Kur përmendet një balerinë klasike, në mendje të vjen një siluetë e hollë, e gjatë, në majë të gishtave, e veshur me fustan të bardhë, të shkurtër e me flokët e mbledhura lart. Por, sa të vështirë e kanë këto vajza të ruajnë modelin e elegancës që kërkon figura e baletit klasik? Çfarë bëjnë për ta arritur një gjë të tillë?
Nëse këto pyetje do të bëheshin para viteve \'90-të, do të merrnin përgjigje për sasinë e kufizuar të ushqimit që njerëzit merrnin me triska dhe orët e tejzgjatura të punës. Sot, përgjigja është një tjetër: kujdes individual për peshën, e disa balerina të tjera do të përgjigjeshin se janë me "fat që mund të hanë gjithçka dhe të mos shëndoshen".
Që një pjesë e mirë e balerinave të Teatrit të Operës dhe të Baletit, ditëve të sotme, nuk janë në formë, kjo u vu re gjatë premierave "Kopelia" dhe "Gjenerali i ushtrisë së vdekur".
Qysh kur pesë balerinët e parë të skenës shqiptare, Petrit Vorpsi, Zoica Haxho, Agron Alia, Xhemal Simixhiu dhe Ganimet Vendresha, studiuan në Moskë, ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli. Shkolla dhe teknika që ata sollën ende vazhdon të zbatohet në baletin shqiptar. Për gjendjen jo të mirë, në të cilën ndodhet trupa, prima balerina e parë e TOB-it, ish-prima balerina, Ganimet Vendresha, thotë se gjithçka ka ardhur nga rënia e standardeve të mësimdhënies.
Pas viteve \'90-të, gjendja e vështirë në të cilën ndodhej vendi la gjurmë edhe në balet. Prurja e vajzave në shkollën e baletit po bëhej gjithmonë edhe më e vështirë. Disa nuk kishin mundësi ekonomike të vazhdonin e të tjera nuk kishin shëndetin. Në shkollë qëndroi kush mundi dhe jo më të talentuarat.
Pasojat e kësaj situate dolën vite me vonë, më saktë në trupën aktuale të TOB-it. Për Ganimet Vendreshën, ish-balerinë dhe pedagoge e baletit, gjithë puna fillon në fëmijëri. Në klasën e katërt, kohë kur fillohet shkolla e baletit, luan një rol të rëndësishëm pedagogu.
"Mënyra se si e tërheq fëmijën që në momentin e parë, që në hapin e parë që hedh kur futet në sallë dhe vendos dy duart në levë, që atje kërkesat duhet të jenë më ndryshe", - shpjegon mësuesja e parë e shkollës së baletit në Shqipëri. "Punohet më muskulaturën në mënyra të ndryshme, prandaj edhe këmbët shëndoshen më ndryshe.
Emërtimi balet klasik, do të thotë përpunim më i bukur, më i arritur i fizikut. Ai gdhendet si një skulpturë. Kështu është edhe baleti klasik, këtë drejtim të jep. Pastaj zhvillimit të fëmijëve nuk i dihet, ka vajza që mund t\'i zhvillohen gjoksi apo vithet".
Por, nëse ish-pedagogia e parë e shkollës fajëson rënien e standardeve, balerina aktuale e TOB-it, Rovena Shqevi, ka tjetër mendim. Sipas saj, sido që të ishin balerinat në fillim të viteve \'90-të, teatri nuk mund të mbyllej. "Për të vazhduar punën, në mënyrë që të mos mbyllej sektori i baletit, (gjë që s\'mund të ndodhte), nuk u panë shumë kriteret. Çfarë ishte u mor në punë".
Pjesa tjetër është e gjitha në dorë të balerinës, nëse do apo jo të ruajë formën. Në TOB asnjëherë nuk ka ekzistuar një praktikë peshimi për balerinat, gjithçka është lënë në dorën e tyre. Por rezultati shihet vetë. Shumëkush mund të pyesë përse këto balerina nuk mbajnë dietë.
Ganimet Vendresha thotë se tani abuzohet shumë me fjalën dietë. Balerina për të është si sportistët: "Në rast se një sportist nuk ushqehet mirë, ai s\'ka energji për të punuar. Energjitë që përftohen nga e ngrëna, digjen të gjitha. Edhe balerina, në rast se nuk ushqehet mirë, nuk ka fuqi që të punojë.
Ajo gjithë jetën ka një lodhje shumë të madhe mbi kurriz. Sidomos po ta ushtrosh si duhet profesionin, ka gjithmonë lodhje".
Në këtë pikë, ish-balerina kthehet pas dhe tregon për kohën kur studionte balet në Moskë.
"Ne hanim mëngjesin në shtëpi dhe në orën 9 fillonim mësimin. Zakonisht mëngjesi kishte qumësht, gjalpë, djathë, reçel, ëmbëlsira, sepse këto të japin energji. Në orën 12 mbaronte mësimi. Pas tij ishte dreka, që ofrohej nga shkolla; një supë, një të dytë dhe një komposto. Pastaj më vonë, nga ora 4, hanim një drekë të dytë. Mund të konsumonim prapë supë ose diçka tjetër.
Veç kësaj, përpiqesha të mbaja gjithmonë një frut me vete, mollë ose edhe çokollatë. Kjo rutinë vazhdonte deri në 8 apo 9 të darkës". Por gjërat do të ndryshonin me ardhjen në Shqipëri. Teatri nuk kishte mundësinë t\'u ofronte balerinëve një vakt të plotë, por mbi të gjitha, për këtë brez balerinash doli një sfidë tjetër: hapja e shkollës së baletit.
Ganimeti tregon se në atë kohë duhet të ishin gjithë paraditen në TOB, pasditeve duhet t\'u jepnin mësim fëmijëve dhe pasi të kishin përfunduar mësimet dhe të liroheshin sallat, atëherë fillonin provat. E, me një aktivitet të tillë të ngjeshur, kush ka kohë të shëndoshet.
Situata për balerinat e sotme është më ndryshe. Më pak orë stërvitje në ditë, normale 2-3 orë, dhe pak më shumë kur punohet për premiera. Po t\'i shtosh kësaj edhe "vese" të tilla si fast-food-i, rezultati është ai që shohim në skenën e TOB-it.
Balerina Rovena Shqevi tregon se, për të pasur një figurë të mirë në skenë, ka hequr dorë nga shumë zakone të të ushqyerit. Fillimisht ishte eliminimi i mëngjesit. "Megjithatë, mirë është që të hahet, sepse kaloritë më të mëdha harxhohen gjatë ditës. Kam abuzuar me këtë punë që nuk ha, pasi nuk është mirë. Shpresoj që fuqitë të mos më lënë me kalimin e kohës", - thotë ajo.
Por detyra (sakrifica) për të qëndruar në formë, për Rovenën, nuk mbaron me kaq. Ajo tregon se gjatë gjithë ditës konsumon vetëm një vakt e gjysmë. As më pak dhe as më shumë.
"Drekën nuk e kam të përcaktuar me recetë, ha si gjithë të tjerët, gjellë, mish, peshk. Zakonisht, një pjatë gjellë me sallatë, shumë pak bukë, (sepse gjellët shqiptare dihet që duan pak bukë). Pica jo. Fast-food-i është pjesa që kam eliminuar nga menyja ime. Ndërsa darka është shumë e lehtë, vetëm kos.
Në mes të vakteve ha fruta, mollë jeshile portokall, d.m.th., një frut të stinës. Gjithmonë zgjedh ato me më pak kalori", - tregon Rovena. Fatmirësisht, ajo është nga ato balerina që kujdesen për peshën, ndonëse në TOB asnjëherë nuk ka ndodhur që balerinat të peshohen.
Baletmaestri, Kujtim Hoxha, tregon se pas premierës së baletit "Kopelia", kërkoi që balerinat të peshoheshin. Por që atëherë ka kaluar pothuajse gjysmë viti dhe një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Verdi komik në TOB
Kompozitori Giuseppe Verdi zbret këtë jëvë në Teatrin e Opërs dhe të Baletit me veprën "Falstaff". Opera me libret të Arrigo Boitos është bazuar në veprën e William Shakespeare, "Gratë gazmore të Uinsdorit". Shfaqja e parë është nesër në orën 19:00, ndërsa të tjerat do të jenë çdo ditë deri më 31 maj. Për këtë vepër TOB ka angazhuar një ekip artistësh shqiptarë dhe të huaj. Regjia dhe skenografia janë realizuar nga Nikolin Gurakuqi, mjeshtër koncertues Gianna Fratta dhe kostumet kanë mbërritur nga "Sartoria Arrigo" në Milano. Interpretojnë Cengiz Sayin, Dobromir Tzvetanov, Sahap Cuneyt Unsal, Deniz Penozur, Ergys Mita, Vikena Kamenica, Dorina Selimaj, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli, Armand Likaj, Sonila Oshafi, Klodiana Laze, Roel Llupo, Gilmond Myftari dhe Denis Skura.
Gazeta Shekulli