin si ato të mjedisit e mjeksisë, luftës kundër terrorizmit dhe kontrollit të produkteve të ndryshme, kur bujqësia e industria thuajse nuk ekzistonin.
Për hir të së vërtetës, në fundin e viteve 80-të, inercia e zgjerimit të institutit me personel nuk përkonte me një ekonomi që po shkonte drejt një rrudhje të shpejtë dhe në këtë këndvështrim zvogëlimi i personelit nga rreth 130–140 vetë në kufirin e 90 vetëve në fillim të viteve 90-të ishte një masë mëse e drejtë. Sigurisht që nga shumë rrethana, por sidomos për shkak të erozionit të specialistëve, nga financimet e kufizuara, nga gjendja e përgjithshme e ekonomisë edhe në vitet e para të tranzicionit, aktiviteti i institutit ra ndjeshëm dhe mbase kishte ende vend për një rritje të efektivitetit dhe shkurtim të mëtejshëm të personelit.
Por, tronditjen më të madhe instituti e pësoi pas reformës në shkencë të vitit 2006, ku si asnjë institucion tjetër i asaj madhësie e rëndësie ai humbi statusin e tij dhe u shndërrua në një qendër kërkimore në përbërje të Fakultetit të Shkencave të Natyrës; u reduktua në mënyrë drastike në rreth 20–25 vetë, shumë nën masën kritike të nevojshme për një përdorim efektiv të arsenalit të fuqishëm që institucioni disponon, humbi ndjeshëm në autonominë e veprimit, ndërsa financimi ju kufizua së tepërmi. I kam të paqarta kriteret mbi të cilat u bazua reduktimi në 4–5 herë i personelit të institucionit, ku më duket se nuk janë marrë parasysh nevojat aktuale të zhvillimit të vendit për shërbime e studime të specializuara si dhe kërkesat e perspektivës, aq më shumë që ky shkurtim koincidoi me kohën kur në vend po shtrohej me forcë nevoja për t’u orientuar drejt energjetikës bërthamore.
Me të drejtë mund të pyetet se si është situata sot? Nuk jam aq i informuar sa të jap detaje dhe do ftoja kolegë që ende punojnë në këtë institucion të flasin për gjendjen atje, e pse jo edhe në institucione të tjera shkencore që kaluan nëpër procesin e po atij reformimi shkencor. Por, nga eksperienca që kam, mendoj se me një personel kaq të kufizuar nuk mund të përballohen shumë nga detyrat dhe shërbimet të cilat ky institucion duhet t’i ofrojë shoqërisë sot, e aq më pak mund të vihen në eficiencë laboratorë të tërë të “ngrirë” tashmë prej disa vitesh.
Dikush mund të thotë se zhvillimi i sotëm e ka bërë të panevojshëm një institucion të tillë. Pa frikë them se nuk është kështu, aspak. Rritja e transportit të mallrave me rrugë detare kërkon porte gjithnjë e më modernë e të sigurtë. Ndërtimet e shumta në bregdet kërkojnë studime të hollësishme mbi qëndrueshmërinë e vijës bregdetare. Klinikat dhe laboratorët në rritje që përdorin arritjet e mjekësisë bërthamore kërkojnë gjithnjë e më shumë asistencë teknike e monitorim dozimetrik të punonjësve dhe pacientëve, përfshirë dhe kontrollin e radiofarmaceutikateve që këto klinika importojnë.
Lufta kundër terrorizmit dhe siguria e cilësisë së mallrave në treg kërkon monitorim të pandërprerë, duke filluar nga hyrja në dogana e kudo. Problemet e mjedisit, të eksportit të mineraleve e të tjerë të kësaj natyre gjithmonë e më shumë kërkojnë laboratorë analitikë të fuqishëm si ata që disponon ky institucion.
Dhe asnjëherë nuk përjashtohet mundësia e aksidenteve bërthamore në vendet rreth nesh (uroj që të mos ndodhë asnjë i tillë), dhe ndjekja e situatave në kësi rastesh është një domosdoshmëri jetike, padiskutim me impakt kolosal në publik.
Por, me varësinë, organizimin dhe statusin që ky institucion ka aktualisht, me personelin në plakje dhe financimin e kufizuar, e ka të vështirë të përballojë kërkesat e sotme e veçanërisht e bëjnë thuajse të paaftë që të reagojë në kohë në rast emergjencash apo nevojash të tjera që mund të lindin papritur një ditë.
Dihet prej kohësh se investimi në shkencë është me efektivitet; gabon ai vend që e neglizhon këtë aksiomë, aq më keq nëse institucionet shkencore i keqmenaxhon, i anashkalon, i nënvleftëson apo mendon se kursen duke i shkurtua e kufizuar. Përballimi i problemeve të sotme, efektiviteti ekonomik, konkurenca dhe globalizimi, integrimi drejt bashkësisë së vendeve të zhvilluara, e sidomos dinamika me të cilën shfaqen për zgjidhje problemet te ne sot, kërkon gjithmonë e më shumë vendimmarrje të bazuara në studime të realizuara nga institucione shkencore aktive e efikase, të përgatitura profesionalisht, të mirë–organizuara, me kompetencë dhe autoritet, të afta të koordinojnë projekte, studime e bashkëpunim në shkallë vendi e rajoni, e me status të qartë, që tu dëgjohet zëri e të mbajnë përgjegjësinë që ju takon.
Padyshim që një pjesë e këtyre kërkesave mund të përballohet edhe nga institucione private që mund të orientojnë aktivitetin e tyre në këtë fushë. Por, specifika e teknologjisë bërthamore kërkon një raport të drejtë mes angazhimit të institucioneve publike dhe atyre private për probleme të ndryshme, së pari kërkon struktura të forta shtetërore, me kualifikim e disiplinë të lartë, veçanërisht kur fjala është për çështje me impakt të madh në publik, për mbrojtjen nga rrezatimet dhe projektimin e një perspektive të qartë si në fushën e energjetikës bërthamore, por edhe më gjerë.
Në këtë këndvështrim, gjendja e Institutit të dikurshëm të Fizikës Bërthamore, e ndoshta edhe të tjerëve si ai, duhet parë me kujdes për t’a kthyer në mënyrë racionale në eficencë të plotë dhe nivel bashkëkohor, me status e autoritet të qartë, me financim adekuat në kushtet e një ekonomie tregu me kërkesa gjithmonë në rritje. Sa më parë aq më mirë.