Agjencia japoneze e lajmeve “Kyodo”, citon Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon se, ai është duke marrë në konsideratë për t’i kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështetë një propozim të tijin, që Siria vet të shkatërrojë armët e saj kimike, brenda territorit sirian.
“Jam duke marrë në konsideratë që t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit që të kërkojë menjëherë transferimin e armëve kimike të Sirisë në qendra të sigurta brenda Sirisë, ku mund të vendosen dhe ku njëkohësisht mund të shkatërrohen ato armë”.
Ban Ki Moon, sipas agjencisë japoneze të lajmeve, shprehu gjithashtu, zemërimin e tij në lidhje me ndasitë dhe përçarjet, si dhe pamundësitë dhe paralizimin brenda Këshillit të Sigurimit për të marrë ndonjë vendim të përbashkët mbi krizën në Siri, pasi Rusia e njohur si aleate e Assad-it dhe Kina kanë përdorur veton ndaj tri rezolutave mbi Sirinë, duke mos ndjerë keqardhje për humbjen e më shumë se 110,000 njerëz.