Avni Mula mjeshtri i kengeve te muzikes se lehte botohen fotot e rralla

Avni Mula, mjeshtri i kengeve te muzikes se lehte, botohen fotot e rralla
Me rastin e 85 vjetorit të lindjes së Nderit të Kombit, Avni Mula

Karakteristikë e veçantë e Avniut  ka qenë të përjetuarit e thellë të krijimit. Ai përpiqej që të qëllonte në shenjë, që kënga e tij e re të mos i ngjante këngës tjetër, e që të qëndronte denjësisht në oazin muzikor Mula. Kështu i ndodhi me këngën “Një djep në barrikadë”. Kush do ta këndonte? Me Vaçen, Emën, Alidën e kishte provuar kënaqësinë e fitimtarit. Atëherë, me cilin, apo me cilën? Ishte Inva që i rekomandoi babait të saj një vajzë rreth 17 vjeçe. Studionte në Liceun Artistik. Quhej  Marina Grabovari. Ishte një guxim. A do ta justifikonte ajo besimin e familjes Mula?!

Dhe ja çfarë shkruan Avniu: “Ajo vajzë u bë një vegim nga më të bukurit e jetës sime artistike. U njoha krejt rastësisht me të. I dhashë këngën. Ia demonstrova. Më pas bëmë dëgjimin e parë. U mahnita kur e dëgjova të kënduarit dhe interpretimin e saj me aq zjarr. Askujt nuk i tregova për planin tim. E mbajta të fshehtë, si një befasi të festivalit. Madje as Marina vetë nuk e ka ditur se do të këndonte në atë festival (festivali XXI, 1982), deri në ditën e provës gjysmë gjenerale. E mora në sallë vetëm që të dëgjonte me kujdes një këngëtar.

Marina u çorodit, kur dëgjoi të këndohej kënga e saj nga dikush tjetër. E nga kush? Luan Zhegu! Vetëm atëherë i thashë: “Po, Marinë e dashur, ajo që ti ke kënduar gjithë këto ditë, do të jetë këngë konkurruese në këtë festival.” Erdhi dita dhe ora. Ajo e hutuar u ngjit në skenë. Të gjithë e vështronin me kureshtje dhe nuk po e kuptonin se çfarë donte ajo vajzë aty ku… Dhe kur kënga përfundoi, dirigjenti F. Deda, mbeti si i mpirë, i mahnitur, si qindra të tjerë në sallë. Thanë se e kënduara e saj ishte si vullkan. Ajo çuditi publikun me atë interpretim impresionues… Por…por, për arsye të panjohura, ajo nuk doli më në skenë, duke lënë pas jehonën e asaj mrekullie…”. Sa për Luan Zhegun, “luanin” e butë të këngës, as që bëhet fjalë, sepse ai tashmë ishte i mirënjohur, i afirmuar, i konsoliduar, i ekuilibruar dhe si kurdoherë edhe me këngën “Një djep në barrikadë”, përcolli kulturën e një artisti të madh.

Avniu nuk e këndoi vetë këtë këngë. Sidoqoftë ai ishte kantautori i parë, përmbi 30 vjet, duke ndikuar e duke u krijuar më pas një brez kantautorësh simpatikë, secili me individualitetin e tij, duke filluar nga Luan Zhegu, e më vonë nga Ardit Gjebreja, Françesk Radi, Redon Makashi, Elton Deda, Pirro Çako, Naim Krasniqi, Selami Kolonja, Fitnete Tuda, Saimir Çili, Janaq Mici, etj. Avniu e theu akullin, dhe sot ndjehet i lumtur që e pasuan brezat e rinj e që gjithësecili përpiqet të sjellë risi e freski.

Me këngët e Avniut janë përfaqësuar një numër i madh këngëtarësh në aktivitete të ndryshme, si: Tonin Tërshana, Niko Progri, Qemal Kruja, Pandi Zguro, Nevruz Yzeiri, Agim Hoxha, Violeta Simoni, Burhan e Agim Quku, Arta Babaramo, Hysni Zela, Qemal Kërtusha, Bashkim Alibali, Josif Gjipali, Afërdita Zonja, etj.

Avni Mula, në 44 vjet krijimtari, nuk është ndalur vetëm me këngë për festivalet e aktivitetet e tjera të organizuara, por ka krijuar rregullisht, sepse e ka ndjerë krijimtarinë si një nevojë shpirtërore të tij, si një krijues e shpirt novator i lidhur përjetësisht me muzikën. Është kjo arsyeja që në albumin e tij gjenden edhe qindra këngë të tjera.

Krijimet e Avniut formojnë një gjerdan të gjatë perlash, që të ledhatojnë, që të zbusin shpirtin, që ta ngrohin zemrën, që të bëjnë optimist dhe entuziast.

Këngë të tilla të karakterit liriko-patriotik si: “Shqipëri, o vendi im”, “Këngë për rininë”, “Bashkë në pranverë”, “Një tufë lule”, “Kur vallzojmë tok”, “Dollia e parë”, dallohen për pathos, për tematikën e prekshme aktuale, për zhvillimin harmonik e strukturor, për melodinë e kapshme e të rrjedhshme. Pranë tyre qëndrojnë denjësisht një numër këngësh me karakter masiv si: “Fitorja është me ne”, “Ushtri e popullit ushtar”, “Rritesh në pesëvjeçar”, “Zëri i Shqipërisë”, “Miqësia ushtarake”, “Këndon e gjithë Shqipëria”, “Nënat tona trimëresha”, “Për çdo vit në maj”, “Qendistarja e yjeve”, “Sa dëshirë”, “Letër”, “Më e zjarrta flakë”, “Tirana jonë”, “Festa e luleve”, “Vajzë e bukur”, “Qytezë e re”, “Shalli i aksionit”, “Brezi i ri jemi ne”, “Kënga jonë studenteske”, “Republikës”, “Lapidarët i pret zefiri”, “Një tufë me karafila”, “Për ty çelin mijëra mimoza”, “Gëzon 30 vjet Shqipëria”, “Përshëndetje”, “Zonja nga qyteti”, “O myzeqare, myzeqare”, “Dhuratë ushtarit”, “Shikojmë diellin e kaltërt”, “Ftesë për vallzim”, “Kënga jonë punëtore”, “Sa hije të paska pushka”, “Grusht shtrënguar”, “Më e madhja e gjithë dashurive”, “O e bukura Arbëri”, etj.

Këngët që cituam më sipër përbëjnë një mozaik temash, melodish, ritmesh, gjinish,  zhanresh e llojesh. Të gjitha me frymëzime të mbështetura kryesisht në motivet e Labërisë, me gjuhë të qartë komunikuese, këngë të vogla strofike, të karakterit  tregimtar, me figuracion të pasur poetik dhe të gjitha plot temperament. Vërtet disa syresh janë edhe me tekste të ndikuara nga ideologjia, por çdo artist aktiv dhe produktiv ka natyrshëm edhe elemente nga atmosfera e kohës që jeton. Jashtë kohës nuk mund të dilej.

Avniu ishte i gjithanshëm e plot guxim. Ai provoi edhe rolin e dirigjentit, atë të prezentatorit, të regjisorit në opera e koncerte, të udhëheqësit artistik në disa aksione e festivale lokale dhe kombëtare.

Roli i tij në festivalet e Këngës në Radiotelevizion ishte i madh. Ndoshta ai përbën rastin unikal. Dhe pse?

- Ai është një nga 4-5 nismëtarët e parë të organizimit, ideimit të Festivalit të Parë të Këngës së Lehtë në Radio, në nëntor 1962.
- Është kantautori i parë i festivalit.
- Është kompozitori më jetëgjatë, me mbi 32 konkurrime.
- Është fituesi i parë (me çmimin e dytë, sepse nuk u dha çmimi i  parë) me këngën “Këndoj”.
- Është fitues në tre festivale radhazi: 1962, 1963, 1965 (Nëntor 1964 nuk u zhvillua festival).
- Është kompozitori që ka aktivizuar më shumë se 60 këngëtarë  (solo, duete, trio e komplekse).
- Në disa festivale ka qenë edhe kryetar jurie.

Nuk kemi shënuar një numër shumë të madh të çmimeve të marra në aktivitete të tjera artistike, siç janë ato të Koncerteve të Majit, të Festivalit të Ushtrisë, Festivale Kombëtare për Fatosa e Pionierë, Festivalit të Klasës Punëtore, Festivali i Romancës, Festivalit të Këngës Popullore të Krijuar, çmimeve të konkurseve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve etj., të tilla si: “Ndalu që të flasim”, poema vokalo-simfonike “Nënë Shqipëri”, këngën “Marshime partizane”, “Korrieri partizan” (Të verdhat kaçurrela), “Miqësi ushtarake”, kantatave “Shqipëri o famëmadhe”, “Dilni shihni Shqipërinë”, këngë për fëmijë si: “Gomë moj”, “Tregimi i gjyshes”, “Nënës”, etj.

Duke folur plot nostalgji për këto këngë Avniu thotë: “Këto krijime dhe këto çmime që kam fituar, nuk më përkasin vetëm mua. Përveç poetëve, të cilët i kini përmendur diku, dua të falenderohen edhe këngëtarët, që me talentin e tyre u dhanë jetë këtyre këngëve, i përhapën në popull dhe u zgjatën jetën”.

Me këtë rast përmend edhe disa artistë lirikë të operës, të cilët duke ruajtur veçoritë e këngëve të Avniut, natyrën specifike të muzikës së lehtë si dhe qëllimit të aktiviteteve, ngritën nivelin cilësor të interpretimit, duke sjellë disa risi karakteristike, si: Gaqo Çako, Ibrahim Tukiqi, Ramiz Kovaçi, Agim Quku,  Hysen Koçia, Xhovana Dako, etj.

Avniu me krijimtarinë e shumtë, me vlerat interpretative u bë frymëzuesi, simboli, sinonimi i festivaleve dhe aktiviteteve të tjera muzikore.

Festivalet e Këngës në Radiotelevizion në rrugën e tyre të gjatë  patën oshilacionet e tyre të natyrshme, me ngritje e ulje, herë entuziaste dhe herë të vakëta, herë me kulminacione, por edhe me ngjyrime të qëndrueshme. Pati rënie në pozita folklorizante, këngë pa ritëm, pa nerv, monotone e pa emocione, të vagëlluara. Disa këngë me ngarkesa të tepruara politizuese, po edhe të tjera, me dukuri ekstreme për kohën, sollën njëlloj ndrojtjeje, ngurrimi, tërheqje, sepse festivali i dytë e i njëmbëdhjetë sollën bubullima me pasoja.

Por për të qenë realistë, themelorja e festivaleve është se ato kishin bukuri, ishin rinore, të freskëta, të përmbajtura, të mbështetura në intonacionet tona popullore, shpesh me sensacione e novacione, lirike e me ritëm, duke u përpjekur t’u qëndrojmë sa më larg imitimeve e ndikimeve (sado të kamufluara që mund të ishin), sepse pastaj mund të etiketoheshin me epitetin “dekadente”.

Avniu mbeti artist i pastër, me një autokontroll, i ndërgjegjshëm, konseguent në rrugën e tij krijuese. Ai kurrë nuk ra në kurthe e gracka.  Shijet e tij nuk i bleu e nuk ia imponoi askujt. Ai nuk ra kurrë as në  pozitat e një  snobisti pa personalitet.  Ai nuk ishte skllav i mentaliteteve dhe shijeve të vjetruara por mbeti besnik i traditës më të përparuar. Ai nuk është modernist, por modern. Ai nuk ra kurrë, as në pozitat e ahengxhinjve e as në pozitat e “novatorëve” spekulantë. Motoja e tij është se “muzika është  jeta e jetëve, shpirti i shpirtrave”.

Avni Mula, si në ekzekutimin e roleve në veprat operistike, ashtu edhe si këngëtar i muzikës së lehtë, i muzikës popullore qytetare e aq më shumë si kantautor, ka shfaqur dhe ka mbetur në kujtesën tonë si artist me aftësi të dukshme komunikuese, sugjestionuese, zotërimin e lirë të auditorit, ngrohtësinë, lirshmërinë, aftësinë e spikatur aktoreske, e që të gjitha këto i ka përfshirë e ngjeshur me zërin e tij potent prej baritoni. Kësisoj, si kantautor ka merita shumëplanëshe, si një nga nismëtarët e festivaleve në RTV, si kantautori i parë, si pjesëmarrësi më jetëgjatë në këtë lloj aktiviteti, si autor i larmishëm në gjini, zhanre e lloje, i pasur në tematikë e në stile. Avniu  dhe kënga u bënë sinonim me njëri-tjetrin. Ai u shkri me këngën, por edhe kënga gjeti tek ai, mjeshtrin e saj, si në ekzekutim,  ashtu edhe në  krijim.

Avni Mula nuk e pëlqeu kurrë të kënduarit me superpozim, ai preferon që muzika të përcillet “dal vivo”, sepse kontaktin e drejtpërdrejtë e quan  një përgjegjësi që të fal  më shumë kënaqësi,  vërtetësi, natyrshmëri. Për të gjitha këto e shumë cilësi të tjera, Avniu meriton ta quajmë  poliedriku i muzikës, profesori, i jashtëzakonshëm, i mrekullueshëm, i variueshmi, ekspansivi, liriko-dramatiku, i aftë të përballet me role operash e në tipe këngësh nga më të ndryshmet. Ndaj ai u shndërrua në një personalitet, në një privilegj të skenës, me një zë brilant e të kompletuar, ku mpleksen një varg dhuntish të çmuara si: diksioni i qartë, i pastër, i plotë, gjerësia e diapazonit, që arrin në ulje e ngritje të pabesueshme, teknika e përdorimit të zërit, sipas partit muzikor (në arie, apo këngë), gjestikulacioni sa i shkathët, i natyrshëm e po aq edhe i përmbajtur, lidhja dhe përshtatja e menjëhershme në çdo mjedis e në çdo lloj veprimtarie. Të gjitha këto e bënë atë që me lirizmin, epizmin e humorin e hollë, të qëndrojë vendosmërisht larg rutinës, të jetë vetvetja, kundër skematizmit, për të mbetur kurdoherë  krijues, protagonist, kërkues dhe  novator i logjikës skenike.

Disa nga këngët fituese të Avni Mulës, në festivalet e RTV-së.

I dytë “Këndoj”, (e para nga tre të dytat) M. Doda-A. Mula    1962
I dytë “Kasollja e Galigatit”, Alida Hisku-Avni Mula        1977
I dytë “Kodrinë e paharruar”, Xhovana Doko, Avni Mula    1977
I parë “Nënë moj do të pres gërshetin”, A. Mula, Vaçe Zela    1976
I dytë “Shqipëri, o vendi im”, Ema Qazimi, Avni Mula                1978
I dytë “Trëndelinë e këngë”, Avni Mula, Ema Qazimi                  1979
I dytë “Dëgjo, o hënë”, Fatbardha Bengu, Avni Mula                 1963
I tretë “Më kujton ti ato vite”, Alida Hisku, Avni Mula             1981
I parë “Një djep në barrikadë”, M.Grabovari, L. Zhegu                1982
I tretë “Bjer kitara ime”, Avni Mula, Liljana Kondakçi               1984
I tretë “Valsi i lumturisë”, Vaçe Zela, Avni Mula        1965
I tretë “Mëngjeset e atdheut”, Kozma Dushi            1986
I tretë “Kur vallzojmë tok”, Morena Reka            1988

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama