Reforma e pensioneve dhe në sektorin energjik janë dy çështjet kryesore të cilave qeveria shqiptare duhet t’u japë zgjidhje në një afat sa më të shkurtër. Ky është rekomandimi i Bankës Botërore i bërë prezent në Shqipëri përmes shefes së zyrës së kësaj banke në Tiranë, Tahseen Saye, e cila u shpreh se duhen reforma në sektorin energjetik dhe të pensioneve, ndërsa nënvizoi si të rëndësishme zgjidhjen e çështjes së CEZ. “Aktualisht po vijojnë diskutimet midis shtetit dhe CEZ dhe presim që të gjendet një konsensus” tha Tahseen Sayed dje gjatë prezantimit të raportit ekonomik për Evropën juglindore.
Gjithashtu, në fjalën e saj, shefja e zyrës së Bankës Botërore, Tahseen Sayed, është shprehur se ka pritshmëri se rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë pozitive. Sayed tha po ashtu, se “ekonomia shqiptare ka nevojë për korrigjime fiskale dhe ka probleme strukturore”. Gjatë prezantimit ka folur edhe ekonomistja e Bankës Botërore për Shqipërinë, Hilda Shijaku, e cila është shprehur se rritja e ngadaltë ekonomike ka ndikuar në rënien e punësimit gjatë vitit 2013. “Gjatë viti 2013 rritja ekonomike ka qenë pozitive, por e ngadaltë. Ka pasur edhe goditje të cilat kanë ndikuar në rënien e punësimit. Rreziqet janë të larta, por mbetet kyç shpejtësia e zbatimit të reformave. Përmirësimi i likujditeteve për biznesin pritet të ndiko- jë pozitivisht në rritjen ekonomike”, u shpreh Hilda Shijaku.
Parashikimet për Shqipërinë
Rritja ekonomike gjatë vitit 2013 ishte pozitive, po me luhatshmëri gjatë vitit. Rritja u ngadalësua, ndërsa kërkesa e brendshme, ndërmjetësimi financiar dhe klima e biznesit mbetën nën presion. Pritjet janë për një rritje ekonomike më të lartë, por rreziqet e kahut të poshtëm janë të larta, çështje që lidhen me konsolidimin fiskal, sistemin financiar dhe reformat strukturore kërkojnë zgjidhje për një rekuperim gradual dhe reformat e filluara kërkojnë implementim të vendosur. Këto janë masat që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare gjatë këtij viti për të ruajtur stabilitetin makroekonomik të pasqyruara në raportin e Bankës Botërore në pjesë për Shqipërinë
Huaja
Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore pritet të firmosin të premten në Tiranë marrëveshjen e huasë 100 milionë dollarë që do të përdoret për Politikat e Zhvillimit në Modernizimin e Sektorit Financiar. Përfaqësues të lartë të Bankës Botërore do të jenë në Shqipëri për nënshkrimin e marrëveshjes financiare me qeverinë. Firmosja e saj në Tiranë vjen vetëm pak ditë pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore. Huaja ka si synim të forcojë sistemin rregullator financiar dhe regjimin mbikëqyrës si dhe të zbusë cënueshmërinë e sektorit bankar dhe jobankar. Huaja mbështet reformat në tre fusha të gjera, ku fusha e parë është rritja e sigurisë financiare, fusha e dytë përshpejtimi i zgjidhjes për kreditë e këqija si dhe fusha e tretë, rritja e aspektit rregullator e mbikëqyrës për institucionet financiare jobankare. .