Komisioni Evropian i ka kërkuar Shteteve të Bashkuar të Amerikës që të heqë vizat për Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, Qipron dhe Kroacinë, qytetarët e të cilëve aktualisht duhet të pajisen me viza që të futen në SHBA. Qytetarët e shumicës së shteteve të Bashkimit Evropian udhëtojnë pa pasur nevojë për viza, për të shkuar në shtetet të cilat bëjnë pjesë në shtojcën e Këshillit të Rregullimit nr 539/2001. Por qytetarët e disa shteteve që sapo janë futur në BE, akoma kanë nevojë për viza për të shkuar në shtete të tilla si SHBA, Kanada apo Australi, raporton “EurActiv”.
Një rregullore, e cila hyri në fuqi më 20 dhjetor, kërkon që vendet e BE-së të reagojnë së bashku për çështjen e vizave, sidomos në rastet kur vendet e huaja kanë një trajtim ndryshe për qytetarët e BE-së. BE-ja kërcënon SHBA-të se nëse brenda gjashtë muajve ky problem nuk është zgjidhur, atëherë ajo do të kthejë vizat për diplomatët amerikanë. Nga ana e tyre, diplomatët thonë se ata do të vazhdojnë të negociojnë, në mënyrë që ky problem të zgjidhet.
Sipas rregullores, Komisioni Evropian mund t’i pezullojë përkohësisht vizat evropiane për shtetet e huaja, në qoftë se këta shtete nuk heqin vizat për qytetarët e BE-së. Komisioni e ka bërë një paralajmërim të tillë edhe më parë, ku deklaroi se nëse Washington-i nuk heq vizat individuale për shtetasit e BE-së, BE-ja do të rikthejë vizat për diplomatët amerikanë.