Bakaj prish kontraten dhe iken nga Kukesi

Bakaj prish kontraten dhe iken nga Kukesi

Shuhen shpresat e Kukësit për ta pasur fantazistin Elis Bakaj si përforcim në pjesën e mbetur të sezonit. Dje ka qenë dita e fundit që mesfushori u stërvit te Kukësi, ndërsa sot ai pritet të udhëtojë për në Rumani. Lajmin e bën të ditur për gazetën drejtori teknik i Kukësit, Edmond Gëzdari, i cili ka qenë ndërmjetësi që afroi mesfushorin te skuadra veriore. “Është e pamundur që Bakaj të luajë për ne. FIFA nuk na ka dhënë përgjigje, me gjithë insistimin tonë dhe të Bakajt. Kishim një kontratë të nënshkruar me vullnetin e të dyja palëve, por përgjigja nuk na erdhi dhe ditët po kalojnë. Kështu kemi rënë dakord që kontrata të anulohet, pra të jetë e pavlefshme. Kishte një dëshirë të madhe si nga ne, ashtu edhe Bakaj për të pasur shërbimet e tij”, – është shprehur Gëzdari.


Dinamo e Bukureshtit Nga burime pranë lojtarit mësohet se Bakaj do të udhëtojë sot drejt Rumanisë, atje ku ka edhe të fejuarën e tij. Ai pritet të stërvitet pranë Dinamos së Bukureshtit, ish-ekipit të tij, ndërkohë që është në pritje për të shkuar në një ekip tjetër, por vetëm kur të hapet periudha e transferimeve në verën e këtij viti. Vetë lojtari ka pritur gjatë përgjigjen e FIFA-s dhe është i mërzitur që nuk ka mundur të angazhohet me Kukësin këtë periudhë.

 

“Firmosa me kënaqësinë më të madhe dhe prita dita-ditës të luaja për bluzën e Kukësit, por nuk m’u aprovua kërkesa. I uroj suksese Kukësit”, – ka thënë dje Bakaj. Kontrata e Kukësit me lojtarin ishte deri në fund të sezonit dhe e vlefshme edhe për Kupat e Evropës. Fantazisti që ka qenë deri vitin e kaluar pjesë e Kombëtares, erdhi si prurje e bujshme te Kukësi pas ndërprerjes së kampionatit në Ukrainë. Ai u stërvit rregullisht me ekipin verior deri në ditën e djeshme. Klubi dhe lojtari shpresonin që FIFA të hapte dritën jeshile për aktivizimin e tij, meqë në Ukrainë e kishte prishur kontratën për shkak të problemeve që nuk kishin lidhje me futbollin. Rikthimi i mesfushorit në Shqipëri krijoi një atmosferë të nxehtë. Kukësi dhe Partizani kërkuan menjëherë shërbimet e futbollistit. Pas rreth një jave kontakte me të dyja klubet, futbollisti vendosi në fund që të zgjedhë ekipin verilindor. Kjo krijoi pakënaqësi te klubi i kuq dhe te tifozët në veçanti. Drejtues të “demave” deklaruan se Bakaj i preu në besë, në një kohë që tifozët reaguan ashpër ndaj tij në rrjetet sociale. Pavarësisht gjithçkaje, mesfushori nuk arriti të luante asnjë ndeshje me Kukësin dhe në këtë mënyrë do të largohet drejt Dinamos së Bukureshtit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama