Floririn e shiste 28-vjeçari, në kërkim Fatmir Pjetri. Një milion dollarë vlente floriri që ka grabitur banda e “Babagjyshave” nga të gjitha vjedhjet e argjendarive që ka mundur të realizojë ndër vite. Një ditë pas arrestimeve të bujshme, pas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe policive në disa rrethe, në kuadër të zbulimit të grupit të hajdutëve, të cilët realizuar edhe grabitjen në TEG, para një viti, burime të policisë thanë se në total, kjo bandë kriminale kishte mundur të grabiste jo pak, por plot 25 kilogramë flori. E përllogaritur me çmimin, me të cilin shitet në tregun e zi, ku një gramë kap vlerën e 45 deri në 55 mijë lekë, në varësi të karatëve, shuma që vlente ari i vjedhur shkon në mbi 1 miliard lekë të vjetra.
Faktet i konfirmojnë për gazetën “Shqip” burime nga Policia e Shtetit, të cilat thanë se shitjet i realizonte Fatmir Pjetri, 28-vjeçari, nga Tirana, i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë që tashmë është në kërkim bashkë me D.K, 36 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë, si dhe S.K., 31 vjeç, banues në Kurbin. Ndërkaq, zbërthimi i mekanizmit dhe përbërjes së këtij grupi kriminal nisi nga vrasja e Miljan Elezit, i cili u gjet pa jetë përtej kufirit me Maqedoninë, ku disa dëshmi plotësuese hodhën dritë mbi këtë rrjet grabitësish. Banda kriminale drejtohej nga Ilir Kupa. Ky i fundit është një nga shqiptarët e arratisur nga burgu i Trikallasë në Greqi, ndërsa i mbijetoi edhe ndjekjes policore greke, para se të kryente disa vepra penale në vendlindje. Ai krijoi me shpejtësi një bandë që merrej me grabitje, madje me armë, ndërsa u arrestua rastësisht nga një patrullë policie, të cilës nuk i qëndroi. Pardje në pranga ranë Agusin Sula, 25 vjeç nga Durrësi, i dënuar më parë me 23 vjet burg për vjedhje me armë me pasojë plagosjen e dy personave në Durrës. Gjithashtu, Sula ka qenë i dënuar në Greqi për vjedhje me armë. I arrestuari i dytë është Hajdar Sefa (Xaka), 30 vjeç, banues në Krujë, i dënuar më parë për vepra penale ndaj jetës dhe shëndetit. Disa orë më vonë, policia tha se ka arrestuar edhe Julian Qerushajn, nga Borizana e Fushë-Krujës. Edhe ky person ka qenë i dënuar më parë për vjedhje.
Në 24 dhjetor të 2013-s, katër persona të maskuar si “babagjysha” kanë shfrytëzuar atmosferën e festave për të kryer një grabitje me armë zjarri në qendrën tregtare, ndërsa një i pestë i priste në automjet për t’u larguar me shpejtësi. Rreth orës 17:30 të 24 dhjetorit në një dyqan argjendarie në TEG në periferi të Tiranës, në një kohë kur edhe numri i qytetarëve në këtë qendër ishte i madh, duke krijuar panik tek ata, katër grabitësit kanë hyrë si babagjysha, duke luajtur me fëmijët në “TEG”, dhe për një moment kanë nxjerrë armët dhe i janë drejtuar një argjendarie në katin e parë të qendrës tregtare, në pronësi të shtetasit A.Sh. Përveç TEG-ut, ata dyshohet se kanë kryer grabitje të argjendarive në qytetin e Kuçovës, Laçit, Fushë-Krujës, në Fushë-Prezë, në fshatin Fushë-Milot, në Strugë, në Dibër të Madhe në Maqedoni, etj. Atyre u është sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë model 54 TT së bashku me një krehër me 6 fishekë luftarakë, me mbishkrimin 1959, 1 armë zjarri “Zastava” kalibër 6.35 mm me numër serie T710696 së bashku me një krehër me 8 fishekë etj., si dhe 6 varëse floriri, 8 unaza floriri etj.