Një juri ndërkombëtare e përbërë nga një anëtar nga secili vend do të vendosë për veprën më të mirë të Ballkanit. Në ceremoni, veç anëtarëve të jurisë, autorëve kandidatë dhe botuesve organizatorë, do të jenë të pranishëm personalitetet më të njohur të jetës kulturore në Shqipëri dhe personalitetet më të larta të jetës politike të këtij vendi, por edhe nga vendet pjesëmarrëse. Për Çmimin "Ballkanika" çdo botues organizator formon në vendin e tij një juri të.
Autorët shqiptarë dhe veprat e tyre që kanë konkurruar në 11 edicionet e Çmimit Letrar "Ballkanika" janë, duke filluar prej vitit 1997, Fatos Kongoli, Ismail Kadare, Besnik Mustafaj, Vath Korreshi, Mimoza Ahmeti, Diana Çuli, Aurel Plasari, Ylljet Aliçkaj, Bashkim Shehu. Fatos Kongoli ka qenë tre herë pjesëmarrës dhe fitues në vitin 2002 me romanin "Ëndrra e Damokleut". Juria shqiptare që do të vlerësojë dhe propozojë autorin dhe romanin shqiptar si konkurrent për çmimin "Ballkanika" do të përbëhet nga: Prof. dr. Jorgo Bulo, Piro Misha, Diana Çuli, Preç Zogaj, Virgjil Muçi. Ndërsa në jurinë ballkanike Shqipëria do të përfaqësohet nga Diana Çuli.
Juria e mësipërme do të përzgjedhë veprën dhe autorin shqiptar që do të konkurrojë për Çmimin letrar "Ballkanika", si vepra më e mirë e Ballkanit nga vitet 2009 -2010. Si fillim juria do të listojë romanet e botuara në gjuhën shqipe nga autorë shqiptarë gjatë dy viteve të fundit. Në fazën e parë do të përzgjidhen 10 romanet më të mira që do të vazhdojnë konkurrimin, të cilat do të bëhen publike.
Në fazën e dytë do të përcaktohen 3 romanet konkurruese dhe prej tyre do të përcaktohet romani dhe autori që do t'i paraqiten jurisë ndërkombëtare për të përfaqësuar Shqipërinë dhe për të konkurruar për fitimin e titullit të romanit më të mirë të Ballkanit.
Juria e përbërë nga jo më pak se tre anëtarë, të cilët duhet të jenë personalitete të njohur të fushës, studiues, autorë, kritikë, analistë, gazetarë të kulturës etj., pasi seleksionon romanet më të spikatur të 2 - 3 viteve të fundit përcakton në fillim 10 romanet më të mirë që konkurrojnë midis tyre për të zgjedhur një prej pretendentëve midis autorëve më të mirë të Ballkanit. Më pas nga 10 romane juria përzgjedh 3 prej tyre, prej të cilëve, në fazën e fundit të gjykimit do të nxjerrin një roman, i cili i propozohet jurisë ballkanike.
Pas përcaktimit të veprës së përzgjedhur, botuesi organizator merr masat për dorëzimin e dosjes së plotë në jurinë ballkanike: romanin, një kopje në origjinal (për të vërtetuar se është botim i tre viteve të fundit), veprën të përkthyer tërësisht në anglisht ose frëngjisht, të dhëna sa më të plota për autorin, një përmbledhje për përmbajtjen e romanit, një CV të autorit, si dhe vlerësimet që ka pasur vepra në vendin respektiv.
Edhe këto duhet të jenë të gjitha në anglisht ose në frëngjisht. Nëse romani që konkurron është i përkthyer edhe në gjuhë të tjera të huaja ose është në proces botimi, ka përparësi në gjykimin e jurisë ballkanike. Edhe juria e Ballkanit përzgjedh, si fillim, midis veprave që konkurrojnë 3 veprat më të mira dhe prej tyre, ditën e zhvillimit të ceremonisë zyrtare, shpallet fituesi i romanit më të mirë të Ballkanit. Fituesit të shpallur si autori i romanit më të mirë të Ballkanit për vitin respektiv i jepet Diploma përkatëse e Nderit, një distinktiv me simbolin e Ballkanikës, një çmim në vlerë 5.000-10.000 euro.
Botuesit organizatorë të të gjitha vendeve ballkanike kanë detyrimin që ta botojnë romanin fitues në vendet e tyre. D.m.th., brenda një viti apo diçka më shumë vepra e autorit fitues përkthehet në shumë gjuhë të huaja njëherësh. Botuesve u lind mundësia që, sipas dëshirës dhe vlerësimit nga ana e tyre, të botojnë në vendin e tyre të gjitha veprat që kanë konkurruar në "Ballkanika", duke qenë se janë veprat më të mira të botuara në rajon.