Azia kantieri gjigand i ndertimit

Azia, kantieri gjigand i ndërtimit
Për një shekull të tërë, Nju Jorku ka qenë qyteti i grataçielave, sinonim i qytetit vertikal. Nuk ngopej së rrituri drejt lartësive gjithnjë e më të mëdha të qiellit. Bëhej fjalë për një aventurë të madhe të bazuar te guri, çeliku e qelqi - dhe në dukje ishte i vetëm në këtë ngjitje drejt lartësive.

Në librin "Nju Jorku në Delir", arkitekti i ri holandez, Rem Kulhas, foli për "kolonizimin e qiellit". As edhe sulmet kundër kullave binjake në vitin 2001 nuk e pakësuan këtë zellin që ka ky arkitekt për qiellgërvishtësit. "Pavarësisht kësaj katastrofe", shkruan arkitekti, "grataçiela mbetet i vetmi lloj ndërtimi që u ka mbijetuar hoveve të shekullit XXI".

Kulhas ka të drejtë. Kulla ka mbijetuar si arkitekturë, por edhe si simbol. Përshtypja që shkakton horizonti i një qyteti vërehet si pasqyrim i prosperitetit të tij. Qiellgërvishtësit shërbejnë si shprehje e ngritjes ekonomike dhe konsiderohen si dëshmitare të adrenalinës së nivelit ekonomik.

Hidhini sytë nga Lindja

Por nga këndvështrimi perëndimor ky është tamam problemi. Megaqytetet në bum të plotë ekonomik - si Pekini, Shangai apo Dubai - ku grataçielat ekstravagante po mbijnë si të qenë kërpudha pas shiut, po bëjnë të vërehet qartë se qytetet si Nju Jorku po nisin të duken të vjetruar e të dalë nga moda. Në Evropë, qytetet lindore po shfaqen më moderne se ata të pjesës perëndimore. Qytete si Stambolli e Moska janë më dinamike se Londra, Parisi e Milano.

Perëndimi po e sheh me xhelozi këtë fakt, por njëherësh edhe i pafuqishëm për të hyrë në garë. Problemet në tregun financiar amerikan kanë sjellë shtyrjen apo anulimin e shumë projekteve arkitekturale dhe urbane.

Beteja për horizontin më të bukur, e cila zhvillohet që prej fillimit të shekullit të shkuar ka hyrë në një fazë të re. Dhe duket shpejt cili do jetë fituesi: Lindja e Mesme dhe Lindja e Largët. Nga pikëpamja stetike Katari dhe Kazakistani shpejt mund të jenë më të këndshme se Evropa apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi përpara një përplasjeje të qytetërimeve në planin arkitektonik. Një prej aspekteve më ironike të këtij zhvillimi është që, në shumë raste, është Perëndimi ai që prodhon arkitektët që gjenden në krye të këtij ndryshimi pozicionesh. Pasanikët e rinj dhe qeveritë që tani po mbushin grushtet me para u kanë dhënë dorë të lirë të bëjnë atë që nuk mund të realizojnë në vendet e veta.

Efekti i të mbeturit me gojëhapur

Megalomania e kësaj euforie kërkon më shumë se thjesht ndërtesa të larta. Ditët e sotme kërkohen forma nga më të pabesueshmet e sipërfaqe nga më të mrekullueshmet, struktura që duhet të bien në sy edhe nga distanca shumë të largëta. Efekti i "të lënit me gojë hapur" është në themel të të gjitha nismave të këtij lloji: përkthehet në struktura në forma lulesh, trofesh, tendash e trajtash të tjera aspak të zakonshme deri dje.

Arkitekti nga Hamburgu, Volkvin Marg, i cili bashkë me partnerin e tij, Meinhard Von Gerkan, drejton një biznes mjaft fitimprurës në Kinë, nuk është dakord me këtë tendencë drejt ndërtimit me forma që përfaqësojnë objekte të caktuara. Për Margun, këto "ndërtesa ikonë" janë krejtësisht pa domethënie sociale.

Piter Shveger, një tjetër arkitekt nga Hamburgu, arrin deri në atë pikë sa e konsideron tendencën aktuale si "Absurde, shpërthime të shëmtuara të arkitekturës skulpturale". Gjithashtu, nënvizon edhe impaktin në arkitekturën perëndimore, ku "ndërtesat kanë nisur të dizajnohen si të qenë produkte komerciale të afta të imponohen me agresivitet në treg". Ndërkaq, i përshkruan qiellgërvishtësit që ka dizajnuar vetë, siç janë dy Kullat Binjake për llogari të Moskës, si mjaft racionale.

Investitorët dhe bashkëpunëtorët e tjerë të këtij projekti janë rusë, ndërkohë që pjesa më e madhe e punëtorëve të ndërtimit janë kinezë. Me 500 metrat e saja, më e madhja ndër dy kullat, do hyjë në histori si ndërtesa më e lartë në Evropë. Por me sa duket nuk do mbetet e tillë për shumë kohë.

Çështje standardesh

Shveger sapo ka nënshkruar kontratën për dizajnimin e një parku të ri biznesi në Moskë. I gjithë projekti do të sigurojë 400 mijë metra katrorë hapësirë të përdorshme për zyra. Megjithatë, krahasuar me ndërtimet përreth, e gjithë kjo duket modeste. Për arkitektin, sasia gjigante e të gjitha ndërtimeve që janë në punë e sipër në Moskë është e vështirë "të kuptohet në formë të arsyeshme".

Shveger është mjaft kritik ndaj standardeve të ndërtimit në Rusi. "Shumë prej ndërtesave, nga pikëpamja teknologjike, janë dhjetë vjet mbrapa standardeve perëndimore", thotë. "Ndërtuesit as që e vrasin mendjen për probleme siç është eficenca energjetike".

Por ka edhe arsye të tjera shumë me vend për të kritikuar prirjen e sotme për të ndërtuar vertikalisht - estetike, ambientale dhe etike. Por shumë pak investitorë apo arkitektë e vrasin mendjen për çështje të tilla. Në vend të kësaj kërkojnë të hyjnë në histori përmes veprave të tyre dhe t‘i shohin me sytë e vet ndërtesat teksa gërvishtin qiejt.

Për Shvegerin, Kina është "shumë brutale" dhe nuk paraqet asnjë lloj interesi profesional. Aktualisht, është i përqendruar në ndërtimin e një koleksioni qiellgërvishtësish në Dubai, që janë pjesë e një projekti zhvillimi të njohur si "Perla e Dubait".

Ndërtimi lart e më lart

Rubai tashmë është kthyer në tokën e premtuar për spekulatorët e pasurive të paluajtshme. Thuhet se gjysma e vinçave të ndërtimit që ekzistojnë në gjithë globin sot gjenden në Dubai. Por a po shkruhet vërtet aty historia e arkitekturës?

Rubai përbëhet nga dy gadishuj në anën perëndimore dhe një seksion më i vjetër në anën lindore, mes të cilave gjendet një vijë rreth 1 kilometër e gjatë e mbushur me grataçiela. Një pjesë e këtyre grataçielave duken pak a shumë të njohura dhe aspak rastësisht. Shumë prej elementeve arkitektonike që janë përdorur në këto ndërtime janë të huazuara nga ndërtime të mëparshme - përfshi kullën e kambanës nga Sheshi i Shën Markut në Venecia apo harqet e argjendta të grataçielës "Chrysler" të Nju Jorkut.

Tabela gjigante gjenden kudo anës rrugëve që çajnë nëpër shkretëtirë. Ato njoftojnë udhëtarët për vizionet urbane që do shfaqen pas pak: Rançet Arabe, Kodrat e Emirateve, Lëndinat, Qyteti i Vjetër, që të gjitha në anglisht. Madje edhe emrat duken si të huazuar në Amerikë.

"Për të gjitha këto është paguar me paratë e fituara nga tregtia e naftës", thotë një zotëri i punësuar nga sundimtari i Dubait, "por jo me tonat". Emirateve tashmë u kanë ngelur pak rezerva nafte ende për t‘u nxjerrë dhe vetëm 4 për qind e të ardhurave aktuale ekonomike burojnë aktualisht nga tregtimi i naftës. Ndërkaq, ka krijuar një treg të jashtëzakonshëm pasurish të paluajtshme, e cila thith miliarda dollarë investime që në rast të kundërt do qenë derdhur në Nju Jork. Emërtimet në anglisht të ndërtimeve janë një prej provave të pakundërshtueshme të vullnetit të fortë që investitorët perëndimorë kanë për të investuar në këtë vend.

Ndërtimi poshtë e më poshtë

Situata në Perëndim është krejtësisht e ndryshme. Deri pak kohë më parë, të merrje hua nga bankat - madje edhe shumë të mëdha - ishte diçka relativisht e lehtë. "Nëse unë apo dikush tjetër kishte nevojë për para", shpjegon Donald Tramp, mbreti i tregut të pasurisë së paluajtshme në Shtetet e Bashkuara, "mjaftonte një telefonatë në bankë dhe t‘i nisnin menjëherë paratë me makinë. Gjendeshin sasi gjigante parash në pritje për t‘u përdorur".

Gjërat qenë kështu deri në çastin e shpërthimit të krizës financiare. Vetë kriza u shkaktua në vitin 2007 në shtetet e Bashkuara të Amerikës nga një treg i tejnxehur kredish bankare që qytetarët amerikanë kishin marrë për të blerë shtëpi e apartamente banimi. Që atëherë bankat e kanë shtrënguar shumë dorën. Për ironi është faji i industrisë së paluajtshme që tani është kaq e vështirë të marrësh kredi. Bumi mori fund.

Një prej viktimave më të mëdha të krizës së kredive është një kompleks në Las Vegas i quajtur "Cosmopolitan Resort Casino". Struktura prej 180 metrash e lartë tashmë ka përfunduar. Në hollin kryesor, presidenti i sipërmarrjes kishte menduar të vendoste robotë gjigantë (nëntë metra të lartë) që do të luanin në kitara po kaq gjigante këngën "Disco Inferno".

Sipas asaj që raportonte pak kohë më parë gazeta "Wall Street Journal", projekti tashmë i është drejtuar rrugës së falimentit. Një prej investitorëve kryesorë, "Deutsche Bank" e Gjermanisë rrezikon të humbasë plot një miliard dollarë.

Një tjetër shembull me përmasa të ngjashme mund të vërehet lehtë edhe në Los Anxhelos, ku ndërtimi i projektit "Grand Avenue" është shtyrë disa herë. Koleksioni i hoteleve, apartamente dhe kullave të shumta, me kosto prej 3 miliardë dollarësh, mendohej se do qe në gjendje të ////////////////////riviztalizonte qendrën e Los Anxhelosit. Kompleksi qe dizajnuar nga Renk O. Gehri, një tjetër emër i famshëm në skenën arkitektonike amerikane.

Punimet, fillimisht të planifikuara të nisnin dhjetorin që shkoi, tani janë shtyrë për në shkurtin e ardhshëm. Kompania që ka marrë përsipër ndërtimin "Related Companies" ia vë fajin për këto vonesa krizës që ka përfshirë tregun e pasurive të paluajtshme. Shumë shpejt një prej investitorëve - shoqëria "Calpers", fondi më i madh i pensioneve në Kaliforni - u tërhoq nga projekti. Tani ndërtuesit shpresojnë se aksionari kryesor i sipërmarrjes, familja mbretërore e Dubait, do të jetë më e arsyeshme në mënyrën si do e vazhdojë projektin.

Kohë të vështira

Edhe një prej projekteve urbane të Gehrit ka hasur vështirësi. Arkitekti i njohur u kontraktua për transformimin e një zone të harruar të Bruklinit në një perlë arkitektonike shumëfunksionale. Kostot e projektit "Atlantic Yards" - të cilin kryetari i Bashkisë së Nju Jorku, Maikëll Blumberg, e cilësoi si "arritje kolosale të kryer nga një prej arkitektëve më të mëdhenj" - preknin 4 miliardë dollarët. Por kërkesat për ambiente ishin të pakta dhe Gehri u detyrua të zvogëlonte përmasat e kullës më të madhe të kompleksit. Sipas ndërtuesve, punimet për një seri të komponentëve do të pezullohen.

Është një goditje e rëndë për Nju Jorkun. Kryetari i bashkisë kishte një plan për të rigjallëruar Manhatanin, zemrën e qytetit, me një fokusim special në anën perëndimore. Vizioni i tij përfshinte edhe ndërtimin e një stacioni modern trenash, e cila do të thoshte shndërrimin e zonës "Medison Skuer Garden". Por tani Blumbergu nuk di më ku t‘i gjejë 14 miliardë dollarët që nevojiten për ta shpënë në fund.

Plani origjinal gjithashtu përfshinte edhe shtrirjen ambicioze të qendrës "Jacob K. Javits Convention Center", edhe ky projekt që është lënë mënjanë. Ndërsa kërkimi i investuesve për distriktin e biznesit "Hudson Yards" - projekt të cilin njujorkezët e konsiderojnë "magallomaniak" - së fundmi u kthye në një sipërmarrje të sikletshme.

"Tishman Speyer", një kompani që operon në tregun e pasurive të paluajtshme, fillimisht kishte planifikuar të bashkëpunonte në një projekt me arkitektin e njohur amerikano-gjerman, Helmut Jahn. Por në mënyrë krejt të pashpjegueshme u tërhoq. Tani shoqëria "Related Companies" ka bërë përpara në këtë projekt duke e vërejtur si një mundësi historike. Mund të duhen edhe muaj për përpunimin e të gjitha kontratave dhe qartësimin e të gjitha pikave. Në fund të fundit, ky është qyteti që ka pasur historikisht për limit vetëm qiellin.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama