BE Rusia dhe Ukraina rifillojne negociatat per gazin

BE, Rusia dhe Ukraina rifillojne negociatat per gazin

Ukraina, Rusia dhe Bashkimi Evropian do të marrin pjesë më 21 tetor në negociatat që do të zhvillohen në Berlin, për parashikimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve për gazin, para stinës së dimrit.

Bashkimi Evropian i propozoi dje Ukrainës dhe Rusisë organizimin e një takimi më 21 tetor në Berlin, ndërsa ministria Ruse e Energjisë njoftoi pranimin e datës për bisedimet tripalëshe.

“Pala ruse ka pranuar datën për zhvillimin e negociatave tripalëshe që parashikojnë të garantojnë sigurinë e tranzitit nëpërmjet territorit ukrainas nën formatin Rusi-Ukrainë-BE. Raundi i ri i negociatave do të zhvillohet më 21 tetor në Berlin”, theksoi Ministria ruse e Energjisë në një komunkatë.

Ndërsa kryeministri rus, Dmitry Medvedev, gjatë një takimi me ministrin e Energjisë në vend, Aleksander Novak deklaroi se Moska duhet të vijojë kërkimin e një kompromisi për furnizimin me gaz të Kievit. Dy politikanët ranëm dakord se rifillimi i furnizimit të Ukrainës me gaz mbetet thelbësor, raporton "RT".

“Kushtet e Ukrainës duhet të jenë të pranueshme dhe ky është synimi në takimin me Komisionin Europian”, deklaroi Medvedev, duke e nxitur ministrin e Energjisë që të rifillojë bisedimet me Ukrainën. Ndërsa Novak tha se u diskutua edhe agjenda e ristrukturimit të borxhit deri në fund të vitit.

Rusia, Ukraina dhe BE-ja nisën negociatat 3-vjeçare në Berlin në shtator, ku diskutuan “planin e dimrit”. Plani përfshin vendimin që Ukraina t’i paguajë “Gazprom-it” 2 milardë dollarë, si pjesë e borxhit të gazit, deri në fund të tetorit dhe një shtesë prej 1.1 miliardë dollarësh deri në fund të vitit për sasinë prej 5 miliardë kubikësh gaz. Megjithatë, dokumentet finale nuk janë firmosur ende dhe agjenda e pagesës mbetet ende e bllokuar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama