Tani do të flas për ngjarjet që ndodhën pak para zbritjes sime në Epir dhe për ato që i përjetova vetë gjatë një qëndrimi dhjetëvjeçar si konsull i përgjithshëm i Francës pranë vezirit Ali pasha të Janinës.
Tani që kam mbërritur te kjo pjesë e analeve të satrapit të Epirit, tmerrohem nga karriera e përgjakur që hapet përpara meje.
Më duhet të zbuloj sa e sa fëlliqësira, pabesi dhe krime; kaq e vështirë është lënda që duhet të shpalos këtu, saqë, megjithë korruptimin e sotëm të kodeve politike, kam frikë se mos u dukem cazë i anshëm atyre zotërinjve që tallen me nderin dhe gjakun e popujve, sepse, edhe pse në thelb e përçmojnë humanizmin, shpirtrat e tyre janë ende larg së përfytyruari se gjer në ç'skaj arrin një tiran i pafre, vetëm e vetëm që të kënaqë pasionet e tij, i sunduar kryekëput nga ambicia; mirëpo më anë tjetër më duket e domosdoshme që të ndërtoj një tërësi tablosh, disi më pak të neveritshme, duke lënë mënjanë shumë e shumë hollësi të pështira që morali s'i gëlltit dot; arrij të jap kështu jetën e një njeriu që i përket historisë moderne të Greqisë, si për shkak të tërmetit që vuri në lëvizje, ashtu edhe për të këqijat pa numër që solli sundimi i tij, duke marrë kësisoj që në gjallje gjykimin e brezave të mëpasëm mbi të.
Shkatërrimi i suljotëve, atyre që kishin ngadhnjyer për mbi njëqind e dyzet vjet mbi orvatjet e muhamedanëve, e rriti pa masë famën e satrapit të Janinës; bëmat e tij këndoheshin nëpër Shqipëri dhe rrëfeheshin nga njëri skaj i perandorisë në tjetrin. Turqit e quanin shpëtimtari; zëri i lavdisë së tij mbërriti deri te sulltani, i cili mendoi se nuk mund ta shpërblente më mirë fatkeqësinë e të krishterëve të pavarur të Epirit sesa duke i dhënë atij titullin dhe autoritetin e valiut të Rumelisë.
Për të kjo do të thoshte që i jepeshin në dorë mundësi për t'u shquar sërish, pasi në Maqedoni e Thraki bënin kërdinë aso kohe bandat e kusarëve. Kersalët apo Krisalidët, diçka si condottieri, ku përziheshin bullgarë, tribalë e shqehë së bashku, të prirë nga kapedanë kokëkrisur, shkretonin rrethinat e Filipopolisit dhe luginat e malit Pange, duke u shtyrë me shpeditat e tyre deri në Pelagoni. Karvanet s'qarkullonin dot, punët e shtetit ishin pezulluar, kasnecët plaçkiteshin, asnjë autoritet qeveritar nuk njihej më.
Dyshohej se pashallarët e Smokovos dhe të Shkupit kishin interes t'i mbanin e t'i mbështesnin këta kaçakë apo hajdutë; kishte ardhur ora që t'u vihej fre të tilla rrëmujërave. Ja pra ç'detyrë i ra të zgjidhte fitimtarit të Nikopolisit dhe të Sulit; megjithatë, siç do të mësohej më vonë, nderet e shumta fshihnin një prapamendim të qeverisë otomane.
Veziri i Janinës po i bënte si shumë hije kështu, ndaj duke i lajkatuar ambicien krijohej mundësia që ta kompromentonte me një mision, të cilit vetë i trembej; kështu që po të dështonte mund të hiqej qafe, ose edhe të kapej e të likujdohej me t'u larguar nga trevat e qeverisura prej tij.
Ali pasha në të vërtetë nuk kishte asnjë të dhënë për këto plane, megjithatë masat i mori sikur të ishte rrethuar prej armiqsh.
Me ndihmën e fermanit perandorak mblodhi rreth vetes dhjetë mijë ushtarë shqiptarë, me të cilët kaptoi Pindin dhe e vendosi fushimin në Bitolë në pranverë të vitit 1804. Pasi i qëroi zonat rreth e qark nga disa tufa banditësh dhe i bëri sërish tok forcat e ajanëve të Ilirisë e të Maqedonisë këtej Vardarit, e kapërceu këtë lumë në Çuperli.
Mblidhte atë kohë nën flamujt e vet, pos njësive të veçanta, kontingjentet e pashait të Delvinës, vezirit të Beratit, bejlerëve të Myzeqesë, vojvodave të Taulantisë, sanxhakut të Shkodrës, djep trimash; pastaj krerët e Dibrës, Ohrit, Lakulakut, Baksorit, kantoneve të malit Bora, të Kalkanderenit, të Prishtinës, si dhe gjithë spahinjtë e Thesalisë.
Erdhën e iu paraqitën pastaj në shtab, të rusur nga gurrat që ushqejnë lumenjtë e Maqedonisë, kaloria e Seresit, agallarët e trevës së Selanikut, timariotët e Melenikut, të Kavalës, Dhramës, të Demir-Hisarit, Radoviçit, Humlekeut, Dubnicës dhe krejt bajraku i Sofjes: mbërriti kështu te portat e Filipopolisit në krye të një ushtrie me mbi dyzet e tetë mijë vetë.
Fushimin e ngriti jashtë qytetit, mes ultësirës pa anë të Thrakisë, këtu thirri para gjyqit të vet edhe krerët e rebelëve që ishin kapur deri më aty, u preu kokat pashallarëve të Shkupit dhe të Smokovos, burra viganj, të cilëve u trembej personalisht, shkoi pastaj në shpatë disa njerëz kuturu dhe u kënaq që më të rëndësishmit t'i mbante robër.
Në gjithë qytetet nga kaloi pati vënë haraç; kush i afrohej, duhej t'i dorëzonte shuma të majme dhe ky lloj marshimi, sa i çuditshëm aq edhe aktiv, e bëri shumëkënd të mendonte se tani perandorisë do t'i jepej grushti fatal.
Në kampin e tij po dëgjoheshin thirrje të pazakonta; emri i sulltanit zihej në gojë vetëm me përçmim; çdo mbrëmje nën shatorren e Tartar agait të tij këndohej karmanjola, kur papritur mes gjithë këtyre njerëzve të ndarë nga njëri-tjetri prej gjuhëve dhe interesave plasi revolta. Kjo lëvizje ishte pasojë e grushtit që kishte menduar Divani, i cili e quajti çastin të volitshëm për ta qëruar Ali pashën.
Njerëzit kishin rrëmbyer armët dhe ishin nisur drejt shtabit të tij të përgjithshëm, kur papritur ai u doli para rebelëve i rrethuar nga shqiptarët e tij besnikë. "Doni që të dalim nga plogështia?! thirri ai. Jam me gjithë zemër me ju.
Oburra pra, t'i ngrëmë çadrat dhe hajt më ndiqni nga pas; takohemi para Sofjes!" Sa tha këto fjalë, u nis vetë i pari për marshim, i bindur se ai sinjal do t'i shpërbënte pa vonesë njësitë më rebele, që mezi ç'prisnin rastin për t'u kthyer në krahinat e tyre.
Mori pastaj rrugën e Bitolës, ndërkohë që ministrat e padishahut, me frikë në zemër, po prisnin të shfaqej në portat e Stambollit që t'i hynte spastrimit të këtij qyteti, kur mbas pak morën vesh se ishte kthyer mbrapsht përmatanë Vardarit.
Këtu mori frymë i qetë e i lehtësuar dhe i kërkoi Portës që t'i jepnin kartë të bardhë, nëse donin t'u vinte prapë nëpër fushime. U ngutën t'ia plotësonin dëshirën, duke i kumtuar se padishahu, tepër i kënaqur me veprimet e tij, ia tërhiqte fuqitë me të cilat e pat pajosur.
Funksioni i valiut të Rumelisë shihet si titull honorifik nga personat që e marrin; kurse Aliu, njeri që nxirrte përfitim nga gjithçka i binte në dorë, i batërdisi krejt provincat e tij me haraçet që u vuri; ata që duhej t'i dënonte, i lëshoi kundrejt shpërblimesh; ngriti pastaj fortifikata artilerie, që mund të barteshin, dhe u rikthye në Janinë si pati bërë mirë e mirë plaçkë në Rumeli.
Shtrohet pyetja: a mos është vallë fatkeqësia e një vendi më e madhe kur është i lig kreu, apo kur janë të ligj favoritët e tij? përgjigja mund të jetë e lehtë, nëse pranohet që nënshtetas të emancipuar ndodh edhe të vënë në krye të tyre një princ vesemadh; kjo për arsye se sahanlëpirësit pa besë e pa fe shtrëngohen të jetojnë jashtë shoqërisë, ashtu si edhe izraelitët, të cilëve Hyu u shpifi sëmundje të rënda për shkak të idolatrisë së tyre.
Në oborrin e Aliut, sikundër në oborret e gjithë tiranëve, ndesheshe vetëm me hipokritë, besëqenër dhe bukëshkalë: si ustai ashtu dhe çirakët ishin të zhgjyer në krim. Sapo që u kthye në sundimet e veta, doli para epiriotëve si ndonjë baba i mirë që kënaqet sa herë sheh rishtas fëmijët.
Kërcitën festat dhe ahengjet në begati e hare, me po ata njerëz që do të kishin kënduar e vallëzuar njësoj sikur të merrnin vesh se ia kishin prerë kokën në Stamboll e ia kishin ngulur te porta perandorake e gropës së kufomave, aty ku marrin fund përgjithësisht ambiciet e mëdha.
Edhe ai vetë ishte i bindur kryekëput për këtë të vërtetë; andaj edhe ulja e disa taksave, që kishte premtuar në kohën e rrezikut, u shty për më vonë, ndërkohë që puna angari jo vetëm nuk u mpak, por u përhap si kurrë ndonjëherë.
Kështu, prej këtij forcimi të pushtetit të tij tani e tutje Epiri do të ndjente qetësinë e shtypjes; ngushëllimi i vetëm i fshatarëve ishte kur shihnin se si rrënoheshin kullat e bejlerëve, shtypësve të dikurshëm, të cilët, njësoj si ata, u vunë nën nivelin e despotizmit që, bashkë me anarkinë, pranon për popujt vetëm barazinë e mjerimit.
Gazeta Shekulli