Avokati i Shtetit Alma Hicka Kallezimi i KLSH-se nje histori politike pa asnje reference ligjore

TIRANË, 15 Tetor/ATSH-Anila Struga/.- Avokatja e Shtetit, Alma Hicka, reagoi të enjten pas kallëzimit penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit ndaj qeverisë për çështjen CEZ, duke e konsideruar "një histori politike", ndërsa procesin e auditimit të KLSH-së 'pa asnjë kompetencë profesionale e referencë ligjore'.
Përmes një deklarate për shtyp, Avokatja e Shtetit thotë se kallëzimi ndaj këtij institucioni u publikua në media, përpara se të arrinte raporti përfundimtar i kontrollit.
"Nuk ia vlen asnjë fjalë për kompetencën e këtij të ashtuquajturi auditim me pasojë një të ashtuquajtur kallëzim. Por, duhet të them dy fjalë për thelbin e kësaj historie politike që ka prodhuar aktin e ulët të këtij procesi auditimi pa asnjë kompetencë profesionale e referencë ligjore. Ju siguroj se çdo njeri me pak mend dhe dy pare zanat nuk do mund të shpjegonte se si janë zgjedhur individët e kallëzuar, përfshirë edhe mua personalisht, kur grupi i punës për negociata përbëhej nga rreth 15 persona", thotë në deklaratë Avokatja e Shtetit.
Akuzat për mua, të nisura një vit më parë në sallën e Kuvendit, u përshkallëzuan me përfshirjen e studios Clifford Chance në çështjen DIA, ndërkohë që është tërësisht e qartë dhe publike që kjo çështje nuk u ndoq asnjëherë në arbitrazh nga Avokatura e Shtetit.
Duke e njohur në qelizë materien e gjithë çështjes CEZ, vijon më tej deklarata e Avokates Hicka, dua të shpresoj se engjëjt e sotëm do të përgjigjen përpara drejtësisë për djallëzitë e djeshme.
"Shkaktarët e vërtetë të dëmeve ndaj interesave të shtetit që në përfundim janë interesat tona të përbashkëta, duhet të hetohen e të marrin atë që u takon nga drejtësia. Si profesioniste mund të them me siguri se çështja CEZ e ka gjenezën tek mënyra e privatizimit, tek marrëdhëniet klienteliste me investitorin gjatë qëndrimit të tij këtu dhe tek ekseset e paligjshme të epilogut të një marrëdhënieje të sëmurë Shtet - CEZ. Këto janë shkaqet që prodhuan përfundimisht dështimin e privatizimit. Shpresoj që Prokuroria të gjejë kurajën, t'i jap fund një herë e mirë kallëzimeve politike duke vendosur si një standard të punës së saj të përditshme marrjen në përgjegjësi penale të kallëzuesve të rreme, si e vetmja zgjidhje për të frenuar përdorimin e saj për sulme të mirëfillta politike", përfundon deklarata e Avokates së Shtetit, Alma Hicka. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama