Skënderbeu është me sytë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, aty ku pret të fitojë nderin e humbur. Nga burime të sigurta në klub, më- sohet se përmes studios ligjore "Levy Kaufmann Kohler" dhe pikërisht avokatit Antonio Rigoci, korçarët janë të bindur se do të hedhin poshtë akuzat e UEFA-s.
Njeriu që ka mbrojtur çështjen e Shqipërisë në KAS pas ngjarjeve të Beogradit ka pranuar të marrë përsipër mbrojtjen e Skënderbeut, pas përfaqësimit në të dy shkallët e UEFA-s, prej ku nga Apeli ka dalë edhe dënimi me një 1 vit mospjesëmarrje në Europë. Pasi klubi është konsultuar me përfaqësuesin e tyre ligjor, pikërisht avokatin Rigoci, ka qenë ky i fundit që në përputhje me dënimin e marrë nga UEFA u ka siguruar drejtuesve se ankimimi në KAS ishte gjëja më e mirë që mund të bëhej në këtë moment.
Burime të "Panorama Sport" bëjnë të ditur se Rigoci i ka dhënë besimin presidentit Takaj se në KAS do të jetë klubi bardhekuq ai që do të dalë fitimtar. Në këto, pas garancisë së avokatit të njohur, klubi ka vendosur të nisë përgatitjet si zakonisht për fazën paraeliminatore të Ligës së Kampioneve. Natyrisht që e gjithë kjo çështje ka një kosto për klubin e Skënderbeut, që duhet të përballojë edhe shpenzimet e mëdha, përveç vonesës së përgatitjeve në rast se sigurohet pjesëmarrja në Champions.
Burime të gazetës pranë klubit bëjnë me dije se për çështjet në UEFA, Skënderbeut i ka kushtuar mbrojtja ligjore rreth 20 mijë euro shpenzime. Tani që çështja do të kalojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportive në Lozanë, Skënderbeu mendohet se do të shpenzojë në total rreth 50 mijë euro për të gjithë shkallët. Natyrisht këtu përfshihet vetëm pagesa e studios ligjore dhe avokatit që po merret me çështjen. Në Korçë kanë bindjen se do të jenë ata që si zakonisht do të përfaqësohen në Champions, edhe pse duhet pritur vendimi i KAS-it, që në fakt mund të vonojë disi.
Megjithatë, nisur nga fakti se shorti i Kupave të Europës hidhet më 20 qershor, nuk përjashtohet mundë- sia që ankimimi i Skënderbeut të shqyrtohet më parë nga çështjet e tjera, të cilat mund të presin në krahasim me rastin e klubit shqiptar.
Llazi Saro