Dita e dytë e kërkimit ndërkombëtar për avionin malajzian të zhdukur u mbyll pa rezultate pasi avionët dhe anijet nuk arritën të gjejnë asnjë objekti në jug të Oqeanit Indian. Operacioni do të rinisë të shtunën me më shumë anije. Pesë avionë morën pjesë në kërkimin për fluturimin MH370, i cili u zhduk më 8 mars me 239 njerëz në bord.
Imazhe satelitore zbuluan objekte që ndoshta i përkasin avionit në ujërat në jugperëndim të Australisë. Moti i keq pengoi operacionet të enjten, por kushtet u përmirësuan të premten. Ekspertët kanë paralajmëruar se deti ku po kërkohet është jashtëzakonisht i rrezikshëm.
Aktualisht një anije australiane është rrugës për te zona ku janë fotografuar objektet, por procesi i kërkimit duket jashtëzakonisht i vështirë.
Edhe vende të tjera po dërgojnë anije dhe avionë, përfshirë Kinën, Japoninë dhe Britaninë e Madhe. Franca ka dërguar skuadrën e vet që zbuloi fatin e avionit Air France 447, i cili u zhduk në Oqeanin Atlantik dhe që u gjet vetëm pas pesë ditësh kërkimi.
Kryeministri i Australisë tha se pavarësisht largësisë dhe vështirësive, nëse në det ka një objekt, ata do ta gjejnë. Por objektet e fotografuara nga satelitët mund të mos kenë lidhje me avionin.
Fluturimi MH370 u nis nga Kuala Lumpur për në Pekin më 8 mars dhe humbi kontaktin një orë pas nisjes. Kërkimet në zonën ku u ndërprenë kontaktet nuk sollën rezultat dhe hetuesit dyshojnë se dikush e ka devijuar avionin pasi ka shkëputur kontaktet. Për këtë arsye, avioni besohet se gjendet në dy korridore ajrore që fillojnë nga Deti Kaspik deri në thellësinë e Oqeanit Indian.