BE firmos marreveshjen e asociimit me Ukrainen

BE firmos marreveshjen e asociimit me Ukrainen

Udhëheqësit e Bashkimit Europian firmosën dje me udhëheqësit e Ukrainës marrëveshjen gjithëpërfshirëse të asociimit, e cila qëndron në thelb të konfliktit politik në Ukrainë dhe në përplasjen e egër mes Perëndimit dhe Rusisë. Marrëveshja u nënshkrua edhe për të treguar mbështetje për Kievin pas aneksimit të rajonit të Krimesë nga Rusia. Brukseli njoftoi gjithashtu sanksione të reja kundër Moskës.

 

Presidenti prorus i Ukrainës, Viktor Janukoviç, braktisi planin për nënshkrimin e marrëveshjes së asociimit me BE-në nëntorin e kaluar, gjë që shkaktoi protesta të ashpra në Ukrainë, deri në vrasjen e mbi 100 vetëve në përleshje në rrugë dhe rrëzimin e Janukoviç nga pushteti. Rrëzimi i tij nga pushteti u pasua me pushtimin e Krimesë nga ushtria e Rusisë, zhvillimin e një plebishiti në gadishull ku kërkohej bashkimi me Rusinë dhe aneksimi nga ana e Moskës.

 

Marrëveshja e Asociimit me BE-në është gjithëpërfshirëse, ajo synon përafrimin ekonomik, tregtar, kulturor e politik të Ukrainës me Bashkimin Europian, është bazë për heqjen e vizave për ukrainasit në zonën Shengen dhe përmban një marrëveshje të tregtisë së lirë, e cila përfundimisht pritet ta bashkojë Ukrainën me ekonominë e kontinentit.

 

Moska pati kundërshtuar ashpër gjatë vitit të kaluar idenë e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë mes Ukrainës dhe BE-së, dhe i kërkoi Kievit të hyjë në Bashkimin Doganor të disa ish-republikave sovjetike.

 

Presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, tha në një deklaratë se marrëveshja “pranon aspiratat e popullit të Ukrainës të jetojë në një vend të qeverisur nga vlerat, nga demokracia dhe nga sundimi i ligjit”.

 

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Jatseniuk, i cili mori pushtetin pas protestave, deklaroi se kjo është një “ditë historike”, duke shtuar: “Ne dëshirojmë të jemi pjesë e familjes së madhe europiane dhe ky hap i parë i jashtëzakonshëm do të bëjë që Ukraina të arrijë objektivin final, anëtarësimin e plotë”.

 

Ai shtoi se mënyra e vetme për t’u përballur me Rusinë është që të imponohet një barrë e vërtetë ekonomike.

 

Gazetarët në Bruksel thonë se ajo që u firmos dje gjithsesi nuk është paketa e plotë që Janukoviç refuzoi në nëntor dhe shumë pjesë të saj nuk do të firmosen deri pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të majit. Çështja më e rëndësishme e integrimit tregtar me BE-në pret ende ratifikimet finale.

 

Por BE tha se është e angazhuar të vijojë me paketën e plotë të bashkëpunimit me Ukrainë. Brukseli tha se do të vijojë me programin e bashkëpunimit edhe me dy ish-republika të tjera sovjetike – Gjeorgjinë dhe Moldavinë, këtë verë.

 

Moska ka trupa ushtarake në një pjesë të Gjeorgjisë dhe të Moldavisë. Njoftimi për afrimin me këto dy republika ka gjasa të zemërojë Rusinë më shumë se sa sanksionet e vendosura deri tani.

 

BE anuloi edhe një samit me Rusinë që pritej të zhvillohej në qershor dhe njoftoi se vendet anëtare do të anulojnë samitet dypalëshe.

 

 

 

Kriza e Ukrainës

 

21 nëntor 2013: Presidenti Viktor Janukoviç braktis marrëveshjen me BE-në

 

Dhjetor: Protestuesit proeuropianë pushtojnë Bashkinë e Kievit dhe Sheshin e Pavarësisë.

 

20-21 shkurt 2014: Së paku 88 njerëz vriten në përleshje në Kiev.

 

22 shkurt: Janukoviç arratiset; Parlamenti e shkarkon.

 

27-28 shkurt: Njerëz të armatosur prorusë pushtojnë ndërtesat kryesore në Krime. Parlamenti nën rrethim emëron një kryeministër prorus, Sergei Aksionov.

 

6 mars: Parlamenti i Krimesë voton bashkimin me Rusinë.

 

16 mars: votuesit e Krimesë zgjedhin të ndahen nga Ukraina në referendum.

 

17 Mars: Krimeja shpall pavarësinë dhe aplikon formalisht për bashkim me Rusinë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama