Kjo nuk është shenjë e mirë. Paralajmëron se në ç’nivel duhet të jetë ekspozita për nder të 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Muzeu Historik Kombëtar. Shto këtu edhe motivin e Muajit Mbarëkombëtar të Kulturës Shqipëri-Kosovë gjatë qershorit, të cilit po i lëmë vend pak më poshtë. Kaq shumë “kuadro” për një ngjarje, që të shijen se e kanë futur Lidhjen e Prizrenit në një sepete dhe i kanë hedhur edhe naftalinë. Aq gjatë e kanë konservuar celebrimin e ngjarjes së madhe patriotët folkloristë.
Tjetër shenjë jo e mirë e kësaj ekspozite, shenjë që, pse ta fshehim, shenjon një lloj histerie aq edhe falsitet, është rreshtimi që në krye i tre flamujve: i Evropës së Bashkuar, i Shqipërisë dhe i Kosovës.
Aktiviteti filloi në orën 11.00. Duhet thënë se Muzeu dje bëri një sakrificë ngaqë të hënën e ka ditë pushimi. Prandaj aktiviteti ishte një orë, dhe shumë e kishte. Vetë folën dhe vetë dëgjuan organizatorët.
Çfarë përmbante ekspozita? Në rresht, një lloj si “metoda shkencore” që ndjekin muzeologët tanë, po i rendisim në vijim. Një shtëpi në miniaturë, imitim i shtëpisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Monumenti mbivarror i Abdyl Frashërit ku është shkruar osmanisht ky epitaf: Veç zotit/ Nuk ka Zot tjetër/ Profeti është i dërguari i Zotit/ Zoti është i përhershëm/ Abdullah Hysni Bej, biri i Halit Beut/ Nga një familje prej qytetit të Shqipërisë i cili njihet me emrin Abdyl Bej Frashëri/ Për shpirtin e tij. Mbrapa kësaj pllake mermeri është shkruar: “Njeriu i paditur është në gjumë, kur bëhet i ditur zgjohet prej tij.”
Përfund të quajturit monument, në një copë letër, shënohet: Ekspozohet për herë të parë. Punonjësi i sallës na thotë të kundërtën. Ajo letër i ka mbetur nga pesë vjet të shkuara kur pllaka në emër të rilindasit shqiptar, kish ardhur në Muzeun Historik për herë të parë. Tani sa ishte transportuar nga pavijoni i Rilindjes, poshtë në holl.
Harta e vilajeteve që përfshijnë qytete e krahina të cilat nuk i takojnë më Shqipërisë prej më shumë se një shekull dhe përbri foto të vjetra, riprodhime të këqija, mes të cilave të Marubit që bëjnë sikur japin një Shqipëri në shek. XIX që nga Dogana e Shkodrës, Durrësi me një port të vërtetë, tek malësorja e Grudës dhe gruaja qytetare përmetare. Asgjë të re nuk thonë. As ilustrimet e riprodhimeve piktorike që japin kalimin e Lumit Danub nga trupat ruse, kapitullimin osman në Nikopol etj. Fotografitë e patriotëve janë po ato të stampuara për vite e vite, pa cilësi, në tekstet e shkollave. Po ato materiale të afishuara si lëngu i lëngut të lëndës dokumentare. Nga didaskalitë (vetëm në shqip) kupton se ke të bësh me “mendimin politik dhe kulturor” të Lidhjes së Prizrenit, frymëzuar nga Vaso Pasha; me abetaret e para shqipe; me themelimin e Lidhjes në qytetin e Prizrenit nën drejtimin e Iljaz Pashë Dibrës, (10 qershor 1878-23 prill 1881) si “bashkimi politik dhe ushtarak më i madh në historinë e re të shqiptarëve”; me aksionin e Gjakovës 1878 ku gjeti vdekjen Mehmet Ali Pasha dhe Abdullah Pashë Dreni; me mbrojtjen e Hotit, Grudës dhe Ulqinit... Dhe me Mic Sokolin, kreshniku që i ka vënë gjoksin grykës së topit. Që fëmijë na është ngulitur ky moment i pabesueshëm i burrit me duar të mëdha që dukej sikur do të dilnin prej letrës, do shtrëngonin xhamadanin për herë të fundit dhe do të hidheshin mbi topin armik.
Sigurisht aty është ekspozuar një riprodhim i tablosë që ka realizuar një piktor i njohur në kulmin e propagandës së artit të realizmit socialist.
Xhamadani “i kuq si gjaku” për të cilin didaskalia thotë se është i Mic Sokolit, duket sikur ka dalë sot nga duart e mjeshtrit popullor. Nuk ka erë lufte. Është ekspozuar brenda një arke xhami bashkë me bastunin e Ali Pashë Gucisë, prangat e Koto Hoxhit dhe pushkën e Daut Boriçit. Lidhjen e këtyre objekteve duhet ta kenë bërë dëshmitarë okularë! Se ndryshe s’është e mundur. Në një arkë tjetër - kanë aq pak kuptim në këtë atmosferë heroizmi -një hejbe dhe maketi i një parmende të fillimit të shek. XIX.
Po lufta, ku është lufta?
Është për të qeshur dhe për të qarë që një poet të papërsëritshëm si de Rada shkojnë dhe e përlyejnë me gjoja gjurmët e dëshmive të këtij lloji. Të ashtuquajtura “mjete të Jeronim de Radës” janë një shishe boje e tharë me një laps brenda!
Ideimi i muzeve tona si entitete të pandryshueshme dhe drejtimi i tyre nga njerëz që i mendojnë muzetë të dhënë një herë e përgjithmonë, që nuk reflektojnë në to ndryshimet e jashtme, as lëvizjet që pësojnë në epoka “mënyrat” e perceptimit të historisë nga brezat, është një nga të metat më të mëdha dhe me pak shpresë për ndryshim në institucionet shqiptare të memorjes.
Si shumë institucione të tjera aty vjen erë fanatizëm dhe genjeshtra replikash.
Ngjituni ju lutem në katin e fundit të Muzeut Kombëtar: Enver dhe Nexhmije Hoxha bëjnë historinë, sadoqë mes grave që thurin çorape, kovave dhe leckave, parullave antifashiste, sikur të jenë lënë që prej vitit 1981 kur ky muze u ngrit.
Blini një biletë në Muzeun Historik Kombëtar dhe do të shihni se sa prapa ka mbetur drejtori i saj bashkë me ministrin aktual të Kulturës Ylli Pango. Janë bileta që janë emetuar që nga koha e Edi Ramës, ministër Kulture. Aty shkruhet: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Ndonjë fanatik ka të ngjarë t’i marrë këto radhë si pretendim që të kemi disnay land-e, në vend të jurassic parkeveku edhe Mic Sokoli duket sikur i përket kohës së dinosaurëve.
Muzetë nuk janë tekste shkollash, po forma didaktike të thjeshtuara dhe tërheqëse sepse vënë në funksion shqisat e të parit e të dëgjuarit, e të prekurit, ndryshe nga leximet. Dhepo të flisnim me gjuhën e shqisave, muzetë tanë janë monokromë dhe nuk i përgjigjen kohës.
Një herë, një drejtues i ri në bashkinë e Tiranës bëri bashkë një tufë njerëzish për t’u vjelë ide si mund të bëhet kryeqyteti tërheqës dhe bindës për një turizëm kulturor - “si gjithë bota e qytetëruar, xhanëm”, siç thuhej pas çdo pretendimi që paraqitej si zbulim atë ditë. Po aty, drejtori aktual i Muzeut, ngriti një shqetësim. Të gjithë kujtuan se do të shtronte për diskutim, fjala vjen, si mundet kjo ngrehinë që ishte ngritur mbi një mëkat, të thithë sa më shumë vizitorë. Shqetësimi i drejtorit, historian i periudhës së Skënderbeut, nuk kishte lidhje me asgjë të ngjashme. Ishte një hall i lagjes ku ai banonte. Ankesa e tij dhe e komshijve të tij për zhurmëne karaokes së lagjes, ishte “injoruar” nga kryetari i bashkisë. U çua dhe dhe iku i revoltuar.
Dhe së fundi dy fjalë për muajin mbarëkombëtar të kulturës Shqipëri-Kosovë. Ky është muaji më shterp i kulturës që ministrat e radhës e kanë trajtuar si detyrë në emër të patriotizmit. Është shterp sepse nuk ndërtohet mbi bazë të një programi, ideve, mbi prodhime të reja e të posaçme por me riciklime autorësh e veprash. Për të gjitha këto është i gënjeshtërt, shto këtu buxhetin zero financiar që nuk përbën ndonjë zë më vete. Hiqen disa copa fondesh diku për t’ia dhënë të ashtuquajturit “muaj kulture”. Pango ishte nga ata që servilizmin donte ta deklamonte më hapur. Kur erdhi ministër pat thënë se nga një, do t’i shtrinte në disa muajt e aktiviteteve Kosovë-Shqipëri.
Edhe vetë janë të bindur këta ministra se kjo është një gjë që ata nuk mund ta bëjnë, sepse në të vërtetë nuk ka arsye të bëhet në këtë formë uniteti i kulturës, me fushata. Kosovë-Shqipëri duhet të komunikojë përditë, për çdo muaj. Me sa duket këta ministra, si vartës servilë e bëjnë këtë për t’i pëlqyer shefit të ekzekutivit apo njerëzve që për hir të së vërtetës janë më indiferentë se ata vetë për kësi punësh.
Elsa Demo
Nga : Gazeta Shekulli