Babai i Kumbarit darkon me Edi Ramen dhe Berishen

Babai i 'Kumbarit' darkon me Edi Ramen dhe Berishen
Babai i “Kumbarit”, Francis Ford Coppola, darkon me Kryeministrin Berisha dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndonëse në ditë të ndryshme, liderët e vendit kanë shfrytëzuar vizitën e Coppola-s në vendin tonë për të kaluar disa orë me të. Të mërkurën në darkë ai ishte i ftuari i Ramës në një darkë miqësore, me rastin e ardhjes së tij në Shqipëri. Mësohet se Rama ka qenë i shoqëruar dhe nga bashkëshortja e tij, Linda, ndërsa nuk bëhen publike detaje të bisedës mes tyre. Një ish-artist si Edi Rama dhe një regjisor me famë botërore si Coppola, kanë ndarë mes tyre pikëpamjet që nga arti e deri te politika, qyteti dhe qytetarët. Rama është takuar me regjisorin e njohur menjëherë pasi ishte kthyer nga Prishtina ku mori pjesë në një festë private me rastin e 60-vjetorit të ish-Presidentit kosovar, Behgjet Pacolli. Mbrëmë në orën 18:30, Coppola ishte i ftuar i Kryeministrit Sali Berisha në vilën qeveritare në Durrës.

Në këtë darkë merrte pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, këshilltari i Kryeministrit për Kulturën, Neritan Ceka dhe ministri i Kulturës, Aldo Bumçi. Pas darkës, e cila ka zgjatur rreth 90 minuta, Kryeministri me stafin e tij dhe regjisori i njohur janë nisur drejt amfiteatrit të qytetit bregdetar ku kanë ndjekur filmin “Rini pa rini”. Me motivacionin: “Si novatori më i madh i kinematografisë moderne”, regjisori amerikan, Francis Ford Coppola, firmën e të cilit mbajnë filma si “Kumbari I, II, III”, “Apocalypse now”, “Drakula” etj., u nderua dje me Çmimin e Karrierës. Ky çmimi iu dorëzua mbrëmë në një ceremoni të shkurtër, përpara prezantimit të filmit “Tetro” nga Dhimitër Anagnosti, presidenti i Festivalit të Filmit. Një film prej 127 minutash, me skenar dhe regji të Coppola-s, ku interpretojnë Vincent Gallo, Alden Ehrenreich etj.

Regjisori e quajti “Tetron” një film shumë personal. Filmi flet për dy vëllezër, për adhurimin që i vogli ka ndaj të madhit, si vetë ai për të vëllain, që e konsideronte më të talentuar se vetja. “Jam shumë i kënaqur nga prezenca juaj këtu dhe krenar për çmimin që më keni dhënë. Këtu poshtë statuja ka një shënim, që unë nuk e kuptoj se çfarë është, por besoj që do të jetë e shënuar diçka e rëndësishme dhe jam i nderuar për këtë. Por, dhurata më e bukur për mua do të ishte sikur të më kishit dhuruar një copë tokë të vogël, atje tej, në Jugun shqiptar”. Ndërsa ambasadori amerikan, Arvizu, tha se “Na bashkon sot magjia e kinematografisë së Coppola-s. Besoj që nuk ka ekzagjerim që të vlerësoj punën e tij legjendare si skenarist, regjisor e artist. Coppola ka vendosur standardet më të larta në kinematografi. Ky çmim është shpërblim i punës së tij disavjeçare”, deklaroi Arvizu. l.m

Filmi i rilindjes së Coppola-s

Film i rilindjes artistike. Kështu e ka konsideruar regjisori amerikan Francis Ford Coppola filmin e tij “Rini pa rini”, i cili u shfaq dje në orën 18:00 në kuadrin e Festivalit të Durrësit. Pasi vendosi firmën e tij në Bulevardin e Artit, përpara teatrit “Aleksandër Moisiu”, regjisori ndau me publikun disa eksperienca personale që lidhen me filmin “Rini pa rini”. Sipas tij, ky film erdhi pas disa përpjekjeve gjigande që regjisori kishte bërë me dy projekte, të cilat i morën shumë kohë e nuk u realizuan kurrë. Pas sulmit të 11 shtatorit ai kuptoi se në këtë realitet të ri, filmi i tij, “Megalopolis”, nuk kishte më kuptim, ndaj dhe e ndau mendjen të hiqte dorë nga filmat me buxhete miliardash. “Rini pa rini”, ku protagonist është aktori Tim Roth, flet për një njeri që rilind e që në fakt lidhet edhe me rilindjen e vet atij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama