Ministra nga 27 vendet anëtare, të cilët u takuan në Këshillin për Konkurrueshmërinë në BE, javën e shkuar i hodhën një sy të parë tekstit të Brukselit dhe e mbështetën idenë për të zhvilluar akses më të gjerë dhe më të shpejtë të botimeve shkencore për të ndihmuar kërkuesit dhe bizneset me rezultatet e kërkimeve të financuara nga fonde publike. Por jo të gjithë anëtarët janë entuziastë për idenë, pasi Britania e Madhe dhe Këshilli kanë paralajmëruar se aksesi i lirë ndaj të dhënave kërkimore mund të nxjerrë në pah problematika të tjera që lidhen me të drejtat e pronës intelektuale, çështjet e sigurisë dhe rregullat për mbrojtjen e të dhënave.
Megjithatë, ministrat e mbështetën propozimin e komisionit për të hapur aksesin e botimeve shkencore, në kuadër të programit për kërkimin “Horizon 2020”, ndërsa ranë dakord për nevojën e promovimit të standardeve të përgjithshme implementuese, duke përfshirë infrastrukturat ndërvepruese. Plani i Brukselit është parashikuar qershorin e kaluar. Është deklaruar se nga viti 2014 të gjithë artikujt e prodhuar me financime nga “Horizon 2020”, programi gjigant prej 80 miliardë eurosh për kërkimin, do duhen ose të bëhen menjëherë të aksesueshëm nga botuesit nën të ashtuquajturën ‘Skema e Artë’, me kosto publikimi të rimbursueshme nga komisioni, ose të bëhen të disponueshme përmes një depozite brenda gjashtë muajsh (ose 12 muaj për artikujt në shkencat sociale dhe humane), e njohur si Skema Jeshile.
Komisioni ka themeluar edhe OpenAIRE (Aksesi infrastrukturor për kërkimin në Europë ), i cili aktualisht identifikon mbi 27 mijë botime, 9500 prej të cilave janë me akses të lirë dhe 16.800 janë ende nën embargo. Brukseli ka inkurajuar që edhe shtetet anëtarë të përqafojnë të njëjtën qasje për kërkimin e financuar nën programet e tyre vendase.
Synimi ishte që 60 % e artikujve europianë të financuar nga fondet publike të jenë të aksesueshëm në vitin 2016, ka thënë Komisioni, duke kuotuar studime që tregojnë se pa një akses të shpejtë të literaturave të përditësuara shkencore, për sipërmarrjet e vogla apo të mesme duheshin edhe dy vjet më shumë për të sjellë produkte inovative në treg. Në atë kohë, vetëm 25% e kërkuesve i ndanin të dhënat në mënyrë të hapur. Mbretëria e Bashkuar ka bërë hapa përpara në këtë drejtim pas botimit të vitit të kaluar raportit të Finch, i cili u bëri thirrje të gjithë të interesuarve se të gjitha hulumtimet e financuara me fonde publike duhet të jenë të hapura.
Raporti rekomandon politika mbështetëse për botimet me akses të lirë të ‘Skemës së Artë’, ku botuesit marrin të ardhurat vjetore nga autorët në vend të lexuesve dhe kështu artikujt kërkimore bëhet lehtësisht të aksesueshëm për këdo, menjëherë pas publikimit.
Duket se Lëvizja për akses të lirë ka kapërcyer përpjekjet e botuesve për të mbrojtur makinerinë e tyre të të ardhurave. Sot, më shumë se 8000 revista me akses të lirë peer-revieë janë të disponueshme për këdo me një të lëvizur të kursorit. Pritet që aksesi i lirë i informacionit shkencor të ketë ndikim të madh në ekonominë europiane. Strategjia “Europë 2020” nënvizon rolin qendror të dijes dhe inovacionit në gjenerimin e rritjes ekonomike. Rezultatet kërkimore kanë nevojë të qarkullojnë shpejt dhe gjerësisht, duke përdorur median dixhitale. Kjo përshpejton zbulimet shkencore, bën të mundur forma kërkimi me të dhëna intensive dhe lejon që gjetjet e kërkimeve të merren sistematikisht nga bizneset dhe industritë europiane. Përfitimet e aksesit të lirë vlerësohen të jenë me qindra miliardë dollarë.
Gjithashtu, aksesi i hapur po rrit konkurrencën mes botuesve prestigjiozë shkencorë dhe ka nxitur krijimin e një botimi të ri shkencor, më pak të kushtueshëm dhe jofitimprurës.
Po kush përfiton nga aksesi i lirë i informacionit shkencor?
Përdoruesit direkt të artikujve kërkimorë janë kërkuesit e tjerë. Aksesi i lirë ndihmon kërkuesit, duke u dhënë akses në artikuj ku bibliotekat e tyre nuk janë të abonuar. Përfituesit më të mëdhenj do të jenë kërkuesit e vendeve në zhvillim, ku aktualisht disa universitete e kanë të vështirë të paguajnë abonim për botimet shkencore.
