Edhe pse ka ende kohë për të kaluar e punë për të bërë deri në mbylljen përfundimtare të Zyrës së BBC në Tiranë, ata, pa u përpjekur aspak ta fshehin keqardhjen, edhe pse tregojnë se kanë ende shumë për të bërë në këto muaj që ju kanë mbetur, kanë filluar ta prezantojnë atë në kohën e shkuar. “Këtu ishte studioja qendrore nga ku transmetimet shkonin direkt drejt Londrës. Këtu ishte ambienti ku ishin vendosur gazetarët, këtu një tjetër ministudio ku punohej lirisht me transkriptimet e telefonatat pa ndërprerë punën në studion qendrore...”. Korrespondenti i vjetër i BBC në shqip, Fatos Ahmati, na tregon një nga një ambientet e kësaj zyre, të vendosura në katin e tretë të një pallati shumëkatësh në zonën e “ish-Bllokut”.
Zëri i tij radiofonik vjen pak më i dridhur kësaj here. Përveç këtyre ambienteve me të cilat ka plot 18 vjet që është familjarizuar, keqardhja e tij lidhet fort edhe me raportin e ngushtë me kolegët, të cilët tashmë i janë bërë më tepër se miq. Nuk kanë si të mos e ndiejnë që tani mungesën e pritshme të kafeve të mëngjesit e debateve apo bisedave që shoqëronin ato. “Unë nuk do të them më “Fatos Ahmati, BBC, Tiranë”. Do të më mungojë natyrisht kjo përshëndetje kaq e vjetër e imja para mikrofonit të studios sonë”, thotë ai, teksa kërkon miratimin e heshtur të mikut, kolegut të vjetër, Aleksandër Furrxhiut, pionier i zërit të BBC në shqip, i cili duket hapur se më me sportivitet e përjeton këtë “ndarje”. Aty, në studion qendrore të lajmeve, ku një buton i madh i kuq i vendosur në mur nuk do të pulsojë me “On Air”.
Për drejtorin Aleksandër Furrxhi, keqardhja më e madhe i takon marrëdhënies shumë të ngushtë me publikun besnik të studios që ai drejtoi për plot 18 vjet. Në fillimet e tij të transmetimit nënë valët e kësaj radioje, ai kujton jo pak edhe vështirësitë teknike. Si në ato të shumtat herë kur afronte kufjet e dëgjimit pranë receptorit të telefonit për të qenë pastaj në linjë direkte si zëri i BBC në gjuhën shqipe. Pastaj studioja i kaloi të gjitha etapat. Ai dhe Fatosi kujtojnë akoma kohën e shiritave, më pas të kasetave e deri sa erdhën tek dixhitalizimi.
Por bashkë me keqardhjen, ata ndihen njëkohësisht edhe mirë. “Sepse BBC në gjithë këto vite e krijoi dhe e kreu një mision. Ajo solli padyshim një shembull i cili frymëzoi jo pak media në Shqipëri. Ajo ishte një shkollë e vërtetë gazetarie për gjithë tregun mediatik në Shqipëri”. Pikërisht për këtë ata, në një farë mënyre, nuk besojnë se BBC në shqip do të shuhet. Sepse prej zyrës së saj kanë nisur rrugëtimin shumë gazetarë të njohur që sot drejtojnë zyrat e informacionit dhe janë titullarë në mediat më të fuqishme në Shqipëri. “Ajo do të fillojë të konvertohet në media të tjera, sikurse dhe ka ndodhur. BBC do të vazhdojë të flasë në shqip, thjesht jo më nën logon e saj”.
Në këtë pikë, nuk mund të rrinë pa përmendur kolegët e bashkëpunëtorët e tyre të ndushtë, pikërisht ata që kontribuuan në zhvillimin e punës, që u trajnuan në zyrat e gjigandit BBC dhe që sot janë titullarë dhe gazetarë të shquar të disa prej medaiave më të formatuara në vend. Dhe emrat janë të shumtë, nuk do të donin të harronin asnjërin prej atyre që shoqëruan punën 18-vjeçare të kësaj zyre. Korrespondentët Ilir Kadija e Jonuz Hallaçi, bashkëpunëtorët në vite si Aleksandër Çipa, Kristina Fidhi, Elert Yzeiri, Edmond Laçi etj., deri tek emrat më publik të ekraneve tona, të cilët janë trajnuar dhe kanë punuar për muaj e vite ndoshta pranë zyrave të BBC në gjuhën shqipe në Londër, si Adrian Krasta, Sokol Balla, Andi Bejtja, Lutfi Dervishi, Andrea Stefani e shumë emra të tjerë të rinj të gazetarisë shqiptare.
Nëse i pyet se çfarë kanë menduar të bëjnë pasi në zyrat e BBC në Tiranë të jetë fikur edhe butoni i fundit i transmetimit, pason një heshtje e lehtë, por aspak skeptike. Nëtyrisht, bashkë me punën, shumë zakone të tjera të të përditshmes së tyre brenda formatit BBC do të ndryshojnë, por ata e dinë mirë se në CV e tyre kanë tashmë një vulë të fortë që mban emrin e këtij gjigandi mediatik. Prandaj janë të sigurt se do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në media të tjera shqiptare. Gjithsesi, nuk harrojnë të kujtojnë se është ende herët për të folur për këtë. “Nuk parapëlqej të mendoj apo flas konkretisht për këtë që tani. Ne kemi ende shumë gjëra për të bërë. Kemi ende gjashtë muaj pune përpara që na pret. Kemi akoma projekte në vazhdim”. Thotë drejtori Furrxhi, sikur të dojë t’i shkojë pas shprehjes së vjetër popullore, “Ditë e re, kismet i ri”.
Pas ndërprerjes së transmetimeve në vitin 1967, zëri i BBC në shqip rikthehet në 28 shkurt të vitit 1993. Tashmë me një slogan të ri, “Ne thyejmë akullin informativ”, i cili u modifikua më pas në “Të besueshëm dhe krijues”. Me këtë slogan vazhdon ende puna e tyre edhe në këto pak muaj që u kanë mbetur. Sot, ata e dinë se nuk do të ketë më asnjë rikthim, por besojnë dhe janë të sigurt se kanë qenë të besueshëm dhe krijues.