BE shpalos vizionin per te ardhmen e Eurozones

BE, shpalos vizionin per te ardhmen e Eurozones
Vizioni - Autoritetet europiane kanë shpalosur vizionin për të ardhmen, që u jep atyre kompetenca shumë më të mëdha. Aty përfshihet edhe krijimi i “një thesari europian”
Propozimet - Janë pjesë e një plani ambicioz për ta shndërruar Eurozonën në “një union fiskal” më të ngushtë, duke i dhënë Brukselit më shumë pushtet
Qëllimi - Van Rompuy tha se “ky dokument nuk ka për qëllim të jetë një projekt përfundimtar”, por se ai pret “të arrihet mirëkuptimi i përbashkët në rrugën që kemi përpara”

Autoritetet europiane kanë shpalosur vizionin e tyre për të ardhmen, që u jep atyre kompetenca shumë më të mëdha.

Aty përfshihet edhe krijimi i “një thesari europian”, i cili do të ketë kompetenca mbi buxhetet kombëtare. Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso, tha se ky ishte “një moment vendimtar për integrimin europian”. I përshkruar si një plan 10-vjeçar, ai është projektuar për të forcuar më shumë Eurozonën dhe për të parandaluar krizat në të ardhmen, duke qenë se një pjesë e vendeve të Bashkimit Europian po ballafaqohen me problemin e krizës së borxheve. Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mervyn King, shprehu shqetësimin rreth përgjigjes së fundit të autoriteteve europiane. “Jam pesimist dhe i shqetësuar, sepse për më shumë se dy vjet e kemi parë situatën në Eurozonë të përkeqësohet dhe problemin që nuk po gjen zgjidhje”, tha ai në një seancë në Parlament.

Dokumenti i fundit, i titulluar “Towards a Genuine Economic and Monetary Union”, u prezantua nga Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy dhe u hartua me presidentët e Komisionit Europian, Eurogrupit dhe Bankës Qendrore Europiane. Presidenti i Këshillit të Europës, Van Rompuy, tha se “ky dokument nuk ka për qëllim të jetë një projekt përfundimtar”, por se ai pret “të arrihet mirëkuptimi i përbashkët në rrugën që kemi përpara”, në Samitin e BE-së të enjten dhe të premten.

Propozimet janë pjesë e një plani ambicioz për ta shndërruar Eurozonën në “një union fiskal” më të ngushtë, duke i dhënë Brukselit më shumë pushtet, për të vepruar si një “ministri e financave” për të 17 anëtarët e unionit monetar. Këto propozime do të prezantohen në Samitin e BE-së, në të cilin nënvizohen edhe planet për unionin bankar dhe atë politik. Berlini, në fakt, kërkoi kontrolle më strikte për buxhetet kombëtare dhe kjo duket si një përpjekje për ta detyruar qeverinë gjermane të mbështesë eurobondet. Megjithëse projektpropozimi nuk flet për eurobondet, ai sugjeron hapa të përkohshëm, si studimin e borxhit afatshkurtër.

Propozohet edhe krijimi i një Banke të BE-së, e cila do të mbikëqyrë të gjitha bankat e Eurozonës. Masat shkojnë përtej planeve të paraqitura nga Komisioni Europian, vitin e kaluar, që i jepnin Brukselit pushtetin për të rishikuar buxhetet përpara se këto t’i paraqiteshin Parlamenteve kombëtare, por jo autoritetin për të diktuar ndryshime. Këtë javë, disa tregje ranë ndjeshëm nga frika se udhëheqësit e BE-së në samit do të dështojnë për të rënë dakord për masat afatshkurta si përpjekje për të frenuar krizën aktuale. Frika e investitorëve pas kërkesës së Qipros për ndihmë është rritur ndjeshëm. Qipro u bë vendi i pestë, që kërkon një plan shpëtimi, duke përmendur ekspozimin e bankave të saj, përballë krizës në Greqi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama