TIRANË, 19 Nëntor/ATSH-Anila Struga/.- Kodi i Etikës së Policisë së Shtetit, i përfshirë në rendin e ditës së punimeve të sotme të Kuvendit, u bë shkak i debateve dhe akuzave të ashpra mes palëve për situatën e sigurisë dhe rendit në vend.
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke shprehur mbështetje të plotë për punën e Ministrisë së Brendshme, tha se 'historia e qeverisjes së Partisë Demokratike në fushën e rendit është një histori turpi, pazari dhe nënshtrimi'. Reforma në drejtësi, theksoi ai, është sfida e kësaj maxhorance, ndaj ftoi opozitën që ta mbështesë pasi kjo reformë tha Balla, "do të shpëtojë dhe vetë PD-në".
"Baronët e drogës së Lazaratit ju i shpërblenit me para dhe me mburojë politike, ndërsa ata emëronin drejtorë dhe komisarë policie. Kjo ishte Shqipëria juaj për rendin, sigurinë dhe krimin e organizuar. Ja pse sot sukseset e Policisë së Shtetit ju mundoheni t'i nxini me antikrimin dhe antishtetin. Por, ju keni një problem të madh se prodhoni blozë turpi nga oxhaku i SHQUP-t dhe vini e i shisni këtu për të vërteta. Ne mbështesim ministrin e Brendshëm dhe jemi krenarë për arritjet e kësaj qeverie", deklaroi Balla.
Nënkryetari i grupit të PS-së tha se kur qeverisja e majtë erdhi në pushtet në vitin 2013 policia shqiptare renditej si një ndër tre institucionet më të korruptuara në vend.
"Punonjësit e policisë ishin të keqtrajtuar dhe në një numër të konsiderueshëm pa arsimin përkatës; me paga turpësisht të ulëta, me orë jashtë orarit të papaguara dhe me shefa policie që dekonspironin aksionet. Në vitin 2013 Departamenti i Shtetit e rendiste Shqipërinë në listën e zezë, ku sot ajo nuk figuron më", deklaroi Balla. /a.ke/