Që prej vitit 1996, në Gjermani përkujtohen më 27 janar viktimat e nacional-socializmit. Në këtë ditë, në vitin 1945, ushtarët sovjetikë patën çliruar të burgosurit e kampit Aushvic. Zgjedhja e kësaj date për të shënuar këtë përkujtim ndërkombëtar, është bërë duke u nisur nga fakti se pikërisht më 27 janar të vitit 1945 u çlirua kampi më i tmerrshëm i shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kampi i Aushvicit, i vendosur në Poloni. Paradoksalisht, kampi u çlirua nga ushtria e një shteti po aq brutal sa edhe Gjermania naziste e Hitlerit. Kjo ishte Armata e Kuqe e Stalinit, i cili për dallim nga Hitleri, që vriste në emër të luftës së racave, bënte të njëjtën punë të pistë në emër të luftës së klasave.
Sot janë më shumë se një milion e 300 mijë veta, që në harkun e një vitit vizitojnë Muzeun e Aushvicit, më shumë se ata që shkojnë për të parë të gjitha vendet që lidhen me këtë periudhë të marrë së bashku. Nga këta, 550 mijë janë polakë, ndërsa të tjerët vijnë nga vende të ndryshme të botës. Studentët janë ata që përbëjnë 2 të tretat e vizitorëve. Këto statistika janë të rëndësishme, sepse numri i vizitorëve që prej vitit 2001 është në rritje të vazhdueshme. Në ish-kampet e përqendrimit vijnë edhe 35 mijë koreanë, 8 mijë japonezë, më shumë se 10 mijë kinezë dhe singaporez në vit.
Dëshmitë e të mbijetuarve
Esther Béjarano është 86 vjeç. Ishte 18 kur kjo grua u dërgua në kampet e përqendrimit të Aushvicit. Thotë se muzika e ka shpëtuar. E lindur në 15 dhjetor të vitit 1924, ende sot ka një zë të fortë e të bukur. Ishte 20 prilli i vitit 1943. Për shkak se kishte familjaritet me pentagramin, u mor në orkestrën e femrave në kampin e përqendrimit. Në fillim me firzamonikë, pastaj me flaut, herët në mëngjes dhe mbrëmjeve vonë qëndronte në këmbë përpara portave duke shoqëruar me muzikë hyrjen dhe daljen e të burgosurve të detyruar për të bërë punë të detyrueshme.
Duhet të luante muzikë edhe kur duhet të priste në hyrjen kryesore të deportuarit e rinj. Ditë të errëta, plot ankth, uri dhe dhunë. “Shihnim kufomat e të burgosurve të vdekur nga vuajtjet, të hedhur mbi karrocë që çoheshin në krematorium. Gjithmonë vinin të deportuar të rinj. Ne e dinim se shumë prej tyre do të përfundonin direkt në dhomat e gazit, por prapë duhej t’i prisnim me muzikë. Shumë prej tyre, me siguri e kanë menduar se aty ku ka muzikë nuk mund të ketë shumë dhimbje, dhe për ne ai mendim ishte një peshë e madhe”. Shumë prej tyre nuk arritën dot të mbijetonin, por Esther akoma në moshë të mitur arriti të mbijetonte. Pas luftës emigroi në Palestinë, por në vitin 1960 u kthye në Gjermani bashkë me fëmijët dhe burrin. Esther Béjarano sot është bashkëthemeluese dhe presidente e Komitetit të Aushvicit në Gjermani dhe presidente nderi e Shoqatës së të Përndjekurve nga Regjimi Nazist. Pavarësisht asaj që ka parë e ka jetuar, Esther i këndon paqes dhe dëshirës për një shoqëri të barabartë.
Rolf Joseph është një tjetër i mbijetuar që tregon historinë e tij. Ai sapo ka mbushur 90 vjeç para disa javësh. Fakti që ai ende jeton, është gati si një mrekulli. Si hebre berlinez, ai i ka shpëtuar disa herë arrestimit nga nazistët, transportimit në kampet e përqendrimit dhe ekzekutimit. Rolfi është rritur në lagjen Veding, aty ka shkuar në shkollë dhe këtu si 12-vjeçar e ka ndjerë se çfarë do t'i ndodhte si hebre. “Në vitin 1933 na erdhi një mësues i ri. Ai erdhi në uniformën e SA-ve (trupave paramilitariste të partisë punëtore nacional-socialiste gjermane - NSDAP). Pyetja e parë që bëri ishte: Ka ndonjë hebre në klasë? Kur unë ngrita dorën, e kuptova. Nga ajo ditë më iku buzëqeshja. Kështu ndodhi, çdo ditë ai më thërriste para klasës dhe më qëllonte”. Rolf Joseph e rrëfen me fjalë të thjeshta historinë e tij. Si u morën prindërit në një kamion për transport mobiliesh dhe u dërguan në Teresienshtat. Ishte 6 qershori 1942 kur i pa për herë të fundit. Disa muaj më vonë vetë ai u arrestua në rrugë dhe për javë të tëra u mor në pyetje e u torturua nga Gestapoja.
“Pastaj na dërguan në Aushvic. Ka qenë tmerr. Si na futën të gjithëve në një vagon. Gjashtë të rinj në pranga. Me 50 gra e fëmijë. Si bërtisnin dhe thërrisnin ata, ishte e tmerrshme. Ishte një djalë me ne, një holandez që thoshte: ju nuk e dini ku po shkoni. Po qe se shkojmë kështu të lidhur në Aushvic, do përfundojmë direkt në soba gazi”. Por, Rolf Joseph kishte gjetur një darë me të cilën mundi të këpuste prangat. “Për ne nuk kishte më rëndësi. Kemi kërcyer nga treni në lëvizje”.
Ai e ka treguar shpesh historinë e tij, dhe nuk i duhet të gjejë fjalët e duhura. Me qindra herë ai e ka rrëfyer atë para fëmijëve dhe të rinjve në shkolla apo qendra kulturore, ka treguar yllin hebre dhe fotografinë e spitalit të hebrenjve, ku ndenji nën pretekstin e lisë. Dhe kur donin ta merrnin, Rolf kërceu nga dritarja e katit të dytë dhe me shtyllë kurrizore të thyer, ia mbathi. Bashkë me vëllanë gjeti mbështetje për tre vjet tek një grua e varfër që mblidhte mbeturina.