Azilkerkuesit- Kete jave mberrijne nga Gjermania dy avione me 195 shqiptare

Azilkërkuesit- Këtë javë mbërrijnë nga Gjermania dy avionë me 195 shqiptarë

- Ambasada gjermane në Tiranë: Në Gjermani nuk ka azil ekonomik; Shpenzimet për kthimin në atdhe duhet t'i paguajnë azilkërkuesit -

aeroportin-e-RinasitTIRANË, 11 Gusht/ATSH/- Ambasada gjermane në Tiranë njoftoi sot se gjatë kësaj jave, të mërkurën dhe të enjten, do të mbërrijnë në Aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas dy aviona charter me 195 azilkërkues shqiptarë.

Sipas njoftimit për shtyp të ambasadës gjermane, gjithçka është në kuadrin e aksionit të ndërmarrë nga institucionet gjermane për kthimin e përshpejtuar në atdhe të azilkërkuesve shqiptarë.

Të mërkurën, më 12 gusht në ora 15.50, mbërrin në aeroportin "Nënë Tereza" nga Kasseli (Hessen) një avion charter me 70 shqiptarë të dëbuar, ndërsa të enjten, më 13 gusht mbërrin në aeroportin "Nënë Tereza" një tjetër avion charter me 125 persona, të cilët do të kthehen vullnetarisht.

"Në Gjermani nuk ka azil ekonomik. Ndërkohë aplikimet për azil nga Shqipëria do të përpunohen më shpejt. Shpenzimet për kthimin në atdhe duhet t'i paguajnë azilkërkuesit. Ato janë më të mëdha se ndihma që marrin azilkërkuesit në Gjermani", thuhet në njoftim.

Bashkë me njoftimin për shtyp, ambasada gjermane dërgon dhe një email që ka marrë më 6 gusht nga një familje shqiptare, që kishte kërkuar azil në Gjermani, në të cilën shkruhet: "Përshëndetje, ne jemi një familje shqiptare. Para disa ditësh mbërritëm në Gjermani dhe aplikuam për azil në Mynih (München). Tre ditë më pas u transferuam në Eisenberg. Këtu po shohim se gjërat nuk janë ashtu si na thonin të tjerët kur ishim në Shqipëri. Duam të kthehemi përsëri në vendin tonë pasi kemi dy fëmijë të mitur dhe një grua të moshuar, të cilët qajnë gjithë ditën. Administrata e azilit këtu na thotë se duhet të presim katër javë dhe duhet të paguajmë vetë biletat e kthimit. Por ne i kemi shpenzuar të gjitha paratë për të ardhur këtu dhe ndërkohë nuk kemi marrë para ndihmë. Ajo çka duam është vetëm të kthehemi në Shqipëri. Ju lutem na ndihmoni!"./n.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama