TIRANË, 8 Tetor/ATSH/.- Avokati i Popullit, në vijim të përpjekjeve për të shmangur situatën e dëbimit me forcë të komunitetit rom/egjiptianë nga Parku i Liqenit dhe në funksion të gjetjes së një zgjidhje të qëndrueshme, dinjitoze dhe afatgjatë për këta qytetarë, zhvilloi një takim me përfaqësues të Bashkisë Tiranë.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqërisë civile, si pjesë e veprimit të përbashkët institucional në respektimin dhe garantimin e të drejtave të këtij komuniteti.
Gjatë takimit, veç të tjerave, përfaqësuesve të Avokatit të Popullit ju është bërë me dije nga ana e Bashkisë Tiranë ekzistenca e një plan-veprimi për zhvendosjen e komunitetit rom/egjiptianë pranë Liqenit Artificial, por nuk ju është vënë në dispozicion.
"Gjejmë rastin të falënderojmë Bashkinë e Tiranës për gatishmërinë e treguar gjatë parashtrimit të shqetësimit tonë. Vlerësojmë kontributin dhe mbështetjen e shoqërisë civile në këtë përpjekje për të ndihmuar këta qytetarë në kushte tejet të vështira jetese", thuhet në njoftimin për shtyp të këtij institucioni.
Bazuar në parimet dhe standardet ndërkombëtare për trajtimin e rasteve të zhvendosjeve apo të dëbimeve me dhunë, si një situatë e mundshme edhe për këtë komunitet, Avokati i Popullit rekomandon ofrimin dhe gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme, afatgjatë dhe të pranueshme nga këta qytetarë.
"Të mos kryhet asnjë zhvendosje pa garantuar më parë një zgjidhje e qëndrueshme, dinjitoze, të dokumentuar zyrtarisht dhe të verifikueshme fizikisht, në mënyrë që të parandalohet zhvendosja e këtyre qytetarëve bazuar thjesht mbi premtime, që më pas mund të shkelen. Çdo veprim nga ana e autoriteteve vendore duhet të ndërmerret në bashkëpunim dhe me pëlqimin e plotë të anëtarëve të komunitetit romë/egjiptianë në parkun e liqenit", citon Avokati i Popullit.
Gjithashtu rekomandohet që të shmanget situata e dëbimit me forcë dhe ushtrimit të dhunës ndaj këtyre qytetarëve, në të kundërt, sipas Avokatit të Popullit, "do të përballemi me një situatë paligjshmërie, ku cënohen rëndë liritë dhe të drejtat e individit".
Avokati i Popullit i mbetet koherent qëndrimit se çdo opsion tjetër i ofruar jashtë këtyre parimeve dhe standardeve ndërkombëtare, nuk mund të konsiderohet si një zgjidhje afatgjatë, e qëndrueshme dhe e përshtatshme për këtë komunitet.
"Zhvendosja e familjeve rome/egjiptiane nga parku i liqenit, e cila nuk respekton parimet e sipërcituara dhe që përjashton këtë komunitet nga komunikimi, informimi dhe pranimi i zgjidhjes së ofruar me marrëveshje nga vetë anëtarët e këtij komuniteti përbën thjesht dhe vetëm një situatë dëbimi me forcë, që shkel rëndë të drejtat e tyre", thuhet në njoftim./m.m/