Azia Korete shkembejne zjarr artilerie ne det

Azia: Korete shkembejne zjarr artilerie ne det

Koreja e Veriut hodhi më shumë se 100 predha artilerie në ujërat e Koresë së Jugut si pjesë e një stërvitjeje dhe Jugu iu përgjigj gjithashtu me zjarr, njoftuan zyrtarët në Seul, por stërvitja duket se qe më shumë një nxjerrje shpate nga Piongiang sesa fillimi i një përplasjeje të vërtetë ushtarake.

Veriu pati njoftuar synimet e veta për të kryer stërvitjen në përgjigje ndaj vendimit të OKB-së për të dënuar lëshimin e raketave me rreze të mesme nga ky shtet.

Koreja e Veriut akuzoi gjithashtu Jugun për “sjellje gangsterësh” pas asaj që e quajti “rrëmbim” të njërës prej varkave të saj të peshkimit dhe kërcënoi me hakmarrje. Jugu tha se ka dërguar pas varkën, pasi ajo hyri në ujërat e saj territoriale.

Më shumë se 100 predha artilerie të veriut nga 500 të hedhura ranë në ujërat e Koresë së Jugut, gjë që i shtyu marinsat nga Jugu të hapin zjarr me më shumë se 300 predha drejt ujërave të Veriut.

Seuli ngriti në ajër avionët e vet F-15 në anën e saj të kufirit detar. “Ne besojmë se zjarri i Veriut qe një provokim i planifikuar dhe një përpjekje për të testuar vendosmërinë e ushtarakëve tanë për të mbrojtur Linjën Veriore të Limitit”, njoftoi Koreja e Jugut. Kjo është një vijë detare e përcaktuar në fund të Luftës së Koresë të viteve 1950-53 dhe Veriu nuk e njeh atë. Të dyja palët teknikisht vijojnë të jenë në gjendje lufte.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama