Kur nuk është bërë ende një muaj nga ulja e normës së interesit të lekut në 3.25 për qind, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur ta çojë atë në 3 për qind. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në një dalje para mediave pas mbledhjes së Këshillit, e bëri me dije këtë vendim. Në argumentin e guvernatorit kjo bëhet në një kohë kur presionet inflacioniste janë të dobëta dhe kur ekonomia parashikohet të jetë nën potencialet e saj. “Kërkesa agregate dhe rritja ekonomike parashikohet të mbeten nën potencial, duke u shoqëruar me rritje të ngadalta të kostove të prodhimit dhe të çmimeve të konsumit. Po kështu, presionet inflacioniste nga tregu i huaj pritet të jenë të ulëta dhe në rënie”, tha guvernatori. Në fjalën e tij Fullani sinjalizoi edhe për ulje tjetër të normës për aq kohë sa objektivi i inflacionit 3 për qind nuk përmbushet.
Ulja e nëntorit në normën e interesit, sipas BSH, është transmetuar te normat e interesit të depozitave dhe më pak te kreditë. Por çfarë sinjalesh jep në fakt një zhvlerësim i tillë i lekut, i cili ka arritur në nivelet më të ulëta historike? E para lidhet direkt me një parashikim të zymtë të konsumit të brendshëm, i cili ka kohë që është në ngërç. Qytetarët nuk shpenzojnë, por kursejnë, dhe bizneset, për shkak të krizës, kanë ulur investimet. Zhvlerësimi i lekut nga ana e Bankës u mundëson qytetarëve dhe biznesit të kenë më shumë para në dorë dhe të kenë më shumë mundësi blerjeje, çka cilësohet si një instrument për të nxitur kërkesën. Nga ana tjetër, kjo mundëson kredi më të lira, që sërish janë një nxitje për investime si për qytetarët, edhe për bizneset, por deri më tani, pavarësisht politikës monetare liberale, transmetimi në ekonomi ka qenë minimal. E vetmja që ka përfituar nga ulja e normës së interesit të lekut ka qenë qeveria, dhe kjo do të vazhdojë të përfitojë edhe në vazhdim me këtë normë të re.
Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm qeveria parashikon që të ketë një deficit në nivelet e 950 milionë dollarëve, dhe nga këto 450 milionë dollarë janë borxh që do merren në tregun e brend-shëm. Dy janë instrumentet me të cilat qeveria operon për këtë borxh: bonot e thesarit dhe obligacionet. Rrjedhimisht, ulja e normës së interesit të lekut ndikon direkt në uljen e normës së interesit të bonove, çka bën përfituese direkt të kësaj qeverinë, e cila do të marrë një borxh me interesa të leverdishme.