Balerine pa mish e kocka

Balerine pa mish e kocka
Jasmine dhe David, të ftuarit e Festivalit të Dancit Modern dhe Kontemporan që po mbahet këto ditë në Durrës, në një rrëfim të çlirët për disiplinën dhe teknikën në balet Koncepti i thelluar, muzika e qëmtuar, teknika dhe interpretimi i nivelit të lartë bënë që balerinët të mishëronin me vërtetësi konceptin e jetës dhe vdekjes.

Skenën e “Shekspirit” e kishte përpirë errësira. Ata pak njerëz që kishin ardhur për të ndjekur dy balerinët zviceranë të kompanisë “Cie. Prototype Status” përpiqeshin të zinin vend, teksa David N. Russo projektonte me fshesë korrenti rrathë rëre në dyshemenë prej druri. Më tej u vendos në mes të rrethit i shtrirë përmbys dhe përpiqej të ngrihej, përpëliste shpatullat, luftonte me gjithë forcën e fizikut të tij, sulmonte, mbrohej, tkurrej, përpëlitej, por rrethi vazhdonte ta mbante mbërthyer për 25 minuta. Në minutat e para, i shoqëruar nga muzika që përçonte qetësi, publiku i “Metropolit” u duk se u fut në një gjendje hipnoze, nga e cila filloi të çlirohej pak e nga pak. Pastaj erdhi ankthi, bezdisja, frika. “Caso &Caos”, performanca e David Nicolas Russo është e hapur për interpretime, por me shpjegimin e tij kërcimtari i futi idetë në hulli.

“Ka një konflikt në shoqërinë ku ne jetojmë, vjen shumë ushqim nga jashtë për të shpëtuar shpirtin, për të qenë të qetë dhe të balancuar, por në të njëjtën kohë, ka edhe shumë konflikte”.  Performanca, e konceptuar nga Jasmine Morand, me muzikë të Enrique Gonzalez Müller, shtjelloi konfliktin mes feminitetit dhe maskilitetit, identitetit të njeriut, mes rregullit dhe çrregullit, në një hapësirë meditimi. Davidi shpjegoi më tej që rrethi simbolizon mënyrën e jetesës së japonezëve të lashtë. 

Është si një hartë që njeriu e përpilon për të caktuar hapësirën e tij në botë dhe këtë e realizon në formë rituali. Në tekstin shpjegues për publikun, koncepti ishte edhe më i qartë: ““Caso &Caos” hedh një këndvështrim kritik për kriteret e pathëna që përkufizojnë mirëqënien, duke shfaqur një trup që fuqizohet, thyen rregullat dhe qëndron jashtë duke pritur çlirimin e ndaluar”. Po aq organik sa kërcimi i Davidit ishte edhe ai i Jasmine Morandit, koreografes që interpretoi “Frozen”, krijim i saji në bashkëpunim me koreografin Minako Seki, muzikë nga Felipe Perez Santiago, prodhim i  “Cie. Prototype Status”, 8 min. ““Frozen” është një performancë solo e momenteve të fundit përpara vdekjes. Në kufirin ndarës mes rebelimit dhe bindjes së trupit, trupi lëviz në gjendje shoku.

Humb integritetin, lufton me ekstremet e veta, duke u ndjerë si Luçifer i ngecur në Dyshemenë e Ngrirë. Baleti i referohet Ferrit të Dantes dhe Komedisë Hyjnore. Pjesa ka nevojë për maksimunin e asistencës teknike”, shpjegon qartë Jasmine. Ajo nuk pëlqen t’i quajë pjesë baleti performancat, sepse për të “baleti i referohet një pune më shumë akademike dhe është më shumë i lidhur me anën klasike”. Vdekja dukej se kërcënonte trupin e saj gjysmë të zhveshur, ajo merrte formën e një thike që kërkon të shkaktojë vuajtje. “Frozen” kërkoi nga Jasmine vetëdije të lartë të kontrollit fizik. Akordimi me muzikën dhe me interpretimin duhet të ishte i një niveli të lartë po ashtu. Me këtë pjesë kërcimtarja donte t’i jepte përgjigje një pyetjeje që shqetëson çdo qënie prej mishi e gjaku, “Si reagon trupi kur vdekja është kaq pranë?”. Edhe pse performanca i ngjante një shoku psikologjik, kërcimtarja nuk donte të shihej si një luftë mendore, por si një reagim i trupit të kërcënuar nga vdekja. Megjithë numrin e paktë të shikuesve, që ishin ndarë në dy salla të teatrit të “Metropolit”, gjysma ishte në sallën “Bodrum” për Festivalin “Poeteka”, interpretimi i kërcimtarëve të “Cie. Prototype Status” dëshmoi se çfarë ndodh kur vihet në punë një mendje krijuese, një fizik i fortë dhe një vullnet i hekurt për të njohur veten. Jasmine dhe David janë të lumtur që janë pjesë e Festivalit të Dancit që po zhvillohet këto kohë në Durrës. ”Është kaq bukur të shohësh sesi pasioni, energjia dhe vizioni i ca individëve mund të hapë dyer të reja për artin dhe kulturën në këtë vend”, thotë në fund Jasmine, të cilës i ra pesha të fliste ndonjëherë edhe për dy.

Kush janë?

Jasmine Morand është 34 vjeçe. E ka mësuar baletin fillimisht në Gjenevë te “École de Danse Classique Geneviève Chaussat”, kurse provimet vjetore i jepte në “Academy Princess Grace” në Monako, në klasën e ekselencës. I është dashur shpesh të punojë në kompani shtetërore, si “National Ballet of Nancy and Lorraine”, në Operën e Zyrihut dhe në Teatrin Kombëtar të Operës në Ljubjanë.  Në vitin 2000 mori një bursë 2-vjeçare për në Akademinë e Dancit Modern në Roterdam, ku filloi të zhvillonte kërkimin vetjak për koreografinë. Ajo kërcen edhe si balerinë e lirë, për kompanitë “Butoh” të Minako Seki-t dhe në kompaninë e Arthur Kuggeleyn-it. U desh vetëm një vit që të themelonte kompaninë “Prototype Status” në Vevey, Zvicër. Ka siguruar edhe një mbështetje financiare nga qyteti ku jeton. Produksionet e saj janë prezantuar edhe në Hollandë, Belgjikë, Danimarkë, Gjermani, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëri.

David Nicolas Russo është 32 vjeç, lindur në Cuneo, Itali, nga një nënë filipinase dhe një baba francez. Jeton në Mynih. Rruga e tij artistike filloi në moshën 9 vjeçare në klasa kërcimi në shkolla private. Ka marrë mësime verore baleti në “Royal Ballet School” të Londrës dhe në shkollën “Rosella Hightower” në Kanë, Francë. Në vitin 1996 iu bashkua Akademisë së Baletit “John Cranko” të Shtutgartit dhe 2 vjet më vonë u diplomua nën mbikëqyrjen e Pjotr A. Pestov. Nga viti 2008-2000 u emërua solist në Teatrin Shtetëror të Saarbruecken-it, që drejtohej nga koreografia berlineze Birgit Scherzer. Arriti të futej në kompaninë e Teatrit dhe Baletit të Mynihut 5 vjet më vonë, ku punoi mes koreografëve të tjerë: Jiří Kylián , Jennifer Hanna, Dylan Newcomb, Olga Cobos & Peter Mika, Annett Göhre and Cayetano Soto. Më tej erdhi njohja në nivel ndërkombëtar si kërcimtar i lirë dhe koreograf, kohë kur ka interpretuar në Zvicër dhe Hollandë pjesën solo “Marvin” me koreografi të Jasmine Morand. Realizoi edhe dy balete për Fondacionin “Birgit Keil”, koreografinë e “ERstaunt” dhe “Aeternum”. Ka punuar si solist edhe në teatrot e vendit të tij, për “Teatro Nuovo” të Torinos me premierën “Ëndrra e një nate vere” me koreografi të amerikanit Robert North. Nuk la pas as vendin e origjinës nga nëna, ku ishte i ftuar si kërcimtar i dancit kontemporan në “Qendrën Kulturore Filipinase”, në Manila. Për këtë qendër, ai realizoi koreografinë e “Deseo” dhe kontribuoi në projekte mësimdhënieje për Fondacionin e qytetit Quezon, për Shkollën e Mesme për Artet dhe Klasat e Baletit Modern të Filipineve. Nga shtatori i vitit 2007, deri në gusht të 2010-ës, u emërua solist në “Tanz Theater” të Mynihut që drejtohej nga koreografi Henning Paar. Në korrik të vitit të kaluar, ai u diplomua në Universitetin e Muzikës dhe Artit në Mynih për pedagogji baleti dhe në shtator pranoi pozicionin e mësuesit në Akademinë e Baletit në Mynih si një mësues i dancit kontemporan. Po këtë vit, u vlerësua me dy çmime në Konkursin Koreografik Ndërkombëtar “Contact Energy” në Erfurt me koreografinë e “Ein-fluss”. Në janar 2011, në bashkëpunim me Pedro Dias dhe Rita Soares ai prezantoi në skenën e hapur të “Theater i-camp” të Mynihut, Performancën e Dancit “@time”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama