Baleti i Kosoves rikthehet ne Tirane pas 34 vjetesh

Baleti i Kosoves rikthehet ne Tirane pas 34 vjetesh

Ishte viti 1980, kur Baleti Kombëtar kishte mbajtur për herë të fundit në sallën e TOB-it në Tiranë shfaqjen koreografike të titulluar “Halili dhe Hajria” që ishte realizuar nga kompozitori Tish Daija në vitin 1963. Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, për “KultPlus” ka deklaruar se, së bashku me trupën e institucionit më të cilin udhëheq, ndihen tejet të respektuar që iu është dhënë mundësia, që pas tridhjetë e katër vitesh, të shfaqin dy koreografi nga repertori i tyre para publikut shqiptar në sallën e TKOB-it.

 

 “Në Shqipëri, ne do të paraqitemi më dy koreografi ‘Balloja e diplomës’, që është e karakterit balet klasik dhe ‘Dashuria që vret’, që i takon baletit modern. Në kuadër të takimit ndërmjet institucioneve të Ministrive të Kulturës, të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, atë ditë unë pata takim më koreografin Ilir Kerni, që tashmë është drejtor i Operës dhe Baletit të Shqipërisë, i cili ka qenë në Kosovë për të realizuar tri premiera që kanë qenë në  programin vjetor të Baletit Kombëtar të Kosovës. Interesi ynë është që të jemi të pranishëm në sallën e Operës dhe Baletit të Shqipërisë. 

 

Pas përfundimit të luftës, ne kemi dhënë shfaqje të repertorit tonë në disa qytete shqiptare si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Apolloni (Fieri i tanishëm), në Elbasan dhe në qytete të tjera, mirëpo paraqitja jonë në këtë sallë do të jetë për të parën herë. Më parë nuk na është krijuar mundësia nga udhëheqja e mëparshme e Operës dhe Baletit shqiptar, për të pasur paraqitje koreografike para publikut tiranas”, ka thënë Brahimaj. Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, u shpreh se me drejtorin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë, Ilir Kernin tashmë kanë më shumë hapësirë për të bashkëpunuar dhe për t’i realizuar obligimet e tyre që janë nënshkruar edhe në protokollin e marrëveshjes ndërmjet ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi dhe homologes së tij, Mirela Kumbaro- Furxhi në kalendarin e përbashkët kulturor mbarëkombëtar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama