Nga pikëpamja arktitekturore Budapesti cilësohet një kryeveper. Stili arkitekturor i ndërtimeve mjaft të bukura të këtij qyteti, i bazilikave dhe katedraleve, i kishave dhe objekteve të tjera të kultit, i kështjellave, muzeve, është më shume barok, neoklasik apo art-nouveau. Në tërësinë e vet Budapesti të krijon ndjesinë e fine-de siecle, në periudhën që përfshin revolucionin industrial dhe deri në fund të shekullit të 19-të, gjatë se cilës u ndërtuan shumica e godinave moderne të qytetit. Pothuajse çdo ndërtesë e Budapestit që gjendet në tërë gjatesinë e dy rrugëve qëndrore dhe në drejtim të “Andrassy ut”, si dhe parkun publik, kanë jo vetëm një arkitekturë të mrekullueshme, por janë edhe me ornamente, hollësi dhe detaje të pazakonta, shumë të bukura dhe tërheqëse, duke bërë që shumë godina, edhe pse madhështore dhe impozante, të duken plot hijeshi dhe finesë. Janë ndërtesa që mbartin një lloj romantizmi, një romantizëm që bëhet edhe më i bukur nga prania e lumit Danub, ndoshta lumi më i bukur në Europë, me të cilin janë te lidhur pazgjidhshmërisht qytete të tillë të bukur si Viena, Budapesti, Beogradi etj.
Budapesti ne rrjedhën e historisë
Historia e Budapestit nis, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ne vitin 1873 kur zona kondrinore borgjeze Buda dhe zona historike Obuda në anën perëndimore të Danubit u bashkuan me zonen fushore dhe industriale Pest në anen lindore te Danubit, duke krijuar atë që dikur quhej Pest-Buda. Por, duke u kthyer akoma më pas në histori, nënvizohet fakti se Romakët kishin një koloni të rëndësishme në zonën që quhej Aquincum. Dhe kjo zgjati deri në shekullin e 5-të, kur ata u detyruan të largohen andej nga Unni-të. Magjarët erdhën pothuajse një mijë vjet më vonë, por Buda dhe Pesti ishin më shumë si fshatra deri në shekullin e 12-të, kur tregetarë dhe çirakë u vendosën në atë zonë. Në fund të shekullit të 13-të mbreti Bela i 4-t ndërtoi një kështjelle në Buda, por mbreti Karoly Robert e solli oborrin mbretëror nga Vishegradi në Buda vetëm 50 vjet më vonë. Djali i Ludovikut të Madh, Nagy Lajos, nisi ndërtimin e një pallati të madh mbretëror. Por nëse kishte nga ata që donin të ndërtonin, nuk mungonin njerëzit që donin të digjnin dhe shkatërronin. (Për fat të keq historia e njerëzimit ka qenë e mbushur me reagime të tilla, ku nuk është ngurruar aspak për të djegur dhe shkatërruar kryevepra të ndërtuara nga njerezimi) Kështu, Mongolët dogjën Buden dhe Pestin ne periudhën 1241-1242, dhe pas kësaj nisën të shkatërrojnë dhe të ngrenë ndërtime të tjera, shumë prej të cilave rezistojnë edhe sot. Kur të dy qytetet, Buda dhe Pesti, ishin nën pushtimin turk humbën pjesën më të madhe të popullsisë së tyre dhe kur turqit u mundën nga apsburgët në fund të shekullit te 17-të, kështjella e Budës ishte vetëm gërmadha.
Më vonë, me revolucionin e vitit 1848, pastaj në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas gjatë revolucionit të vitit 1956, në qytetin e Budapestit u shkaktuan shumë shkatërrime. Pashë me sytë e mi fotografi të Budapestit të bombarduar gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, dhe nuk më shqiten nga kujtesa shkatërrimet barbare tek dy ndërtesa sombol të këtij qyteti të bukur: Kështjella madhështore dhe Ura SzechenyiChain, (quhet kështu në nderim të ideatorit të saj), që është ura më e bukur dhe më impresionuese e qytetit. Aq të shkatërruara ishin ato nga bombardimet e avionëve gjermanë, sa të duket e pabesueshme sesi menjeherë pas luftës njerëzit, me një pasion dhe talent të madh, zhdukën çdo gjurmë të shkatërrimit jo vetëm tek Keshtjella dhe tek Ura e madhe, por gjithandej në të gjithë qytetin. Ndërtimi i godinave të reja, por sidomos ruajtja dhe mirëmbajtja e atyre të vjetrave, të cilat janë me të vërtetë mjaft të bukura dhe mbresëlënese, e bejnë sot Budapestin një nga qytetet më elegantë të Europës.
Ja vlen të thuhet edhe diçka më shumë për këtë urë të magjishme. Kur ajo u ndërtua dhe filloi të funksionojë ne vitin 1849, ishte unike për dy arësye: ishte nyja e parë që bashkonte Budën me Pestin, ndërsa aristokratia, e cila nuk paguante taksa, ishte e detyruar që të paguante taksën e kalimit të urës, ashtu sikurse bënin të gjithë njerëzit e tjerë.
Madhështia dhe hijeshia e Kështjellës
Buda, kur e vështron nga Pesti, të mrekullon me gjelbërimin e jashtëzakonshëm dhe me disa ndërtime tejet të bukura, ku spikat dhe dominon me madhështinë dhe hijeshinë e saj Kështjella (Varhegy). Është mbresëlënëse sa për përmasat e saj ( e gjatë 1,2 kilometra dhe e lartë 170 metra), aq edhe për arkitekturën e bukur dhe mjeshtërinë e ndërtimit. Ajo që shumë kohë më parë u ndërtua për të qënë një pallat mbretëror, vazhdon të “mbretërojë” edhe sot e kësaj dite me “pushtetin” e madhështisë dhe hijeshisë së saj të rrallë. E vendosur aty, në kodrën buzë Danubit, kjo Kështjellë madhështore duket sikur “vigjëlon” gjithçka ndodh në të dy anët e Danubit, i cili gjarpëron përmes qytetit edhe ai me madhështinë dhe bukurinë e vet.
Kështjella e Budapestit të mrekullon me madhështinë dhe hijeshinë e saj jo vetëm kur e vështron nga jashtë, por edhe kur hyn nëpër mjediset e saj të brendshme. Të vizitosh mjediset e brendshme të kësaj kështjelle është njëlloj si të bësh një udhëtim nëpër histori, nëpër kohëra të largëta, shumë të largëta, aq sa habitesh sesi është e mundur që të jenë ruajtur aq mirë momumente dhe objekte të kohëve shumë të largëta. Pikërisht për vlerat e saj të rralla, të jashtme dhe të brendshme,kjo kështjellë është marë në mbrojtje nga UNESCO.
Ka shumë gjëra që të befasojnë në brendësi të kësaj kështjelle, por vizitori mbetet si i shtangur nga befasia unikale që i krijohet duke u endur nëpër katakombet e saj, të cilat arrijnë deri në 28 kiliometra! Këto katakombe, që janë rrugë misterioze të nëndheshme, u krijuan nga burime termale dhe flitet se turqit i përdorën për qellime ushtarake, ashtu sikurse flitet se gjatë Luftës së Dytë Botërore u perdorën për t’u mbrojtur nga bombardimet ajrore. Flitet, gjithashtu, se këto katakombe u përdorën edhe si një bazë ushtarake sekrete gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
Zona në të cilën është ndërtuar Kështjella rrethohet nga mure të trashë dhe përbëhet nga dy pjesë të ndara: qyteti i vjetër ku jetonin njerëzit e thjeshtë në periudhën e Mesjetës, si dhe pallati mbretëror, vendi ku fillimisht, në shekullin e 13-të, u ndërtua Kështjella. Duke e ditur se kjo Kështjellë është shumë e vizituar gjatë çdo dite nga qindra dhe mijra turistë të huaj, tregëtaret vendas, kryesisht ata të artizanatit, ekspozojnë me shumë kulturë mjaft nga punimet e tyre dhe ftojnë me shumë mirësjellje turistët që t’i blejnë ato.
Pallati mbretëror dhe muzetë
Vlera e veçantë e Kështjellës së Budapestit duket edhe tek fakti se tek pallati mbretëror, që gjendet brenda mureve të saj, ndodhen disa muze të rëndesishëm si dhe Biblioteka Kombetare. Ish pallati mbretëror (Budavari Palota) është shkatërruar dhe rindërtuar shumë herë gjatë shtatë shekujve të fundit, pamvarësisht se ne të kaluarën ai nuk u perdor shumë për këtë qëllim. Mbreti Bela i 4-t krijoi këtu banesën mbretërore në mesin e shekullit të 13-të, kurse mbretërit që erdhën më pas e ndërtuan përsëri, ose bënë shtesa në ndërtesën fillestare. Në vitin 1686 pallati mbretëror u shkatërrua në luftën kundër turqve. Apsburgët e ndërtuan sërish, por nuk qëndruan për shumë kohë atje.
Një nga muzetë që pasuron vlerat e pallatit mbretëror dhe të Kështjellës së Budapestit është dhe Muzeu Ludwig. Ky muze, i njohur edhe si Muzeu i Artit Modern, përmban vepra të artit modern amerikan, si dhe vepra të arstisteve modernë francezë, gjermanë dhe rusë të 50 viteve të fundit. Mes tyre dallohen dhe vepra moderne të arstistëve hungarezë të dhjetëvjeçarit 1990.
Galeria Kombëtare e Arteve Figurative ka një koleksion jashtëzakonisht të pasur me vepra cilësore arti, gjë që dëshmon zhvillimin e artit modern qysh nga shekulli i 10-të dhe deri në ditët e sotme. Koleksionet më të mëdha përmbajnë vepra arti nga periudha e Mesjetës dhe ajo e Rilindjes, skulptura të drunjta të stilit gotik si dhe piktura të mrekullueshme të artit barok qysh nga fundi i periudhës së Rilindjes. Në këtë muze të vertetë arti gjendet edhe një koleksion i rendësishëm me vepra të piktorëve dhe skulptorëve hungarezë të shekullit të 19-të dhe të shekullit të 20-të. Të shumta jane veprat e artit që të “rrëmbejnë” dhe të “gozhdojnë” përpara tyre, sikurse janë pikturat e Laszlo Mednyanszky që sjellin imazhe të gjalla dhe tronditëse nga lufta, portretet unikale të te Jozsef Rippl-Ro nai, apo pikturat me përmasa të jashtezakonshme të Tivadar Csontvary si dhe pikturat e të talentuarit Vilmos Aba-Novak.
