“Universiteti Mjekësor i Tiranës është një dështim”. Kështu shprehet dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Bajram Hysa pas miratimit të Statutit Organik, duke theksuar se ai shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin për Arsimin e Lartë në vend. “Ky është një shqetësim i ngritur prej kohësh. Universiteti Mjekësor i Tiranës është një strukturë e cila nuk mund të qëndrojë dhe të rezistojë vetëm duke ndërruar të zotin e shtëpisë. Ajo ose duhet të kthehet në stadin që ka qenë, ku Fakulteti i Mjekësisë dhe Infermierisë, të cilët janë shkëputur arbitrarisht pa një vendim të Senatit të Universitetit të Tiranës, ose të riorganizohet ky universitet në bazë të standardeve të reja”- thekson dekani Hysa. Përpara disa ditësh, në tryezën e dekanit Hysa ka ardhur projekt-statuti i Universitetit Mjekësor të Tiranës, ndonëse i pa miratuar nga ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ky projekt, sipas Prof. Bajram Hysa, jo vetëm që ka kaluar me ngut, por edhe nuk pasqyron specifikat që duhet të kenë fakultetet në përbërje të UMT-së dhe as vërejtjet që në parim u kaluan në mbledhjen e Senatit. Shqetësimi kryesor është se me anë të këtij statuti privohen nga e drejta për të qenë shefa shërbimesh apo për të kandiduar në postin e rektorit një gjeneratë e tërë. “Ky statut nuk ka lidhje me mjekësinë, është i papërshtatshëm dhe i pazbatueshëm.
Privohen nga e drejta për të kandiduar për postin e dekanëve të fakulteteve të universitetit dhe për rektorë mbi 60 për qind e profesoratit. Kjo është shumë e rëndë. Sikur edhe një njeri i vetëm të privohet nga kjo e drejtë, është antikushtetuese”- thekson dekani. Në lidhje me këtë statut, Prof. Hysa i ka dërguar një shkresë rektores së UMT-së, Jera Kruja me anë të së cilës i bën me dije se ky dokument i hartuar nga institucioni i saj nuk kanë marrë në konsideratë asnjë prej sugjerimeve të bëra në mbledhjen e Senatit.
Më tej, Hysa rendit edhe pikat ku ky dokument bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin për Arsimin e Lartë në vend. Sipas tij, për postin e autoriteteve të UMT-së mund të konkurrojnë individë të personelit akademik të institucionit të arsimit të lartë, ose individë jashtë tij. “Të gjithë anëtarët e stafit akademik të UMT-së kanë të drejta të barabarta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, çka përbën një parim kushtetues dhe të drejtë të patjetërsueshme të sanksionuar në Nenin 45, pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”. Kjo është vetëm një ndër pikat që janë shkelur në dokumentin e hartuar nga rektorati i UMT-së. “Rektorja i jep të drejtë vetes së vet që të monopolizojë ciklet e studimeve, ndërkohë që ato janë ekskluzivisht atribute të dekanëve të fakulteteve. Rektorati ka funksion kontrollues.”- thotë Hysa. Përveç kësaj, janë vënë kufizime për kandidime për dekan apo rektor për një gjeneratë të tërë. Lidhur me këtë fakt, dekani Hysa i ka dërguar disa letra edhe ish-ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Tafaj, nga i cili nuk ka marrë asnjë përgjigje. Këtij shqetësimi të ngritur prej kohësh i janë bashkuar edhe një pjesë e stafit akademik dhe studentë të Fakultetit të Mjekësisë.
Hapi i radhës do të jetë shqyrtimi kësaj çështjeje nga ministrja e re e Arsimit, Lindita Nikolla. Në rast se nuk do të merren hapa, Prof. Hysa kërcënon se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore. “Si garant i zbatimit të ligjit në Fakultetin e Mjekësisë, në rast se konstatimet e shkeljeve ligjore të mësipërme nuk merren parasysh, më lind e drejta t’u drejtohem organeve të drejtësisë, deri në nivelin e Gjykatës Kushtetuese, për rikthimin e ligjshmërisë në këtë dokument të rëndësishëm akademik”, përfundon fjalën e tij dekani Bajram Hysa. Lidhur me akuzat e lartpërmendura, rektorja e UMT-së, Prof. Dr. Jera Kruja ka pasur mundësinë të shprehet në gazetën “Shekulli”, por e kontaktuar nga ne, Prof. Dr. Kruja ka preferuar t’i shmanget çdo lloj pyetjeje për çështjen në fjalë.