Tiranë, autorët, targa të vjedhura makinës së grabitur, fshehën gjurmët.
Babai i kryesocialistit të Prezës: S‘i pashë autorët
Hetimet për katër “babagjyshët” që grabitën argjendarinë në një qendër tregtare katër ditë më parë, e kanë zhvendosur operacionin e Policisë së Tiranës drejt Prezës dhe fshatrave përreth.
Policia ka provuar që automjeti i përdorur prej grabitësve është pikërisht makina që iu vodh me armë Shefqet Kajmakut, babait të kryesocialistit të Prezës, Lavdi Kajmaku, mbrëmjen e 18 dhjetorit. Pronari i makinës mbeti i plagosur nga 3 persona të maskuar.
Policia dyshon se grabitësit e veshur si babagjyshë mund të jenë banorë të këtyre fshatrave në periferi të Tiranës që kanë kryer të dyja ngjarjet. Dokumentet e automjetit që kishte në përdorim Shefqet Kajmaku natën e plagosjes, kanë provuar se bëhet fjalë për të njëjtën makinë, pasi është identifikuar nëpërmjet numrit të shasisë. Makina tip “Benzi 220”, në pronësi të Kajmakut, më përpara mbante targat TR 9696 R, por “babagjyshët” ishin kujdesur që t’ia bënin sa më të vështirë punën Policisë. Ata kanë vjedhur targat AA 147 FY dhe ia kanë vendosur makinës së Kajmakut. Këto targa i çuan hetuesit drejt një tjetër emri, Xhelil Allës, banues në “Don Bosko”, i cili fillimisht edhe u dyshua për ngjarjen, por hodhi poshtë përfshirjen e tij. Alla ka deklaruar se makinën e kishte shitur rreth një vit më parë dhe, për këtë arsye, nuk ka pasur arsye për të bërë denoncim për vjedhje targash. Pas grabitjes me një dëm për pronarin e argjendarisë që përllogaritet rreth 400 mijë euro, autorët i kanë vënë flakën makinës së vjedhur, duke zhdukur edhe ndonjë gjurmë që mund të gjendej në të. Grupi hetimor ka provuar se 2 automatikët e gjetur dy ditë më parë te Sanatoriumi janë të autorëve të grabitjes, pasi në Laboratorin e Kriminalistikës ku janë ekzaminuar armët dhe gëzhojat e gjetura pranë qendrës tregtare, ka përputhje 100 për qind. Rrobat e autorëve do të ekzaminohen për ndonjë provë biologjike.
Dëshmia e kajmakut Grabitjen e argjendarisë në qendrën tregtare dhe plagosjen e Shefqet Kajmakut në Fushë-Prezë, i lidh bashkë jo vetëm makina, por edhe autorët e ngjarjeve. Policia ka dyshime se të dy ngjarjet e ndodhura në një hark kohor prej 6 ditësh janë kryer nga të njëjtët persona. Ndryshimi i vetëm është se grabitësit që plagosën 54-vjeçarin Kajmaku, ishin maskuar me kapuça të zinj, ndërsa për vjedhjen e argjendarisë përdorën veshjen e babagjyshit të Krishtlindjeve. Burime nga Policia thanë se Shefqet Kajmaku, i cili tashmë e ka kaluar rrezikun për jetën, është pyetur gjerësisht rreth ngjarjes që ndodhi para një javë. Ai ka pranuar se makina i është vjedhur nga 3 persona të maskuar, të cilët e kanë qëlluar me armë zjarri në kohën që po i afrohej makinës që kishte lënë ndezur, për ta parkuar te lokali i tij. Por Kajmaku ka deklaruar se nuk ka arritur të shohë qartë asnjërin prej autorëve, pasi përveçse kanë qenë të maskuar, ka qenë edhe shumë errësirë. Ndërsa duke u nisur nga fizionomia, fiziku dhe lëvizjet që ata kryenin, sipas Kajmakut autorët nuk mund të ishin më shumë se 25 vjeç.
KONTROLLET
Prej dy ditësh, Policia e Tiranës vazhdon operacionin në terren për identifikimin dhe kapjen e grabitësve që grabitën argjendarinë të veshur si babagjyshë. Përveç 100 të shoqëruarve gjatë natës kur ndodhi grabitja, Policia ka vijuar kontrollet edhe gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme dhe janë shoqëruar për verifikim dhjetëra persona të dyshuar, të cilët janë lënë sërish të lirë. Kontrollet janë kryer kryesisht në fshatrat periferike të Tiranës, si dhe përgjatë autostradës Tiranë-Durrës.