Muzeu i Historisë së Budapestit, i njohur ndryshe edhe si Muzeu i Kështjellës (Var Muzeum), paraqet 2000 vitet e historisë së qytetit. Kjo histori e pasur 2000 vjeçare ndodhet e “vendosur” me shumë kujdes dhe shije në tre kate të pallatit mbreteror, i cili është shumë i pasur me materiale dhe eksponate të ndryshme. Hyrja për në dhomat e pallatit, i cili daton në shekullin e 15-të, gjendet në katin perdhes, ku janë vendosur eksponate të pallatit mbretëror qysh nga periudha e Mesjetës. Të tri sallat e bukura me harqe – njëra me derën e mrekullueshme me mermer të kuq dhe me emblemën e mbretëreshës Beatriçe, me pikturën e korbit dhe të unazës (emblema e bashkëshortit të saj. Mbretit Matthias Corvinus) – të çojnë tek Salla Gotike, tek qilari mbretëror si dhe tek devijimi i murit në shekullin e 14-të
Kurora e Shën Stefanit dhe Bazilika e famshme
Sipas legjendës, Asztrik, kryemurgu i manastirit të Benediktëve ne Pannonhalma, në anën perëndimore të Danubit, i cili paraqiti kurorën tek Shën Stefani si dhuratë nga ana e Papa Silvestro i Dytë ne vitin 1000, ligjëroi në këtë mënryrë qeverimin e mbretit të ri dhe konfirmoi mbretërinë e tij në Romë kundër Kostandinopojës. Kjo është një histori vërtet e bukur, por nuk ka asnjë lidhje, sikurse thuhet, me objektin që ekspozohet në ndërtesën magjike dhe madhështore të parlamentit. Kjo kurorë, me kryqin karakeristik të përkulur, zbukurimet dhe ornamentet e varura tek çdo anë e tij si dhe pllakëzat me Apostujt, datohet në shekullin e 12-të. Gjithsesi, ajo që është e rëndesishme dhe nuk ka asnjë pikë dyshimi është fakti se kurora e Shën Stefanit përbën simbolin e kombit hungarez.
Është e çdutitëshme se si edhe me simbolet shpesh ndodh i njëjti fat si me objekte të tjera shumë të vyera. Kështu, bëhet e ditur se kurora e Shën Stefanit u zhduk shume here gjatë shekujve, por asnjëherë nuk humbi, sepse pas çdo zhdukjeje, ajo rishfaqej në një kohë tjetër, sado që në disa raste zhdukja e saj ndodhi për një kohë tepër të gjatë. Duke iu referuar gjithnjë historisë, gjatë sulmeve të Mongolëve në shekullin e 13-të kurora ra ndërkohë qe po transportohej në një shtëpi të sigurtë... Qindra vite më vonë, saktësisht në vitin 1945, fashistët hungarezë që u arratisën nga ushtria sovjetike, e morën kurorën me vete në Austri. Odisea e kurorës së famshme do të vazhdonte edhe pas kësaj. Më në fund ajo ra në duart e ushtrisë amerikane, e cila e çoi atë tek Fort Knox në Kentaki. Më shumë se 30 vjet më vonë, saktësisht në vitin 1978, kurora u kthye në Hungari, në atdheun e vet. Kthimi i kurorës së Shën Stefanit në Hungari u bë me nderime madhështore, gjë që tregon fare qartë se sa i rëndësishëm është për hungarezët ky simbol i çmuar.
Fakti që të gjitha vendimet ligjore jepeshin “në emër të Kurorës së Shën Stefanit”, ajo u quajt si një simbol i gjallë dhe kështu vazhdon të cilësohet edhe në ditët e sotme.
Me emrin e Shën Stefanit nuk lidhet vetëm kurora që përbën simbolin e kombit hungarez, por edhe Bazilika e famshme e Shën Stefanit në qendër të Budapestit, jo shumë larg godinës magjike të parlamentit. Eshtë një ndërtesë madhështore, e bukur, tërheqee, joshëse, ndërtuar sipas stilit neoklasik, që qëndron hijerëndë vetëm disa metra larg ujrave të Danubit. Për ndërtimin e kësaj kryevepre të arkitekturës u nevojitën plot pesëdhjetë vjet. Ndërtimi i plotë i kësaj bazilike tepër interesante përfundoi në vitin 1905. Ka qënë, sipas historianëve, një ndërtim i mundimshëm, shpesh edhe me dhimbje të mëdha. Ndër ndërprerjet më të bujshme të ndërtimeve të kësaj bazilike përmendet ajo që cilësohet si “fiaskoja e vitit 1868”. Quhet kështu sepse pikërisht në atë vit u rrëzua dhe u shemb kubeja si pasojë e një shtërngate shumë të fuqishme. Një punë shumëvjeçare kishte shkuar dëm dhe ishte shembur sa hap e mbyll sytë. Tashmë nuk bëhej fjalë për ndërtimin vetëm të kubesë së shembur, por për rifillimin e ndërtimit të krejtbazilikës nga e para. Kështu u shemb gjithçka ishte ndërtuar deri në atë kohë dhe mbi gërmadhat rinisën ndërtimet, kësaj radhe me më shumë kujdes dhe vemëndje. Eshtë vështirë të imagjinohet se çfarë mundi, talenti dhe përkushtimi është treguar gjatë një gjysëm shekulli për ndërtimin e plotë të Bazilikës së Shën Stefanit. Atmosfera që krijohet brenda saj është magjike nga të gjitha pikëpamjet. Qetësia e shenjtë që mbretëron në hapësirat gjigande të bazilikës bëhet akoma edhe më e shenjtë nga gjithë ai shkëlqim dritash, ngjyrash dhe ari që mbulon çdo centimetër te bazilikes, sepse atje çdo kënd i saj është i punuar dhe i zbukuruar me ornamente nga më fantastiket.
