Një grup specialistësh austriakë do të vijnë në Tiranë për armët e Skënderbeut. Pas premtimeve zyrtare dy javë më parë, të ministrit të Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger, se përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të silleshin në Tiranë në 100-vjetorin e Pavarësisë, bëhet edhe vizita e parë zyrtare. Tre specialistë të Muzeut Historik të Artit në Vjenë, Beaufort Christian, Selvia Ferino, Florian Raunig, pritet të arrijnë nesër pasdite në Tiranë, ndërkohë që për dy ditë, të hënën dhe të martën, do të takohen me specialistë shqiptarë. Burime zyrtare bëjnë të ditur se specialistët e Muzeut Historik të Artit në Vjenë kanë ardhur të shikojnë nga afër nëse kushtet do të jenë të favorshme për një ekspozim të mundshëm të armëve origjinale të Skënderbeut.
Ata do të bëjnë një vizitë në Muzeun Historik Kombëtar, ku do të vëzhgojnë nga afër jo vetëm nëse sigurohen kushtet e domosdoshme klimaterike, por edhe nëse muzeu është në gjendje të ofrojë kushtet e nevojshme të sigurisë. Gjatë kësaj vizite ata do të shoqërohen nga specialistë të MHK-së, ndërkohë që mësohet se do të ketë edhe një tryezë diskutimi. Kjo vizitë, e para zyrtare për këtë çështje, do të jetë thelbësore për të përcaktuar nëse procedurat e kthimit të armëve të Skënderbeut, vetëm për ekspozim, do të vazhdojnë më tej.
Mbërritja e specialistëve austriakë duket të jetë një sinjal pozitiv, pasi për vite me radhë është folur për mundësinë e kthimit të relikeve të Heroit Kombëtar, por nuk është bërë e mundur. Veçanërisht në 600-vjetorin e lindjes së Skënderbeut, mes një sërë aktivitetesh të rëndësishme, u fol edhe për mundësinë që qeveria austriake t’i huazonte sa për ekspozim. Përgjigjja ka qenë gjithnjë negative, duke theksuar se rregullat e muzeut nuk e lejonin lëvizjen e objekteve të kësaj rëndësie që janë ekspozuar. Duket se rasti i 100-vjetorit të Pavarësisë ka bërë një përjashtim në këtë drejtim.
Pas vizitave të para dhe takimit me specialistët shqiptarë, do të mësohen edhe përshtypjet e specialistëve austriakë dhe ndonjë detaj më tepër për sa i përket mundësisë së relikes për t’u ekspozuar. Duhet të kujtojmë se mungesa e ajrit të kondicionuar është një problem i vazhdueshëm në Muzeun Historik Kombëtar. Megjithatë, burime zyrtare thonë se në rast se sjellja e përkrenares dhe shpatës do të jetë e mundur, ekspozimi i tyre do të bëhet në kushte të posaçme. Nëse kjo arrihet, do të shënojë të parën herë të ekspozimit të tyre në Shqipëri, për një publik masiv.
Premtimi
Në datën 7 korrik të këtij viti, në një takim në Kroaci, ku u zhvillua Samiti i Dubrovnikut, zëvendëskancelari dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, i premtoi Kryeministrit Berisha se përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të silleshin në Shqipëri për t’u ekspozuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipëri. Gjithashtu, ai bëri të ditur se Austria do të marrë pjesë në festimet për 100-vjetorin e Pavarësisë me përfaqësues të autoriteteve më të larta, si dëshmi e miqësisë dhe e lidhjeve të ngushta midis të dyja vendeve e popujve. Pas dy javësh nga ky premtim, i cili u duk i thatë pas historisë së vazhdueshme të kërkesave për t’i sjellë reliket në Shqipëri, mbërrin edhe grupi i specialistëve të Muzeut Historik të Artit. Takimi i së hënës do të zbulojë më shumë lidhur me këtë fakt.
Dyshime mbi origjinalitetin
Disa vite më parë, mes specialistëve u hap debati mbi origjinalitetin e këtyre relikeve. Në vitin 2005, historiani Dritan Egro pati deklaruar se dorëshkrimi osmanisht mbi shpatën e shkurtër nuk dëshmonte se ajo i përkiste Skënderbeut. Ky fakt u shoqërua me një sërë polemikash të forta në shtyp, ku shumica e hodhën poshtë këtë pretendim
Analizat
Si një iniciativë private, ish-shefi i Laboratorit të Arkiometrisë dhe Restaurimit, Frederik Stamati, ka udhëtuar drejt Vjenës, ku ka parë nga afër dhe ka analizuar shpatën që ruhet në Muzeun Historik të Artit. Ky studim kishte për qëllim që të vërtetonte ose të hidhte poshtë dyshimet mbi rezultate laboratorike. Deri më sot, Stamati ende nuk i ka bërë të ditura përfundimet e këtyre analizave
Kërkesa
Ar për armët e Skënderbeut
Nga dokumentet e arkivit dëshmohet se kërkesa e parë për të kthyer simbolet e heroit në atdhe, është bërë që në vitin 1924. Ministri i Punëve të Jashtme, në kohën e mbretërisë, Sulejman Delvina, porosiste konsullin tonë në Vjenë që të vazhdonte negociatat me një inxhinier të quajtur Hubert Hassler, për të bërë të mundur kthimin e dy shpatave dhe përkrenares së Skënderbeut. Si shpërblim, Hassler kërkonte që të paguhej me atë shumë sa peshonte përkrenarja, që sipas dokumenteve peshonte 2-3 kg dhe që ishte e barasvlershme me shifrën 6000-10000 franga ari.