Dënimi i Skënderbeut është i lidhur me shumë hije dyshime. Në fillim, u mbajt i fshehur ndëshkimi prej plot 5 vitesh pezullim në shkallën e parë të gjykimit në UEFA. Një skandal që mbi të gjitha përfshiu Federatën Shqiptare të Futbollit. Më pas, u mor vendimi i Apelit, ku dënimi u ul ndjeshëm, duke zbritur në vetëm një vit pezullim.
Sërish ka shumë pikëpyetje, pasi dënimi u bë i ditur nga klubi korçar, por as UEFA dhe as Federata nuk janë shprehur mbi këtë gjë, edhe pse bëhet fjalë për një ngjarje shumë të rëndë për futbollin shqiptar. Nga ana e kampionëve të Superiores garantohet se do fitojnë pafajësinë në KAS. Madje, prej disa ditësh përflitet se kanë punësuar një zyrë prestigjioze avokatie, me eksperiencë për çështjet sportive të Arbitrazhit.
Madje, u përfol edhe se ishte arritur një marrëveshje për t'u përfaqësuar nga Antonio Rigoci, avokati që mbrojti Shqipërinë në KAS, duke fituar gjyqin kundër UEFA-s, që u dha edhe fitoren në tavolinë kuqezinjve. Duke kërkuar më tepër qartësi mbi mbrojtjen dhe ecurinë gjyqësore të klubit shqiptar,
"Panorama Sport" kontaktoi nëpërmjet "email"- it me avokatin e njohur, i cili ka mohuar të jetë personi që do përfaqësojë korçarët. Në përgjigje të pyetjes nëse ai do mbronte Skënderbeun në KAS, Rigoci u përgjigj: "Ju falënderoj për 'e-mail'-in tuaj dhe e vlerësoj deontologjinë (etikën) tuaj. Unë nuk e përfaqësoj Skënderbeun", ishte përgjigjja e Rigocit.
Në fakt, edhe pse u përfol se klubi juglindor i Shqipërisë priste një vendim nga KAS, para se të hidhet shorti i Champions-it, së fundmi u mësua se nuk është dorëzuar ende ankimimi i dënimit nga Apeli i UEFA-s me një vit. Kjo për shkak se KAS e kishte të pamundur që të shprehej brenda afatit që mund të shpëtonte pjesëmarrjen e korçarëve në Ligën e Kampioneve.
Gjithsesi, ndërsa media mundohet të zbulojë të vërtetën e fatit të Skënderbeut, për të pasqyruar sa më shumë informacione për tifozët korçarë, FSHF-ja vazhdon të jetë "në gjumë", ose të mos shprehet, për një nga dënimet më të rënda të UEFA-s për një klub shqiptar.