Monumente, skulptura, muze, opera, teatro – Sa shumë vepra arti!
Bukuria, magjia dhe romantizmi i Budapestit qëndron edhe tek ekzistenca e shumë monumenteve, skulpturave, muzeve (janë dhjetra të tillë), teatrove (janë rreth 60 teatro në kryeqytet), Operas se famshme, kinemave, galerive të artit. Janë aq shumë, të dalin para syve në çdo vend që mund të ndodhesh në kryeqytetin hungarez, aq sa me të drejtë mund të thuhet se Budapesti është një “muze” gjigand arti, nisur edhe nga fakti se shumë ndërtesa të tij janë vepra të vërteta arti. Në këtë kuptim, edhe ndërtesa madhështore e parlamentit është një vepër e vërtetë arti, e cila në vetvete përbën një kombinim perfekt të stileve të ndryshme arkitekturore, si psh të stilit neo-gotik, neo-romantik apo neo-barok, duke e bërë atë një “vitrinë” të vërtetë arti të këtij qyteti vërtet mjaft të bukur.
Nëse flitet për monumentet, skulpturat apo veprat e tjera të artit, duhet përmendur qysh në fillim, pa asnjë dyshim, Sheshi i Heronjve. Eshtë një vend që të mrekullon me harmoninë e veprave të artit që e përbëjnë këtë shesh me emër në histori. Në qendër të tij lartësohet deri në 36 metra Monumenti Ushtarak, në majë të të cilit gjendet Engjelli Gavril, i cili mban në dorë Kuroren hungareze si dhe një kryq. Poshtë, në bazën e këtij monumenti mbresëlënës dhe impozant, gjendet Arpad dhe gjashtë udhëheqësit e Magjarëve, të hipur mbi kuaj, të cilët morën rrafshnaltën e Karpateve. Aty pranë gjendet edhe monumenti më impozant i kombit humgarez – një arkivol i zbrazët qe eshte në nderim të një prej njerëzve të rezistencës së revoltës së njohur të vitit 1956 kundër pushtimit sovjetik.
Në pjesën e pasme të monumentit, në krahun e djathtë dhe të majtë të tij, janë të vendosura skulpturat e mrekullueshme të 14 udhëheqësve dhe politikanëve më të shquar hungarezë – që nga mbreti Stephenon deri tek Lajos Kossuth. Aty, mes tyre, edhe një emër legjendar jo pak i njohur për ne shqiptarët – Janos Huniad, i cili udhëhoqi hungarezët në periudhën 1446 – 1452. I njohur për ne shqiptarët per faktin se heroi ynë kombëtar Skënderbeuka shkuar në ndihmë të ushtrisë së lavdishme të Huniadit në luftën kundër turqve. Eshte vërtet një emocion i bukur kur befas gjendesh përballë bustit të një heroi të një vendi tjetër, me të cilin para më shumë se pesëqind vjetësh ka patur lidhje heroi i vendit tend, dhe për të cilët kemi dëgjuar të flitet qysh kur kemi qënë fëmijë në bangat e shkollës. Ngjarje dhe vende të largëta befas të bëhen të afërta, aq sa arrin të kuptosh se bota nuk është aq e madhe sa shpesh krijojmë përshtypjen për të.
Por aty, në Sheshin e Lirisë, veprat e artit janë të pranishme gjithandej. Në anën veriore të sheshit ngrihet madhështor Muzeu i Arteve të Bukura. Vetë kjo godinë e mrekullueshme, e cila u ndërtuar në vitin 1906, është një vepër e bukur arti që të “fton” të vizitosh mjediset e saj të brendshme. Jam mrekulluar nga gjithçka pashë në të tri katet e këtij muzeu gjigand arti në dhjetra salla të tij. Bëhet fjalë për një koleksion të pasur, mbresëlënës, te mrekullueshëm, me vepra të spikatura arti, shumë prej të cilave, sidomos pikturat, mbajnë për autorë emra të dëgjuar mjeshtrish me famë botërore. Dhe nëse për Budapestin thuhet se është “nje Paris i Europës Qëndrore”, për Muzeun e Arteve të Bukura të Budapestit mund të thuhet se është “një Luvër i vogel”. Koleksioni i veprave të artistëve më të vjetër është ai më i ploti në këtë muze, me mijra vepra të piktorëve dhe akulptorëve të shquar holandezë, spanjollë, italianë, francezë, gjermanë, britanikë të periudhës nga shekulli i 13-të deri në shekullin e 18-të. Aty, në këtë muze, ndodhen, mes të tjerash, edhe shtatë piktura të piktorit të madh El Greko.
Duke u endur nga njëra sallë në tjetrën, i mrekulluar nga magjia e artit të krijuar në shekuj, vizitori mrekullohet edhe nga veprat e artit egjiptian dhe greko-romak, si dhe nga pikturat e shekullit të 19-të dhe të 20-të, pa lënë mënjanë edhe disa vepra të impresionistëve.
Vërtet, një pasuri e rrallë, nje muze të cilin do ta kishin zili zhumë vende.
Ndërsa del me mbresa nga më të bukurat nga Muzeu i Arteve të Bukura, përballesh, në anën tjetër të Sheshit të Lirisë, me Pallatin e Artit. Edhe nga jashtë ky Pallat është si i qëndisur, tamam si një vepër arti, ku shkëlqimi dhe hijeshia e tij të mbërthejne shikimin qysh në çastin e parë. U ndërtua në vitin 1896 dhe shërben si një vend për ekspozita të përkohëshme të artistëve hungarezë dhe të huaj të arteve të bukura si dhe të arteve të aplikuara.
Dhe, më në fund, Opera e Budapestit, e cila për mua përbën një nga kryeveprat e artit arkitekturor të këtij qyteti, skena magjike e së cilës është “dëshmitare”125 vjeçare e sa e sa shfaqjeve nga krijimet e famshme operistike. Ky pallat madhështor arti, vepër e arkitektit Miklos Ybl, që u ndërtua në vitin 1884, të magjeps me pasurinë e pabesueshme të koleksionit të veprave të artit që kanë gjithë mjediset e tij të brendshme, që nga salla me një zbukurim mahnitës, skena, vendet e spektatorëve nëpër të katër katet që formojne atë harkim dhe dekor të mrekullueshëm të krejt mjedisit të brendshëm të sallës së madhe, apo të shumë sallave të tjera. Të gjitha të bukura dhe të mahnitëshme, me zbukurime dhe ornamente ari, me shandanë mjat të bukur dhe me nje ndriçim rrezëllitës, me piktura murale te mrekullueshme, me buste të njerëzve të shquar që lidhen ngushtë me historinë 125 vjeçare të Operas së Budapestit.
- NGA Kleo Lati : Gazeta Shekulli