Në takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, pasi shprehu urimet për marrjen e statusit kandidat, theksoi se në këtë vizitë vjen me mesazhin se “Unioni është gati ta shohë Shqipërinë si një anëtar të ardhshëm.”
Barroso nënvizoi se statusi i vendit kandidat i çon në një nivel të ri marrëdhëniet me BE-në, por njëherësh shënon edhe fillimin e një periudhe sfidash, si modernizimit i vendit, zhvillimi ekonomik, konsolidimi i shtetit ligjor dhe luftë kundër krimit e korrupsionit. “Komisionin Europian”, garantoi ai, “do ta keni në krah dhe do ju mbështesë në të gjitha përpjekjet tuaja”.
Rama theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat për qeverinë shqiptare është një moment që i ngarkon një përgjegjësi të re, më të lartë, ndërsa intensifikon përpjekjet për zgjerimin dhe thellimin e reformave transformuese dhe modernizuese të vendit. Presidenti i KE-së shprehu gjithashtu, falënderimet e tij dhe të Komisionit për rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe qasjen e qeverisë shqiptare në marrëdhëniet rajonale.
Në këtë pikë, Rama foli dhe për vizitën e tij të ardhshme në Beograd. “Presidenti është entuziast për një hap të ri të zhvillimit të marrëdhënieve rajonale, për vizitën që unë do kryej në Beograd, për të marrë një rol të ri, të bashkëpunoj me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit”, u shpreh Rama.