Edhe akademikët, studiuesit po ashtu edhe bizneset shqiptare mund të përfitojnë nga aksesi i lirë i informacionit shkencor, duke parë se situata e kërkimit shkencor në vend është ende shumë prapa krahasuar me vendet europiane. Këtë e ka pohuar vetë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj. Aksesi i lirë i informacionit shkencor mund të ndihmojë kërkuesit e qendrave dhe institucioneve kërkimore shkencore si edhe universitetet, duke u dhënë akses jo vetëm në artikujt peer-revieë apo revistat shkencore me një gamë të gjerë, nga shkencat ekzakte tek ato sociale e humane, por edhe të dhëna të papërpunuara kërkimore-shkencore, gjë që mund të çojë në rritjen dhe përmirësimin e kërkimit shkencor në vend.
Aksesi i lirë mbështetet nga një numër gjithnjë në rritje i universiteteve, qendrave kërkimore, botuesve, bizneseve dhe agjencive financuese në Gjermani, Angli, vendet nordike dhe përqark Europës. Vitet e fundit rritja e çmimeve të abonimit për revistat shkencore ka tkurrur buxhetet e bibliotekave universitare dhe institucioneve kërkimore. Edhe bizneset hasin probleme në aksesimin e informacionit të rëndësishëm shkencor. Aksesi i lirë shtrin arritjen e kërkuesve përtej rrethit akademik. Një artikull me akses të lirë mund të lexohet nga kushdo: një profesionist i fushës, një kërkues në një fushë tjetër, një gazetar, një politikan , një punonjës civil apo njerëz kureshtarë. Këta artikuj mund të gjenden me një kërkim në internet, duke përdorur çdolloj motori kërkimi ose ata të specializuar me literaturë akademike shkencore si OAIster apo Google Scholar. Aksesi i lirë do të bëhet metoda model në çdo vend për shpërndarjen e kërkimit në çdo fushë. Në mënyrë që kjo të ndodhë, universitetet dhe agjencitë e financimit duhet të zhvillojnë politika më efektive për aksesin e lirë. Por pritet ende punë e madhe në 10 vitet e ardhshme për të lejuar që nga aksesi i lirë të përfitojnë më shumë akademikë dhe kërkues, më shumë njerëz me kancer që duan të kuptojnë shkencën në sëmundjet që i prekin ata, më shumë mjekë që luftojnë për të ndalur përhapjen e AIDS-it në Afrikë.
Rruga drejt Aksesit të lirë
Komisioni Europian ka zhvilluar politika dhe masa për aksesin e lirë që prej vitit 2006.
Më 2007-ën u paraqit një peticion për aksesin e garantuar me rezultatet e kërkimeve të financuara me fonde publike, tashmë i firmosur prej 28 mijë institucioneve dhe individëve. Më 2008-ën, Komisioni prezantoi një projekt pilot për aksesin e lirë. Më 17 korrik 2012, nxori masa për përmirësimin e aksesit të informacionit shkencor të prodhuar në Europë. Komisioni propozon ta bëjë aksesin e lirë një parim të përgjithshëm të “Horizon 2020”.
Përfitimet
Aksesi më i gjerë dhe më i plotë i botimeve shkencore përshpejton inovacionin: sa më shpejt në treg, aq më e shpejtë rritja ekonomike. Adopton bashkëpunimin dhe shmang kopjimin, përmirëson rezultatet e kërkimeve të mëparshme, përfshin qytetarët dhe shoqërinë.
Shtylla e këtij projekti është shpejtësia e progresit shkencor dhe veçanërisht investimet publike që kanë një potencial të madh për të rritur produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe rritjen ekonomike. Shembujt e kërkimit tregojnë se kur kërkuesit përdorin akses të lirë, rritja e citimeve është domethënëse në disa disiplina ( për shembull mes 300% dhe 450% në mjekësi, mes 170-580 % në fizikë, astronomi dhe mes 200% dhe 600% në shkencat e agrikulturës).
E Arta dhe Jeshilja e kërkimit shkencor
Artikujt do duhen të bëhen menjëherë të aksesueshëm nga botuesit nën të ashtuquajturën “Skema e Artë”, me kosto publikimi të rimbursueshme nga komisioni, ose të bëhen të disponueshme përmes një depozite brenda gjashtë muajsh (ose 12 muaj për artikujt në shkencat sociale dhe humane), e njohur si Skema Jeshile.
Pro aksesit të lirë
- 100% qeveri, organizata financuese të kërkimit
-90% biblioteka, qytetarë, universitete dhe institute kërkimorë,
Kundra
-67% e botuesve
80 miliardë euro
Financimi i kërkimit shkencor nga BE për periudhën 2014-2020
60 % e artikujve europianë të financuar nga fondet publike të jenë të aksesueshëm në vitin 2016.
Më shumë se 8000 revista me akses të lirë peer-revieë janë të disponueshme për këdo me një të lëvizur të kursorit
28 mijë institucione dhe individë kanë firmosur peticionin për akses të lirë informacioni shkencor
Pritet që aksesi i lirë i informacionit shkencor të ketë ndikim të madh në ekonominë europiane. Përfitimet e aksesit të lirë vlerësohen të jenë me qindra miliardë dollarë
Edhe akademikët, studiuesit po ashtu edhe bizneset shqiptare mund të përfitojnë nga aksesi i lirë i informacionit shkencor, duke parë se situata e kërkimit shkencor në vend është ende shumë prapa krahasuar me vendet europiane.