Bullgaria dhe Rumani tashmë kanë ndërprerë eksportin e energjisë elektrike ndaj vendeve të tjera. Edhe Bosnja po ashtu. Kjo situatë e krijuar në rajon pritet të pasqyrohet me pasoja të mëdha në vendin tonë. I ftohti i madh ka rritur konsumin në këto vende duke bërë që të ndërpresin shitjet dhe energjinë e prodhuar ta përdorin për të plotësuar nevojat vetjake. Në këto kushte, vendi rrezikon të hyjë në mungesa të theksuara të energjisë elektrike duke filluar nga marsi edhe pse KESH ka siguruar kontratat e importit për muajin shkurt. Rritja e konsumit në këto vende do t’i bëjë ato më pak ose aspak të prirura për të shitur energji në vendet e tjera.
Në të njëjtën linjë ka ecur edhe qeveria serbe. Për të plotësuar kërkesat e konsumatorëve vendas për energji, ajo ka lajmëruar ndërprerjen e transmetimit nga sistemi i saj duke filluar nga dita e djeshme, deri më 29 shkurt. Energjia që importohet aktualisht në Shqipëri nuk kalon nga Serbia, por një vendim i tillë pasqyron atë ç’ka është duke përjetuar rajoni në këtë periudhë.
Kërkesa e lartë për energji elektrike në këtë mot të ftohtë në vendin tonë si dhe niveli i liqeneve të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin, pritet që t’i shkaktojnë probleme serioze Shqipërisë për garantimin e furnizimit.
Vështirësive në importin e energjisë elektrike ndërkohë i shtohet edhe niveli i ulët i ujit në hidrocentralet e vendit. Reshjet e mëdha që kanë përfshirë veriun janë borë dhe jo shi duke bërë që e gjitha të mbetet në shpatet e maleve e ngrirë duke mos rritur kështu nivelin e kaskadës së Drinit. Rreziku për mungesën e energjisë elektrike vijnë në një moment të vështirë për zonat veriore, veri-lindore dhe lindore të vendit, të cilat po përballen me reshje të dendura bore. Reshjet kanë bllokuar rrugët duke e bërë edhe më të vështirë komunikimin dhe transportin e mallrave dhe ushqimeve.
KESH siguron energjinë për shkurtin
I ftohti i madh e ka rritur në nivele rekord konsumin e energjisë elektrike. Mësohet se konsumi gjatë ditës së djeshme rriti deri në 25 milionë kilovat. Thuajse gjysma e energjisë që konsumohet aktualisht në Shqipëri sigurohet nëpërmjet importit, prandaj edhe vështirësitë në të pritet të kenë pasoja serioze për vendin.
Aktualisht, HEC-et e vendit prodhojnë rreth 13 milionë kilovat energji elektrike, kurse pjesa tjetër duhet të sigurohet nëpërmjet importit. Vendimet që kanë marrë shtetet e tjera do të bëjnë që të na mungojnë mesatarisht 12 milionë kilovat energji çdo ditë, gjithnjë nëse konsumi vijon të mbetet në 25 milionë kilovat.
Në rast se situata e motit do të vijojë e njëjtë dhe shtetet e rajonit do të vazhdojnë të mos eksportojnë energji elektrike, KESH do të detyrohet të të rrisë ndjeshëm prodhimin për të përmbushur nevojat e vendit. Por kjo nuk e zgjidh situatën. Nëse korporata do të prodhojë me kapacitet maksimal për disa ditë më radhe do të përballet me ulje të kuotave dhe HEC-eve. Krahas kësaj, korporatës do t’i nevojitet një mbështetje e madhe nga qeveria me fonde për të lejuar blerjet e mëtejshme. Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi disa ditë më parë se qeveria do të mbështesë KESH-in duke përdorur Fondin e Kontigjencës.