BBC kerkon falje per fyerjen ndaj shqiptareve ne Eurovizion

BBC kërkon falje për fyerjen ndaj shqiptarëve në Eurovizion
 "Lajmi i keq është se tani do të dëgjoni Shqipërinë. Kudo që jeni e po shikoni Eurovizionin është koha që të ikni. Çfarë? Ndoshta tashmë ju keni ikur", është shprehur Norton, ndërsa po prezantonte Kejsi Tolën, këngëtaren që përfaqësonte Shqipërinë në edicionin e 54-t të Eurovizionit.

Kjo ishte një deklaratë e hidhur për shqiptarët. Por, ndërsa brenda kufijve shtetërorë u përcoll më shumë si lajm, duke u përqendruar më tepër në performancën e këngëtares, kanë qenë shqiptarët që jetojnë në Angli ata që kanë ngritur zërin. Rreth 117 ankesa zyrtare kanë shkuar në BBC për Norton, ndërkohë që reagimet kanë vazhduar edhe në gazeta të ndryshme. Ndërkohë që 1200 firma janë hedhur në një peticion që dënonte veprimin dhe deklaratën e prezantuesit të njohur. Nisur nga kjo, televizioni BBC ka kërkuar falje për qindra shqiptarë që kanë ndjekur natën finale të Festivalit Evropian të Këngës.

Në forume të ndryshme, lajmi është bërë mjaft i komentueshëm. Një pjesë e dëgjuesve përpiqen t‘i gjejnë një justifikim kësaj deklarate në vetë natyrën e Norton, një komedian me profesion, i njohur edhe për batutat e tij. Por nuk mendojnë kështu shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët janë edhe më të ndjeshëm ndaj çështjeve shqiptare. "Pse duhet që një këngëtare shqiptare të jetë lajm i keq për Graham Norton?" - pyesin shqiptarët.

 Armend Elezi, një student shqiptar që studion për Ekonomi në Angli, në një ankesë drejtuar BBC-së shkruante: "Një shaka duhet të veçohet nga ngjyrimet raciale që mund të marrë". Kejsi Tola, me interpretimin e saj në skenën e Moskës, u rendit e 17-a nga 25 konkurrues të natës finale. E njohur si fituese e "Etheve", Tola mori pjesë për herë të parë në edicionin e 47-të të Festivalit të RTSH-së. Çmimi i parë i këtij festivali i dha të drejtë të përfaqësonte Shqipërinë në Eurovizion me këngën "Më merr në ëndërr", me tekst të Agim Doçit dhe kompozim të Edmond Zhulalit. Siç ka ndodhur dhe më parë, edhe ky edicion i Eurovizionit është kritikuar për formulën e votimit. Kryesisht pikët maksimale shkojnë për vendet fqinje, apo ato me të cilat marrëdhëniet diplomatike e politike janë të mira.



Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama