“Babagjyshërit” e Vitit të Ri, e kanë përgatitur grabitjen e argjendarisë në qendrën tregtare TEG, me detaje. Ata kanë hyrë në një nga dyert kryesore të objektit, rreth orës 17:25 të së martës, por para se të futeshin në ambientet e brendshme të objektit, janë ndaluar nga një prej rojeve të sigurisë private. Sipas burimeve policore, punonjësi i ka pyetur se për kë kompani punonin. Ata u kanë thënë se ishin veshur ashtu, me rastin e festës së Krishtlindjeve, për të kënaqur fëmijët. Kaq ka mjaftuar dhe roja i sigurisë ka lejuar depërtimin e tyre në qendrën tregtare, pasi ai nuk dyshuar për asgjë. Grabitësit kanë vijuar planin e tyre spektakolar, për të shkuar drejt argjendarisë. Distancën e kanë përshkuar duke kërcyer dhe kënduar. Gjatë paradës, ndaleshin nga fëmijët e vegjël, të cilët gëzoheshin teksa i shikonin katër babagjyshat.
“Gëzuar Krishtlindjen!”
Duket se grabitësit ishin përgatitur ndaj sjelljeve të tilla, e për pasojë ata kanë vazhduar aktrimin, ku mes të tjerash u uronin vogëlushëve festën. Armët e zjarrit i kanë pasur të fshehura poshtë pantallonave të gjëra, të kostumit të kuq, ndërsa çantat e zeza i kanë pasur në krahë, duke krijuar idenë se në çanta ishin pikërisht “dhuratat” për fëmijët. Të njëjtën gjë kanë bërë deri sa janë futur në argjendarinë e piketuar më parë. Sipas policisë, njëri prej grabitësve ka qëndruar jashtë, për të pasur nën monitorim situatën. Mjaft i tensionuar, ai bënte xhiro të shpejta në ambientet e jashtme të argjendarisë, për të njoftuar bashkëpunëtorët në rast rreziku. Ndërkaq, tre të tjerët janë futur brenda. Nën një zë ata kanë uruar shitësin e argjendarisë “Gëzuar Krishtlindjen!”, ndërsa ky i fundit ia ka kthyer me të njëjtën shprehje.
Më pas grabitësit kanë nxjerrë armët e zjarrit të fshehura poshtë rrobave, për t’ia drejtuar tregtarit. Sipas policisë, dy grabitës janë futur në ambientin ku ishte ekspozuar ari. Me aksion të shpejtë ata kanë mundur që të marrin varëset, unazat, vathët, byzylykët, paratë e arkës, e gjithçka tjetër që u ka dalë përpara. Në atmosferë me njëri-tjetrin, ata e kanë derdhur floririn në një çantë të zezë, të vendosur në mes të dyqanit. Ndërsa personi i tretë mbante të neutralizuar shitësen, duke i drejtuar armën deri në fund të zhvatjes. I gjithë aksioni ka zgjatur rreth tri minuta. Nga ana tjetër, qytetarët kur kanë parë grabitjen, kanë shmangur rrugën nga argjendaria, pasi janë trembur prej armatimit të tyre. Pas përfundimit me sukses të planit të tyre, grabitësit kanë dalë me shpejtësi nga objekti. Burimet bëjnë me dije se një roje sigurie ka tentuar që t’i ndalë duke u shkuar nga pas, por ata e kanë goditur për t’i shpëtuar. Më pas kanë hipur në automjetin, ngjyrë gri tip Benz, me targa AA 147 FY. Pasi janë larguar, pak kilometra larg vendit të ngjarjes, grabitësit kanë ndaluar mes Shkozës dhe fshatit Surrel, për t’i vënë flakën makinës, në mënyrë që të humbisnin gjurmët. Arratisjen dyshohet se e kanë bërë në këmbë, por nuk përjashtohet edhe mundësia e largimit me ndonjë makinë të dytë.
Dy armët
Ndërkohë, mëngjesin e së mërkurës, policia e kryeqytetit ka gjetur dy armë pranë zonës së Sanatoriumit në periferi të Tiranës, pranë qendrës tregtare TEG. Paraprakisht dyshohet se ato mund të jenë hedhur në koshin e mbeturinave nga autorët e grabitjes së argjendarisë. Armët e zjarrit janë sekuestruar nga uniformat blu dhe janë këqyrur me shpresën se mbi to, mund të gjenden gjurmë gishtash. Shpresat janë të pakta, pasi grabitësit kishin vendosur doreza, por gjithsesi ato po shikohen me kujdes. Mësohet se policia ka gjetur pesë plumba brenda në njërën prej armëve, ndërsa tjetri ka qenë bosh. Plumbat janë dërguar në laborator, për ekspertizë balistike.
Policia
Makina e katër grabitësve e vjedhur, shoqërohet pronari
Autorët e grabitjes në qendrën tregtare janë larguar me një automjet tip “Benz”, me targë AA 147 FY, që e kishin parkuar në parkingun e qendrës tregtare. Policia është vënë menjëherë në ndjekje të makinës së denoncuar, madje ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes forcave të rendit dhe autorëve. Në një moment kur autorët kanë krijuar distancën me automjetet e Policisë që kishin nga pas, kanë braktisur mjetin e tyre, duke i vënë edhe flakën, në afërsi të fshatit Surrel. Burime nga Policia thanë se targat e automjetit tip “Benz” që është përdorur nga grabitësit rezultojnë në pronësi të shtetasit Xhelil Alla, 51 vjeç, banues në rrugën “Don Bosko”. Makina është vjedhur me dhunë një javë më parë në Fushë-Prezë. I riu ka deklaruar se mjetin ku ndodheshin targat që kishte makina e grabitësve e kishte shitur një vit më parë. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që makina t’i jetë vjedhur personit që e ka blerë, edhe pse nuk është bërë ndonjë denoncim për vjedhje. Ndërsa konfirmohet se targat e makinës nuk janë të asaj që përdorën grabitësit, por i përkasin një automjeti tjetër.