Babai i studentes 20-vjeçare që u vetëvra dy ditë më parë në Tiranë, mohon dyshimet e Policisë rreth motiveve të ngjarjes, që përveçse i quan absurde, i duken edhe të parakohshme.
Në një kohë që sipas tij ekspertiza mjekoligjore nuk ka dalë ende, nuk është me vend që të hidhet baltë mbi vajzën dhe familjen e tij. Për Bajram Xherahun, ajo që ka lexuar dhe ka parë në lajme dje, pas ceremonisë mortore, ka qenë shumë më e rëndë se vdekja e së bijës.
“Panorama” zhvilloi një bisedë telefonike me babanë e studentes Ida Xherahu, i cili edhe pse kishin kaluar vetëm pak orë nga varrimi, u përpoq të dukej i fortë edhe pse dhimbja e madhe që po përjetonte dukej që në momentin kur hapi telefonin.
I indinjuar, i mërzitur dhe me gjithë dhimbjen e madhe që është detyruar të përjetojë që kur mësoi lajmin e rëndë, Xherahu duket shumë i përmbajtur përballë një ngjarjeje që edhe çdo fjalë e rëndë e tij do të ishte e justifikuar.
“Mirë vajzën, që në vend që ta martoja e vesha me vello të bardhë për ta varrosur, por tani duhet të duroj edhe këto që thuhen nga pas, që nuk janë absolutisht të vërteta”, shprehet ai me zërin që i dridhet.
Ndërsa preferon të thotë se nuk bëri ceremoni mortore për vajzën 20 vjeçe, por ceremoni dasme, duke e përcjellë në banesën e fundit me fustan nusërie.