Bakalli Popa me con ne shtepi kam pasur zenke me Stankun

Bakalli: Popa më çon në shtëpi, kam pasur zënkë me Stankun

Franc Bakalli është 19 vjeç dhe është pjesë e ekipit të parë Steauas së Bukureshtit. Ai këto ditë ndodhet në Sarandë me pushime për shkak se shumë lojtarë të ekipit të tij janë pjesë e përfaqësueses rumune në EURO 2016 që zhvillohet në Francë.

KombetarjaBakalli ka qenë pjesë edhe i ekipeve të moshave me Kombëtaren shqiptare dhe shpreson që një ditë të mbajë veshur fanellën e ekipit të madh.

Në një prononcim për "Panorama Sport", Bakalli tregon disa nga sekretet e Rumanisë dhe futbollistëve të këtij ekipi. Bakalli thotë se në të shkuarën ka pasur një përplasje me Stankun, ndërsa vlerëson Popën si mikun e tij më të mirë te Rumania.

Karriera- "Unë fillimisht u transferova në ekipin e të rinjve të Steauas së Bukureshtit dhe fillova të luaja me skuadrën U-17. Pas disa aktivizimeve unë shënova 7 gola dhe tërhoqa vëmendjen e skuadrës U-19. Edhe trajneri i ekipit të parë më kërkoi për t'u stërvitur, pavarësisht se ndeshjet i zhvilloja me të rinjtë.

Tani jam në pritje të përgjigjes nga ekipi i parë për sezonin e ri. E kam përfunduar kontratën me këtë skuadër dhe do ta rinovoj shumë shpejt.

Kemi arritur marrëveshjen, por nuk kemi zyrtarizuar ende asgjë. Kam oferta edhe nga ekipe të tjera në Rumani. Megjithatë mendoj se do të vazhdoj ende me ekipin tim dhe të gjithë kanë shprehur dëshirën që unë të qëndroj".

Njohjet për Rumaninë- "Jam stërvitur me një pjesë të mirë të lojtarëve titullarë të përfaqësueses së Rumanisë që marrin pjesë në kampionatin Europian. E njoh mirë Stankun që mban numrin dhjetë. Në ndeshjen e parë ai mori penalltinë. Është një lojtar shumë teknik dhe nuk do të humbasë asnjëherë. Me të kam pasur edhe një zënkë në fillimet e mia, por tani jemi miq të mirë. Njoh edhe Adrian Popan, i cili është një lojtar shumë i shpejtë.

Pas stërvitjeve më shoqëron gjithmonë në shtëpi. Kipçiu është gjithashtu një lojtar shumë i mirë. Sigurisht që kanë edhe pika të dobëta, sepse disa futbollistë vijnë nga dëmtimet e gjata dhe nuk po arrijnë të gjejnë formën e tyre më të mirë". Kombëtarja- "Pavarësisht rezultateve të dy ndeshjeve, Shqipëria ka luajtur shumë mirë.

Kemi treguar se dimë të luajmë. Në këtë Europian ndikon edhe përvoja që kanë skuadrat, por mendoj se kemi debutuar me dinjitet. Kur sheh të tilla ndeshje me shpirt luftarak nga ana e Shqipërisë ndihesh krenar. Shpresoj që Shqipëria ta fitojë ndeshjen e fundit me Rumaninë. Do të jetë një fitore historike.

Megjithatë jam krenar edhe për shokët e mi të skuadrës që luajnë në Europian. Shqipëria duhet të fitojë sepse i ka edhe shanset për t'u kualifikuar më tej në këtë kompeticion të rëndësishëm. Shpresoj që një ditë ta vesh edhe unë fanellën e Kombëtares shqiptare".

Agron Mema



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama