Kancelarja gjermane, Angela Merkel, të shtunën e kaluar më 7 qershor ka bërë të ditur se, do të organizojë një konferencë të profilit të lartë, dedikuar integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
"Gjermania do të ftojë të gjitha shtetet e Ballkanit në një konferencë, e cila do të zhvillohet në fund të gushtit. Qëllimi i kësaj konference është që të mbështesim njëri-tjetrin drejt të ardhmes së përbashkët", tha Angela Merkel në mesazhin e përcjellë në lidhje me konferencën. “Deutsche Welle” ka bërë të ditur se takimi do të zhvillohet më 28 gusht dhe ftesa u është çuar jo vetëm vendeve të Ballkanit, por edhe shteteve anëtare të BE-së, Kroacisë dhe Sllovenisë.
Një Takim i tillë i Nivelit të Lartë me vendet e Ballkanit është mbajtur në Selanik para një viti, kur Greqia kryesonte Presidencën e BE-së. Që nga ajo kohë Mali i Zi dhe Serbia kanë marrë dritën jeshile për të filluar negociatat e pranimit në BE, Maqedonia është një vend kandidat, ndërsa Shqipëria pret të marrë statusin e kandidatit. Bosnja-Hercegovina është një nga vendet që ka mbetur prapa, sa i takon integrimit. Ndërsa, statusi i pazgjidhur ndërkombëtar i Kosovës e bën Bashkimin Evropian me ‘dhimbje koke’. Disa ekspertë thonë për “EurActiv” se kjo konferenca është një sinjal i mirë për të trajtuar punën e pambyllur në Ballkan
Ata thonë se edhe në kuadër të krizës së fundit në Ukrainë, kur dihet se Rusia është partner strategjik për disa vende në Ballkan, kjo konferencë merr domethënie të veçantë. Por, kjo konferencë ka ndezur një debat në Kosovë, pasi dy ditë përpara zgjedhjeve, zyra e kryeministrit në detyrë tha se Merkel kishte ftuar Thaçin në Berlin Por “Koha Ditore”, duke cituar një zëdhënës të Berlinit, shkruan se ftesa do u dërgohet qeverive të shteteve të Ballkanit.