Për rreth një shekull shumica e këtyre sendeve me vlerë "emigruan" nga Shqipëria duke u vjedhur, dhuruar apo blerë për dy groshë. Shembull tipik i tjetërsimit të këtyre sendeve me vlerë është dhe historia e violinës Stradivarius, që ruhej në familjen intelektuale Polena të Korçës. Sipas dokumenteve autentike të Sigurimit të shtetit, kjo violinë Stradivarius gjendej në familjen Polena deri në pranverë të vitit 1991.
Në atë kohë, Leonidha Kapurani, biznesmen grek i specializuar edhe për trafikimin e veprave të artit dhe atyre arkeologjike në kuadrin e të ashtuquajturës tregti kufitare kishte penetruar në zonën e Korçës. Sipas dokumenteve të Sigurimit të shtetit nën maskën e tregtarit, ai përpiqej të blinte për dy grosh objekte me vlerë nga popullata duke shfrytëzuar si gjendjen e rëndë ekonomike ashtu edhe paditurinë e shqiptarëve të sapo dalë nga izolimi komunist.
Në një shkresë të Degës së Punëve të Brendshme Korçë të 24 majit 1991, me numër 615 (ekzemplar nr. 2) drejtuar Drejtorisë së parë degës së tetë të Ministrisë së Punëve të Brendshme jepet informacion për trafikimin e një violine Stradivarius pronë e familjes intelektuale Polena në Greqi. Në 12 maj të vitit 1991 Leonidha Kapurani ishte arrestuar nga policia speciale greke për trafikimin e vlerave kulturore, bëhet fjalë për violinën Stradivarius pronë e familjes Polena.
Për t'u informuar për hollësitë e këtij trafiku, Sigurimi merr në pyetje qytetaren Ida Polena. Dokumentacioni i pyetjes së qytetares Ida Polena gjendet në dosjen e saj të ndjekjes të kategorisë 2B. U mor në pyetje edhe qytetari Anesti Bello, si edhe qytetari Aleksandër kolë Gjoni dhëndërr në familjen Polena.
Sipas deponimeve të këtyre shtetasve, Leonidha Kapurani me dy bashkëpunëtorë të tij të armatosur ia ka grabitur me dhunë violinën Ida Polenës.
Në dokumentin sekret Nr. 443 (kopje nr. 2) datë 29, mars 1991 Qamil Lamaj shef i Degës së Punëve të brendshme Korçë informon Drejtorinë e parë, degën e tetë të Ministrisë së Brendshme për veprimtarinë e grekut (kuço-vllahut nga fshati Plasë) Leonidha Kapurani. Në të përshkruhen lidhjet familjare në Shqipëri të tij si Ilia Kapurani, Aleko Kapurani etj. Duket që Sigurimit të Shtetit i kishte mbetur sahati prapa, sepse ende në 1991 merrej me propagandën, që bën Kapurani duke sharë Enver Hoxhën, Ramiz Alinë apo edhe të bijën e Enver Hoxhës.
Për të evidentuar këtë propagandë aktivizohet spiuni me përvojë me pseudonimin Telemetri, si edhe denonciatorët Fiqiri Gjysma dhe Andrea Ziso. Gjithsesi edhe në këtë fazë të mbikqyrjes së trafikantit Kapurani del e qartë veprimtaria e tij prej trafikanti për të grumbulluar monedha floriri, sende me vlerë, ikona etj. Në shkresë përshkruhet edhe se si mbikëqyreshin nga Sigurimi i Shtetit kontaktet e Kapuranit në Korçë si p.sh., Paulin Leka (vjeç 38) punëtor në Parkun e Mallrave, mjekja radiologe në pension Ida Polena etj.
Veprimtaria e trafikantit Kapurani mbahet vazhdimisht nën mbikëqyrje nga Sigurimi i Shtetit, ndonëse në këtë kohë për shkak të proceseve demokratike, ky i fundit nuk dinte, ku kishte kokën dhe i frikësohej një llogaridhënie të përgjakshme për krimet e kryera në periudhën 45-vjeçare. Në dokumentet e asaj kohe (faksimilet ngjitur shkrimit) dëshmohet si vazhdon survejimi i kontakteve të tij në Korçë me agjenturë dhe me teknikë operative, si merren në pyetje disa prej të njohurve dhe kushërinjve të tij etj.
Edhe Maria Kapurani bashkëpunoi për grabitjen e violinës
Sipas të dhënave të Sigurimit të Shtetit, violina kishte një vlerë prej 300 000 markash në tregun e zi. Violina ishte blerë nga Sotir Polena xhaxhai i Ida Polenës në fund të shekullit të XIX, duke u bërë kështu ligjërisht pronë e familjes Polena. Dyshohej se Maria Kapurani bashkëshortja e Leonidhës kishte bashkëpunuar me të në veprimtarinë keqbërëse, prandaj dhe rekomandohej të mos i jepej vizë hyrëse për në Shqipëri. Gjithashtu i rekomandohej organeve kompetente të shtetit shqiptar, që të bënin përpjekje për rikuperimin e violinës së çmuar Stradivarius.
Violina në fjalë kishte përmasat: 35,5cm gjatësia deri te rrëza e bishtit, ndërsa e tëra ishte 59 cm e gjatë. Gjerësia ishte 20,5 cm. Ngjyra e violinës ishte bojë mjalti në kafe. Në dyshemenë e violinës nga e çara dukej mirë mbishkrimi "Antonius Stradivarius Cremoneuses - Facibat Anno 1716"
Nga këto të dhëna kuptojmë, që kjo violinë i përket të ashtuquajturës Periudhë e artë e prodhimeve Stradivarius përkatësisht viteve 1700-1720. Violinat e këtyre viteve për shkak të cilësisë së tyre të jashtëzakonshme, në ankande kapin sot vlerat nga 1,8 milion USD në 3,3 milion USD, ndërsa violinat para apo pas kësaj periudhe me përjashtim të violinës së fundit të Stradivariusit të quajtur "The SWAN" - (Mjellma) nuk e kalojnë shumën e 600-800 mijë dollarëve.
I kujtojmë lexuesit se violinat dhe violat e markës Stradivarius konsiderohen nga koleksionistët dhe muzikantët si unike. Në vendin e dytë janë violinat Guarnieri të prodhuar nga tre mjeshtrit Gofriller, Baptiste dhe Giuseppe Guarneri bashkëkohës së Stradivarius-it, të cilat zakonisht shiten në ankande me gjysmën e vlerës së violinave unike Stradivarius.
Si ia gabitën Idës violinën
Personi tjetër që është mbajtur nën vëzhgim, ishte mjekja Ida Polena, e cila ishte njëkohësisht pronare e violinës së çmuar, e konsideruar pjesë e trashëgimisë kulturore. Sipas raportit, pazaret për blerjen e "mallit" ishin përfunduar që në Korçë, ndërsa Leonidha Kapurani i kishte siguruar Ida Polenës dhe Anesti Bellos vizë greke për të përfunduar gjithçka në shtetin fqinj. Në 24 prill të vitit 1991 Ida Polena së bashku me motrën, kunatin, mbesën dhe burrin e mbesës (Aleksandër Kolë Gjoni) kanë dalë nga vendkalimi kufitar i Kakavijës dhe kanë marrë rrugën për në Janinë.
Pasi ndenjën të gjithë bashkë për dy ditë në kryeqendrën e Greqisë së Veriut, të afërmit e saj u shpërndanë në Greqi, ndërsa mjekja Ida Polena qëndroi për të vazhduar negociatat me Leonidha Kapuranin. Vetë Ida ka shpjeguar përpara policisë shqiptare se, me gjithë këmbënguljen e Kapuranit, ajo nuk pranoi ta shesë violinën dhe pas presioneve të shumta e detyrojnë të rikthehet në Shqipëri.
Por, ndërsa kthehej drejt Korçës, pa dalë ende nga toka greke, Ida Polena sulmohet nga dy persona të armatosur e të maskuar. Në deklarimet e saj në polici ajo ka treguar se nuk kishte mundur dot të identifikonte personat që i morën me forcë violinën e çmuar, ndonëse dyshimet e saj ishin për personat që i kishin kërkuar me këmbëngulje ta shiste. Pas kësaj ngjarjeje, policia greke nisi hetime të thelluara, të bindur se ndodheshin përballë një veprimtarie të organizuar.
Në raportin e policisë sekrete shqiptare thuhet se Sigurimi nuk i besonte tërësisht versionit të servirur nga Ida Polena. Sipas thënieve të saj, ajo vetëm në Greqi ka marrë vesh vlerën e violinës, pasi një mik i Kapuranit i ardhur nga Gjermania ka kërkuar ta blejë me 300 mijë marka. Por vetë punonjësit e Sigurimit shprehen të bindur në raport se marrëveshja për shitjen është realizuar që në Korçë dhe nuk dihet pse Polena ka ndërruar mendje në çastin e fundit duke vendosur mos ta shesë.
Më 13 maj të vitit 1991 mediat greke bëjnë të ditur se Leonidha Kapurani dhe dy bashkëpunëtorë të tij ishin arrestuar si pjesëtarë të një bande kontrabandistësh. Ndër të tjera, atyre iu sekuestrua edhe violina "Stradivarius", e cila i përkiste familjes korçare Polena dhe që përbën një pasuri kombëtare me vlera të pallogaritshme. Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Korçës, Qamil Lamaj, i rekomandonte dikasterit të veprohej në bazë të rregullave ndërkombëtare, duke i kërkuar shtetit grek rikthimin e kësaj pasurie kombëtare të sekuestruar. Hetimet për këtë ngjarje kanë vazhduar në të dyja anët e kufirit, por violina shqiptare mbeti në Greqi...
20 vjet harresë
1.Është mëkat që organet shtetërore shqiptare gjatë njëzet vjetëve nuk kanë bërë asgjë për ta rikuperuar këtë violinë kaq të çmuar, e cila ligjërisht mbetet pronë e trashëgimtarëve të shtetases Ida Polena. Të paktën deri në vitin 1999, violina në fjalë ruhej në qilarin (armored vault) e blinduar të Bankës së Janinës.
2.Sot nuk dihet se ku ka përfunduar kjo violinë. Ministria jonë e Kulturës në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme i kanë të gjitha mundësitë të bëjnë rikuperimin e kësaj violine. Pushtetarët shqiptarë mund të marrin shembull nga përpjekjet e qeverisë greke pas 150 vjetësh për kthimin nga Londra të objekteve të mermerit të gjetura në Greqi nga Lordi Elgin, kur Greqia ishte ende e pushtuar nga Perandoria turke. Për më tepër, që Lordi Elgin këto objekte ia kishte blerë me para në dorë, krejt ligjërisht një Pashai osman, i cili ishte qeveritar lokal me gradën Mytesarif. Në dallim nga këto mermerë, violina Stradivarius thjesht u vodh me dhunë nga një trafikant kuçovlleh dhe dy bashkëpunëtorët e tij të armatosur, të cilët për këtë krim u përballën me organet e drejtësisë helene.
Shifra
300 000 marka vlente violina në tregun e zi, sipas të dhënave të Sigurimit të Shtetit. Violina ishte blerë nga Sotir Polena xhaxhai i Ida Polenës në fund të shekullit të XIX, duke u bërë kështu ligjërisht pronë e familjes Polena.
3, 3 mln dollarë amerikanë vlejnë këto violina sot, për shkak të cilësisë së tyre të jashtëzakonshme.