Marrëveshja e qeverisë shqiptare me qeverinë e Moldavisë, për ripranimin e personave të paautorizuar, është komentuar me batuta mes deputetëve të PD-së dhe PS-së, në dy komisionet parlamentare. Në komisionin e Integrimit, Taulant Balla, i është drejtuar kryetares, Majlinda Bregu, duke i thënë se kjo e fundit ka ngjashmëri me femrat moldave.
Ironia mes deputetëve ka filluar teksa ish-ministrja ka kërkuar nga kolegët që të përcillnin ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, Blendi Çuçi, i cili raportoi në seancën dëgjimore, raporton “Panorama’’.
Por, nënkryetari Balla ka ironizuar duke thënë se edhe Bregu mund të largohej bashkë me ministrin dhe se mbledhjen mund ta drejtonte dhe pa praninë e demokrates.
“Mund të ikni të dy se e drejtoj unë komisionin”, -është shprehur Balla. Ish-ministrja Bregu iu kthye: Do ta drejtosh mbledhjen ti?! Për ripranimin me Moldavinë e kemi, kështu vazhdo”. Në këtë moment vjen dhe ironia e Ballës: “Ti ngjan një çikë me moldavet”.
Kjo batutë e Ballës ka ngjallur të qeshurat në sallë dhe është komentuar nga deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila i tërhoqi vëmendjen duke qeshur. Por, Balla u justifikua duke thënë se vetë kryetarja e komisionit e kërkoi këtë përgjigje.
Batutat nuk kanë munguar as në komisionin e Sigurisë Kombëtare. Ende pa filluar shqyrtimi i projektligjit, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka bërë një batutë, duke thënë se mungesa e kryetarit të komisionit vjen për shkak se mosha e tij nuk i përballon “marrëveshjet me Moldavinë”.