Ballkani nuk mendon per eurolexuesin

Ballkani nuk mendon per eurolexuesin
Edicioni i gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, "Poeteka" hap diskutimet për sfidat e letërsisë së Ballkanit sot, për raportet e saj me fqinjët dhe me lexuesin përtej kufijve rajonalë. Si duhet t'i prezantohet Evropës letërsia ballkanike? A duhet të vazhdojë të rrëfejë akoma për luftërat dhe ndarje shtetesh? Si ndryshoi gjuha e letërsisë së vendeve ish-komuniste këto njëzet vjet?


Këto janë pyetjet që shtrojnë diskutimet e shkrimtarëve dhe poetëve nga Ballkani të ftuar në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë dhe Letërsisë "Poeteka". Edicioni i gjashtë, 4-10 tetor, e ka zhvendosur tashmë fokusin nga njohja e letërsisë së njëri-tjetrit, te diskutimi i çështje të reja që dalin në një terren përtej Ballkanit. Drejtuesi i "Poetekës", Arjan Leka flet për ndryshime në mënyrën e organizimit të festivalit që po zhvendoset nga Durrësi në Tiranë, për arsye se ka një komunitet më të gjerë artistësh dhe të interesuar për poezinë. Festivali hyn në shkolla dhe universitete, me një program leximesh dhe takimesh me autorë që vijnë nga Austria, Franca, Gjermania, Greqia, Rumania, Serbia, Slloveni etj. Është ky shërbim një lloj fushate për nxitjen e leximit te të rinjtë.

Çfarë ka të re "Poeteka" e këtij viti?

Çdo vit, festivali rinovon strukturën programore dhe ofron të reja. Së pari ka ndryshuar vendstrehimi i poezisë. Qendra e aktiviteteve nuk është Durrës, qyteti që e krijoi "Poetekën". Kemi menduar se stacioni më i mirë mund të jetë Tirana, i qaset më shumë botës akademike dhe universitare dhe krijon mundësi për t'i folur një komuniteti më të interesuar dhe më të gjerë për letërsinë dhe poezinë në veçanti. "Poeteka" do të jetë si gjithmonë lëvizëse. Brenda Tiranës ajo shtegton nga Teatri i Metropolit në Fakultetin e Filologjisë, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Universiteti "Marin Barleti", Shkolla e Mesme "Faik Konica", ku në sloganin "Leximi nuk dëmton edhe aq rëndë shëndetin", do të bëhen takime me shkrimtarët e ftuar.

Kjo do të ndodhë edhe në studiot e piktorëve, si psh, në studion e grafistit Mustafa Arapi dhe në studion muze të piktorit Buron Kaceli, një pjesë tjetër zhvillohen në galerinë "Zenit". Programi i diskutimeve të "Poetekës" dhe temat e tyre kanë ngjallur interes. Për çfarë është e nevojshme të flitet kësaj radhe?

Ne jemi prirur në këtë edicion për një "Poetekë" më provokative, më të hapur drejt lirisë së shprehjes. Janë krijuar tri tema bazë, me katër nënndarje secila. Njëra prej tyre ka të bëjë me krijimin e eurolexuesit. Thuajse i gjithë Ballkani pret të anëtarësohet në Evropë. Me krijimin e eurotregut dhe eurozonës, vetiu krijohet edhe koncepti i eurolexuesit. Shtrohet pyetja: A është ky lexues i gatshëm të presë çdo produkt ballkanik? A është i interesuar ndaj kësaj lloj letërsie? Çfarë pret ai nga letërsia ballkanike? Do vazhdohet t'i ofrohet historia e luftërave?

Ne jemi ende të papërgatitur dhe nuk e dimë akoma përgjigjen se çfarë i intereson Evropës, një letërsi e qëllimshme, thjesht e krijuar për ata, apo thjesht të japim atë që ne jemi. Tjetër pritshmëri kanë të huajt ndaj nesh dhe tjetër gjë mendojmë ne se iu pëlqen atyre.

Tema e parë e diskutimit mes autorëve të Ballkanit merret me problematikën e letërsisë së sotme. A vijojnë në këtë linjë dy temat e tjera?

Tema e dytë që do diskutohet mes autorëve të Ballkanit është "Riciklimi i kujtesës", si proces që prek edhe rrafshin sociologjik apo politik. Mendoj që shkrimtarët, do të kenë rast për të folur sesi një shoqëri mund të çlirohet, mund të vetpastrohet, apo mund t'i rregullojë më mirë raportet e veta, thjesht nga riciklimi. Me bazë këtë temë do të diskutohet edhe për letërsinë e realizmit socialist: a është produkti letrar i kësaj periudhe i gjithi për t'u flakur tej?

Tema e fundit që diskutohet nga autorët ballkanas është për muret gjuhësore. Pas vitit '89, ne e dimë që muri i Berlinit, sheshoi muret ideologjike, por ndoshta të paktë ishin ata që kishin perspektivë mendore për të kuptuar krijimin e mureve të reja. Ata që ndoshta muri i Berlinit nuk arriti ta bëjë midis kombeve, të cilët krijuan një unitet gjuhësor, muret gjuhësore arritën ta shpërbëjnë. Rezulton që letërsia ballkanike është shumë pak e përfaqësuar në shtetet e tjera të Evropës dhe vetë Shqipëria ka filluar ta njohë letërsinë ballkanike së fundi. E kam fjalën gjithmonë në kontekstin modern. Ballkani njeh shumë pak nga letërsia shqiptare, ose e njeh përmes antologjive. Ku qëndrojnë vështirësitë që ne komunikojmë kaq pak?

Çfarë përfaqësimi ka në Festival Rajoni dhe Evropa?

Nuk janë modeluar emra për formatin e "Poetekës", por është formati që i ka kërkuar këta emra. Ata mund t'i zbërthejnë temat që përmenda më sipër. Nga Sllovenia vjen një poet dhe përkthyes cilësor Marjan Strojan, që është vlerësuar me çmime të rëndësishme poetike në Slloveni dhe jashtë saj. Nga Kroacia vjen Renato Baretić. Nga Bosnja vjen një shkrimtar i ri shumë i mirë, Emir Imamović, kurse nga Bullgaria vjen një shkrimtar i shkëlqyer i moshës së mesme, Alek Popov, që cilësohet si shpresa e prozës së re bullgare. Nga Kosova vjen Mehmet Kraja dhe nga Mali i Zi, Miras Martinović, që boton në revistën "Poeteka" dy kapituj të romanit mbi mbretëreshën Teuta. Në këtë edicion vjen një poete shumë e çmuar Brigit Kelly, e vlerësuar si anëtare e shquar e Akademisë së Poetëve Amerikanë.

Në këndin e homazheve është figura e Nënë Terezës. Në një nga ditët e festivalit, ka një meshë në kishën "Santa Lucia" të Durrësit, ku luhet muzikë klasike dhe të gjithë poetët pjesëmarrës në festival lexojnë në gjuhë të ndryshme poezitë e Nënë Terezës. Menduam që krahas humanistes, të përkujtojmë edhe dy shpirtra të tjerë, që janë ndarë nga jeta këtë vit, Ndoc Gjetja dhe Jamarbër Marko. Ka ditë të veçanta ku lexohen pjesë nga veprat më të mira të tyre.

Histori

Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Poeteka" u themelua më 2004 në qytetin e Durrësit nga poeti Arjan Leka. Qysh atëherë mbetet i vetmi aktivitet që promovon autorë nga bota dhe kryesisht nga Ballkani, nxit leximet në publik dhe botimet dygjuhëshe. Është bërë traditë diskutimi i çështjeve që shqetësojnë marrëdhëniet e letërsisë me editorinë, me lexuesin, tregun, me vetë letërsinë dhe çështje të natyrës së krijimit etj.

"Poeteka" nisi në Portën e murit bizantin të Durrësit me qëllim përfshirjen e qytetit me pasuritë dhe trashëgiminë në guidën disaditore të të ftuarve. Gjer më sot është nxitur efekti i një mënyre komunikimi të teatrit poetik.

Festivali mbyllet me ceremoninë e çmimeve: Liburna (për poetin që ka botuar krijimtarinë me të mirë në faqet e revistës POETEKA); Nositi (për përkthimin e librit me të mirë poetik të vitit nga gjuha e huaj në shqip apo nga shqipja në gjuhë të huaj); Onufri (për kontributin kritik letrar me të mirë të vitit, esenë për poezinë apo artet e tjera) dhe Unaza Poeteka (për personalitetin poetik me të spikatur në Festival Poeteka). Disa nga personalitetet pjesëmarrëse në Poeteka janë Claudio Pozzani-Itali, Ferid Muhiq-Bosnjë, Eliot Ëeinberger-SHBA, apo Maria Luisa Spaziani.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama