Mirela, si është konceptuar fustani që do të veshë në natën gjysmë finale të festivalit Europian, këngëtarja Aurela Gaçe?
Fustani është brenda linjës së videoklipit, duke ndryshuar pak. Nuk do të jetë i gjatë dhe ngjyra është rozë në perlë, ka elemente të rock-ut brenda fustanit dhe te sandalet, gjë që është e lidhur dhe me gjithë grupin kjo pjesë…
Si do të jetë i kombinuar grupi, pasi dihet që Aurela do të jetë edhe me artistë të tjerë në skenë?
Grupi ngjitet me elementin rock me Aurelën, po ndryshe nga këngëtarja ka ngjyrat kuq e zi, komplet veshja e tyre është e zezë me detaje të kuqe.
Duke iu referuar edhe fustanit të videoklipit, ju realizuat shqiponjën, por ama iu larguat ngjyrave kuq e zi… por tashmë keni vendosur t’i sillni te veshjet e grupit e jo tek Aurela…
Në këtë rast Aurela bëhet transparente me shqiponjën… që është edhe simboli i flamurit tonë. Nuk doja që ta sillja në versionin siç e kam përdorur shumë herë të tjera, kuq e zi, e bëra duke ndërthurur totalisht ngjyrën e zezë me thyerje të vogla fare të kuqe. Përsa i përket fustanit të Aurelës, nuk është i larguar komplet nga ai fustan që pamë në klip, çka mund të them se është edhe identifikues tashmë i klipit, por ka detaje të lidhura me rock- që i kanë të gjithë pjesëtarët e grupit, është në linjë komplet të grupit, që ka të futur perçinën që do ta shohim te të gjithë, që është pikërisht element rock, do ta shohim si te fustani i Aurelës edhe te të tjerët.
Mirela, ju keni realizuar disa veshje mjaft të suksesshme me ngjyrat e flamurit kuq e zi. Përse zgjodhët një ngjyrë tjetër për Aurelën?
Duke qenë se regjisori i videoklipit, Albert Malltezi, më tha se Aurelën dua ta krahasoj me Shqiponjën, unë në pjesën e shqiponjës në fustan kam bërë pjesën e brendshme të Aurelës dhe po ta vini re kam bërë shqiponjën transparente dhe po ta vini re pjesën e shqiponjës e kam bërë në ngjyrën bezhë, ndërsa në skenën e Dusseldorfit do të jetë në ngjyrë perlë dhe për të shprehur njëkohësisht se Aurela është shqiponjë vërtetë përbrenda me gjithë forcën që ajo ka…
Përsa i përket fustanit të videoklipit, ka pasur shumë komente pozitive. Ju vetë si ndiheni për atë punë, në fakt vepër arti, që keni realizuar?
Normal. Nuk ka pasur madje shumë komente, të paktën unë vetë personalisht nuk është se kam marrë shumë. Mbase edhe për faktin se unë nuk dal shumë, dhe është edhe një fakt tjetër, që pak njerëz e dinë që e kam bërë unë. (qesh).
Mirela, ju keni pasur sfilata edhe jashtë Shqipërisë, por si e prisni daljen e Aurelës dhe reagimin për veshjen e krijuar nga ju në këtë hapësirë europiane?
Unë kam bërë sfilata edhe jashtë shteti, madje edhe në qendrën e modës që është New York-u, por kësaj here kam një lloj impenjimi tjetër. Pasi, nëse në sfilata unë përfaqësoj veten time, në këto momente unë, ashtu si edhe gjithë grupi realizues, kam pjesën dhe përgjegjësinë e gjithë kombit jo thjesht të punës sime individuale.