Balerinet me te mire ruse ne skenen e Tiranes

Balerinet me te mire ruse ne skenen e Tiranes
Një mbrëmje për të mos u humbur. Balerinët më të mirët të Bolshoit e Shën Peterburgut do të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti gala i solistëve të baletit rus do të hapë sezonin artistik në TKOB. Një ngjarje e veçantë, që do të sjellë në Shqipëri disa nga emrat më të mëdhenj të baletit rus. Janë plot 14 syresh, të cilët do të sjellin në skenën shqiptare disa nga pjesët më të bukura të baletit botëror, shumë prej të cilave mbajnë edhe firmën e kompozitorëve rusë.

Mes balerinëve që do të performojnë mbrëmjen e së dielës, do të përmendnim Marianna Ryzhkina, Mikhail Lobukhin e Denis Medvedev, fitues çmimesh e me një repertor të pasur, solistë në Teatrin Bolshoi, Moskë, për të vijuar me Anton Korsakov, Yuri Smekalov, Elena Evseeva, Denis Matvienko, fituese çmimesh në konkurse ndërkombëtare, solistë në “Mariinsky Theatre” në Shën Peterburg, e balerinë të tjerë me një karrierë për t’u pasur zili. Ky koncert zhvillohet në kuadër të veprimtarive të Ditëve të kulturës shpirtërore ruse, që do të mbahen gjatë muajit shtator në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.

Ky cikël veprimtarish do të mbyllet me Ditët e filmit modern rus në Tiranë, në kinemanë Imperial (Hotel Sheraton), bazuar në Protokollin e bashkëpunimit, nënshkruar midis dy Ministrive homologe të Kulturës, në mars 2011. Bazuar në këtë Protokoll, gjatë vitit 2012, i cili përkon dhe me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, do të zhvillohen në Rusi, Ditët e kulturës shpirtërore shqiptare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama