Banka Botërore prezantoi paraditen e sotme raportin ekonomik për Europën Juglindore. Sipas këtij raporti, në vitin 2014 rritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2014 ishte 2.1 %. Ndërkohë parashikimi i kësaj banke për vitin e saponisur flet për një rritje prej 3% për ekonominë shqiptare. Banka Botërore vlerëson se ekonomia shqiptare ka shënuar kthesën e saj dhe se ndryshe nga vendet e eurozonës rritja e saj për 2015-ën do të jetë 3%. Kontributin kryesor këtu priten ta sjellin investimet në fushën e energjisë dhe fillimi i ndërtimit të gazsjellësit TAP.
Ellen Goldstein tha se lufta ndaj atyre që nuk paguajnë energjinë elektrike ka nisur të futë në shina jo vetëm sektorin energjetik, por edhe ekonominë shqiptare. Megjithatë ndryshe nga qeveria shqiptare, e cila mendon se çmimi i energjisë elektrike është ulur, Banka Botërore vlerëson se ai është rritur, por me të drejtë pasi i është afruar kostos së prodhimit. Por Banka Botërore thotë se rritja e disa taksave do të shtojë konsumin dhe do të japë kontribut pozitiv në ekonominë tonë.
Një nga financuesit e parë të qeverisë shqiptare për paratë që duheshin për të shlyer detyrimet ndaj biznesit, Banka Botërore pranon se kjo nisëm nuk ka dhënë efekt në uljen e kredive me probleme.
Banka thotë se pavarësisht rritjes se të ardhurave në buxhet qeveria duhet të përmbushë objektivin për të kryer në kohë investimet publike, të vijojë pagesën e detyrimeve të prapambetura, të rrisë efiçencën e shpenzimeve të saj.
Nga ana tjetër pritet një rënie e mëtejshme gjatë vitit të çmimit të naftës dhe bankat e huaja që operojnë në Shqipëri mund të ulin kredidhënien, kjo për shkak të krizës në eurozonë.