Auron Tare Historianet ne llogore ideologjike nuk hapin arkivat

Auron Tare: Historianet ne llogore ideologjike, nuk hapin arkivat
Duke marrë shkas nga projekti i Institutit të Historisë për të rishkruar historinë mes viteve 1912-1991, studiuesi bën thirrje për mijëra dokumente arkivore thelbësore të pastudiuara nga historianët shqiptarë.

Nisur nga lajmi që drejtori i Institutit të Historisë, z. Beqir Meta, për një projekt në punë e sipër mbi rishkrimin e historisë shqiptare të shek XX, studiuesi Auron Tare, i cili ka hulumtuar si i pasionuar i historisë arkivat britanike dhe amerikane, shprehet dyshues në lidhje me të rejat që mund të sjellë ky botim i ri. Sipas tij, janë me mijëra dokumente arkivore të pastudiuara nga historianët shqiptarë, janë shumë fakte që ende nuk janë rishkruar edhe pse janë të dokumentuara. Ai bën thirrje për një studim në masë të këtyre arkivave.

Zoti Tare, Instituti i Historisë po rikthehet me një projekt mbi rishikimin dhe debatimin e historisë së periudhës së shek XX. Ju si studiues që keni botuar një seri shkrimesh mbi disa periudha të kësaj kohe, mendoni se ky  projekt mund të sjellë trajtime të reja?

E lexova me interes intervistën e drejtorit Beqir Meta në gazetën “Shqip”, pasi si dashamirës i historisë shpresoja të mësoja diçka të re mbi këtë projekt që mendoj se duhet të jetë mjaft i rëndësishëm për vetë kontekstin e tij. Duke parë se projekti ka filluar prej kohësh, duhet të presim për të lexuar përfundimin e kësaj pune. Gjithsesi, duke parë se për një seri çështjesh shumë të rëndësishme historike mungon prej kohësh riintepretimi i tyre historik bazuar në kërkime arkivore, mendoj se do të ishte shumë e vështirë që pretendimi për rishikimin e periudhës 1912-1991 të ishte i saktë. Unë mendoj se në 20 vitet e fundit ka pasur shumë spekulime mbi çështjet historike dhe në veçanti të periudhës komuniste, të prezantuara në shtypin e ditës. Fatkeqësisht, në shumë nga këto debate ka munguar zëri apo pena e historianëve apo edhe e atyre që pretendojnë se merren me histori të mirëfilltë. Kjo mendoj se vjen nga aktiviteti shumë i pakët kërkimor në arkivat e huaja, nga të cilat mund të vinte një pasuri e madhe për historinë tonë. Fatkeqësisht, kemi shumë pak risi nga historianët e mirëfilltë dhe për mendimin tim disa prej historianëve tanë janë rreshtuar sërish në llogore ideologjike duke e gjykuar historinë ashtu siç e gjykuan për 50 vite me radhë: në fitues dhe të mundur.

Në fakt, zoti Meta theksoi se kanë sjellë arkivat e Ministrive të Jashtme të disa vendeve për të kontribuar mbi këtë projekt... Sjellja e dokumentacionit në fondet e Institutit të Historisë është diçka pozitive. Por nuk është aspak e mjaftueshme dhe aq më pak e mundur që të pretendosh për një rishikim të historisë bazuar vetëm në arkivat e ministrive të Jashtme. Këto arkiva kanë vlerën e tyre, por rishikimi i ngjarjeve të mëdha historike nuk kanë qenë rezultat i vetëm këtyre institucioneve. Arkivat janë të shumta dhe të shumëllojshme. Ajo që mungon për mendimin tim është angazhimi konkret i historianëve tanë. Po përmend këtu dosjet e deklasifikuara të Kanalit të Korfuzit. Kishin vite që ishin të hapura për studiuesit dhe askush nga historianët tanë nuk i kishte prekur me dorë.

Ju keni shkruar mbi periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe në veçanti të Misioneve Britanike në Shqipëri. Ku jeni bazuar dhe çfarë mendoni se keni sjellë si kontribut historik?

Kam shkruar dhe kam akoma në arkivin tim personal një sasi mbi 6 mijë dokumente të pabotuara të Misioneve Britanike në Shqipërinë e Luftës së Dytë Botërore. Mbledhja e këtij arkivi filloi kur unë takova gati të gjithë protagonistët e asaj periudhe që ishin gjallë dhe jetonin në Britaninë e Madhe. Dëshmitë e tyre dhe disa prej ditarëve personalë kam arritur t’i kem në arkivin tim. Këto dokumente shumë të pasura së bashku me dokumentacionin që vjen nga arkivat britanikë kanë bërë të mundur një këndvështrim origjinal të asaj periudhe. Gjatë kërkimeve në arkivat britanike kam parë mungesën e plotë të studiuesve shqiptarë. Me përjashtim të Bejtulla Destanit, i cili ashtu si edhe unë është një admirues i historisë. A mund të pretendosh të rishkruash historinë e luftës dhe të pasluftës pa studiuar arkivat britanike? Nëse duam të kuptojmë si erdhën në pushtet komunistët atëherë këta arkivë janë vendi i duhur për ta bërë këtë gjë. Nëse duam t’i japim përfundimisht një përgjigje pyetjes nëse forcat nacionaliste bashkëpunuan me nazizmin apo jo, duhen parë materialet e misioneve britanike. Nëse duam të kuptojmë sjelljen e Enver Hoxhës pas luftës, atëherë duhet të lexojmë dokumentacionin e arkivave britanikë.

Këto janë pyetje thelbësore dhe askush nuk mund të rishkruajë historinë e asaj periudhe pa u konsultuar me arkivat e faktorit kryesor që kontribuoi në sjelljen në pushtet të komunistëve. Për ilustrim po sjell disa fakte shumë interesante. Unë kam shkruar se çetat e para anti-italiane në 1940-1941 janë organizuar, financuar dhe mbështetur nga Shërbimet Sekrete Britanike me miratimin e plotë të jugosllavëve. Këto çeta partizane ishin edhe shkëndijat e para të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të dominuara më vonë nga komunistët. Askush deri më sot në historinë e shkruar nuk e përmend këtë fakt. Disa nga drejtuesit e këtyre çetave, më vonë të njohur edhe si heronj populli ishin njerëz të dërguar dhe të financuar nga po këto shërbime.

Po kështu me shumë interes mendoj se është debati i gjatë dhe i pashterueshëm midis historianëve mbi bashkëpunimin e komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë. Ky është një fakt tërësisht i pranuar tashmë dhe i dokumentuar. Megjithatë, në arkivat britanikë gjenden fakte të qarta se edhe nacionalistë shqiptarë kanë bashkëpunuar për një kohë të gjatë me antishqiptarin e njohur serb, Drazha Mihailovich. Askush nga historianët tanë nuk ka mundur të analizojë dhe të shkruajë mbi këtë bashkëpunim, i cili sigurisht dëmton një sërë figurash të nacionalizmit verior, të cilat pas 1990-s janë bërë përpjekje për t’u rehabilituar. Këto dhe shumë të tjera janë fakte shumë të rëndësishme për t’u rishkruar. Vetëm arkivi i deklasifikuar i CIA-s mbi Operacionet Klandestine të 1949-1954 ka mbi 10 mijë dokumente. Misioni për të rishkruar historinë e një shekulli mjaft intensiv që lamë pas nuk mund të bëhet me retorikë, por me një strategji të saktë dhe aktive dhe jo si pjesë e fushatave politike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama