Bamir Topi Ndryshimet kushtetuese gjitheperfshirese

TIRANË, 4 Nëntor/ATSH-Anila Struga/.- Partia Fryma e Re Demokratike, përmes kryetarit Bamir Topi bëri sot thirrje që ndryshimet kushtetuese të jenë gjithëpërfshirëse dhe jo si ato të vitit 2008, që i shërbyen dy-tre individëve dhe që edhe sot për to nuk ka një 'mea culpa' publike.

Kryetari i FRD-së, ish-president i Republikës, gjatë një konference për shtyp, mbështeti dhe procesin e dekriminalizimit, i cili tha ai duhet të kishte përfunduar në momentin e zgjedhjeve të fundit, ndërsa sa i takon reformës zgjedhore ai kërkoi organizimin e tryeza të zgjeruara me përfshirje e të gjithë spektrit politik në vend dhe jo vetëm të partive parlamentare.

Në fillim të deklaratës së tij, kryetari Topi u shpreh i pakënaqur nga debati politik në parlamentin e sotëm shqiptar, dhe më pas solli në vëmendje ndryshimet e nxituara në Kushtetutë, në vitin 2008.

"Kanë kaluar 7 vite nga prilli i vitit 2008 kur brenda një nate ndryshoi Kushtetuta e Shqipërisë me një vullnet të deformuar, mbi bazën e bisedave klandestine, duke i sjellë një dëm të jashtëzakonshëm demokracisë në vend. I përgëzoj ato zëra që i referohen datës 21 prill 2008 për efektet negative që pati ky ndryshim i befasishëm në interes të vetëm dy individëve, sepse e kam thënë këtë gjithmonë dhe e përsëris, por ajo që unë konstatoj është se ka pak përgjegjshmëri për të bërë një 'mea culpa' publike për atë që u bë në 2008-n. Jemi në pragun e nevojës për reforma të rëndësishme në Shqipëri dhe FRD kërkon që domosdoshmërisht ka nevojë për ndryshim të Kushtetutës, por duke i marrë proceset në mënyrë paralele. Kjo duke diskutuar mbi bazën e një konsensusi të gjerë dhe jo mbi interesa okulte të dy-tre individëve. Kjo duhet të shkojë paralel me reformën në drejtësi, që do të merrte kuptimin e vërtetë për drejtësi që nga guri i themelit, qysh nga dita e zgjedhjeve", tha Topi.

Sa i takon çështjes së dekriminalizimit, Topi tha se FRD është shprehur në mënyrë të qartë që ky parlament dhe institucionet duhet të ishin dekriminalizuar deri në momentin e zgjedhjeve. "Ne e kemi dhënë shembullin si parti me kandidatët e propozuar, gjithçka në FRD është e pastër, por kjo nuk na rezulton në partitë e tjera. Ne jemi skeptikë që ky parlament do të përmbushë detyrën themelore për të cilën funksionon", tha Topi.

Ne nuk jemi pjesë e parlamentit, vijoi ai, se nuk ka funksionuar kodi i zgjedhjeve, ashtu si nuk funksionon kodi gjenetik dhe kur ai është i deformuar jep një monstër, fatkeqësisht kjo po ndodh me parlamentin e sotëm, që është një monstër për Shqipërinë. Gjatë debatit në Kuvend diskutohet vjedhja e qindra e miliona eurove që harrohen të nesërmen, tha ndër të tjera kryetari i FRD-së.

Lidhur me ndryshimin e kodit zgjedhor, Topi tha se FRD është për një ligj zgjedhor ku çdo votë të përkthehet në mbështetje politike. "Si ka mundësi që FRD merr mbi 30 mijë vota dhe sot nuk ka një deputet në parlament? Ne jemi qartazi për një ligj zgjedhor ku çdo votë të përkthehet në mbështetje politike të subjektit. Sidoqoftë ne kërkojmë që për ndryshimin e kodit elektoral duhet organizuar një tryezë ku të mos jenë vetëm ata që janë në parlament, por të gjitha partitë të japin mendime", tha Topi./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama