Nishani-Llalla
Menjëherë pas ngjarjes së djeshme, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka thirrur në një takim urgjent Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për avionin e bllokuar në Divjakë
Hetues italianë
Në Drejtorinë e Policisë së Fierit kanë mbërritur edhe ekspertë italianë, të cilët pritet të bashkëpunojnë me palën shqiptare lidhur me hetimin ndaj trafikut të dyshuar të narkotikëve
Ulja e papritur e avionit sportiv në plazhin e Divjakës ka lënë të shtangur banorët e zonës dhe shumë pushues, të cilët kishin zgjedhur të kalonin fundjavën në bregdet, por kanë përjetuar edhe frikë, teksa shikonin uljen e avionit dhe fluturimin e njërës rrotë në rërën e thatë. Një prej tyre është edhe Rustem Dervishi nga Divjaka, i cili është dëshmitar i uljes së avionit sportiv në rërën e plazhit. Ai ka sqaruar se kishte pak që kishte kaluar mesdita kur kanë dëgjuar zhurmën e një avioni që vinte prej veriut, drejt jugut. Por, ai shpjegon se askush nuk e mendoi se udhëtimi i mjetit fluturues do të përfundonte pikërisht në plazhin e Divjakës.
“Isha duke drekuar në lokalin ku punoj si mirëmbajtës dhe si roje, që ndodhet pranë ish-godinave të pushimit të ndërtuara para viteve ‘90. Duhet të ketë qenë ora 13:30 ose 14:00, nuk mund ta them me saktësi këtë gjë, kur dëgjova një zhurmë avioni mbi kokat tona. Së bashku me miqtë me të cilët ishin duke drekuar dolëm nga veranda dhe pamë se avioni që vinte nga veriu, kaloi rreth 10 metra mbi majat e pishave.
Iku pak drejt jugut e më pas mori një kthesë për nga deti. Nuk e kuptuam dot, por pamë që avioni u ul aty në rërën e plazhit, rreth 400 metra prej lokalit ku ndodhesha. Pas pak minutash, jo më shumë se 10 minuta, pasi avioni u ul në rërë, aty kanë mbërritur forca të shumta policore, të cilat mesa mësova më pas kishin bllokuar edhe një fuoristradë. Dëgjova se fuoristrada ndodhej pranë godinave të ish-shtëpive të pushimit dhe se ishte arrestuar personi që e drejtonte. Nga banorë të zonës dëgjova se kishte pasur lëndë narkotike në atë makinë”, ka pohuar Dervishi. Ai ka shtuar se kishte dëgjuar nga banorë të zonës se kishte pasur raste të uljes apo qarkullimit të avionëve në Divjakë, por se kjo ishte hera e parë që e shikonte këtë gjë me sytë e tij.
Banorë të tjerë, të cilët kanë qenë në plazhin e Divjakës dje pasdite në plazhin e Divjakës, kanë theksuar se kjo që ndodhi nuk ishte një rastësi. Madje, një banor i fshatit Ballagat ka shpjeguar se bashkëfshatari i tij, i cili e denoncoi publikisht faktin e uljes së avionëve sportivë në rrugë automobilistike në zonën e Divjakës, tashmë fshihet dhe ka frikë. Ai shton se dëshmitari që bëri publik faktin e uljes së avionëve nuk u mbështet nga bashkëfshatarët, edhe pse ata e kishin parë një gjë të tillë. I njëjti person pohon se plazhi i Divjakës është ideal për orientimin e uljeve të mjeteve të vogla fluturuese ose për mbërritjen në breg të detit të mjeteve lundruese. Ai etiketon një banesë trekatëshe, e cila ndodhet mes pishave, e shkëputur nga godinat e tjera, rreth 50 metra prej vendit ku u gjet avioni, të cilën e quan si një pikë orientimi për çdo mjet lundrues apo fluturues. Sipas tij, ky objekt shquhet lehtë që prej detit dhe është orientues.
Edhe banorë të tjerë të Divjakës, të cilët për kureshtje afrohen në vendin ku ndodhet avioni, nuk preferojnë të flasin për këtë çështje, duke u shprehur se gjithçka dinë e kanë dëgjuar prej të tjerëve. Efektivë të policisë mbajnë të rrethuar zonën në një perimetër të ngushtë dhe vazhdojnë të kryejnë ekspertime. Ndërsa avioni me derën e majtë të hapur prej nga shquhet kabina, qëndron me majën e ngulur në rërë dhe rrotën e prapme të majtë të shkëputur krejt. Kurse fuoristrada është transportuar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Fierit, ku mësohet të jenë shoqëruar piloti italian dhe shoferi shqiptar. Në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Fierit kanë mbërritur edhe ekspertë italianë, të cilët pritet të bashkëpunojnë me palën shqiptare lidhur me hetimin ndaj trafikut të dyshuar të narkotikëve.
Avioni i bllokuar
Modeli
Avioni “Piper Aircraft”, i bllokuar dje në Divjakë, është prodhuar në vitin 1978 në SHBA, ka një pilot dhe mund të transportojë pesë pasagjerë
Karakteristikat
Ai ka një gjatësi prej 8.44 metrash dhe shtrirja e krahëve është rreth 10 metër, duke i dhënë mundësi të ulet në hapësira të ngushta
Pesha
“Piper Aircraft” ka peshë 912 kg, ndërkohë që mund të mbajë rreth 700 kg në bord (dyshohet se ishte destinuar për të mbajtur 460 kg kanabis)
Largësia
Avioni lëviz me një shpejtësi mesatare prej 258 km/orë dhe largësia që përshkruan pa ndalesa nuk i kalon 1600 kilometra
Lartësia
Sa i përket fluturimeve, ky avion udhëton në lartësi normale prej 3 mijë metrash, por maksimalisht mund të shkojë deri në 4550 metra